Çka duhet të dini për vaksinën KOVID-19
Përgjigjet në disa nga pyetet më të zakonshme në lidhje me vaksinën kundër virusit korona.
- English
- Македонски
- Shqip
Vaksinat kundër COVID-19 janë mjete të rëndësishme për të ndihmuar vënien nën kontroll të pandemisë, atëherë kur kombinohen me testime efektive dhe masa ekzistuese parandalimi. Vaksinat shpëtojnë miliona jetë çdo vit.
Ne kemi mbledhur informacionet më të fundit të ekspertëve për t'iu përgjigjur disa prej pyetjeve më të zakonshme në lidhje me vaksinat kundër COVID-19. Vazhdoni të kontrolloni këtë artikull, pasi ne do ta përditësojmë atë ashtu si do të bëhen të disponueshme më tepër informacione.
Çka duhet të dini për vaksinën KOVID-19
Vaksinat mësojnë sistemin tonë imunitar të ndërtojë antitrupa specifikë kundër viruseve dhe baktereve që shkaktojnë sëmundje, ose toksinave të tyre. Trupi juaj armatoset për t'i luftuar ato pa pasur nevojë as të sëmureni paraprakisht. Kështu, kur trupi do të ndeshet me viruset ose bakteret kundër të cilave janë prodhuar vaksinat, ai tanimë e di se si t'i mposhtë ato.
Po, vaksinat kundër COVID-19 u zhvilluan sa më shpejt që ishte e mundur, megjithatë, të gjitha duhet të kalojnë testime të rrepta në provat klinike për të provuar se përmbushin standardet e dakorduara ndërkombëtarisht të sigurisë dhe efektshmërisë. Vetëm nëse i përmbush këto standarde, një vaksinë mund të marrë miratimin e OBSH.
Shkencëtarët ishin në gjendje të zhvillonin vaksina të sigurta efektive brenda një kohe relativisht të shkurtër për shkak të një kombinimi faktorësh që i lejuan ata të rrisnin kërkimin dhe prodhimin pa kompromentuar sigurinë:
- Për shkak të pandemisë globale, ishte një mostër më e madhe për studim dhe dhjetëra mijëra vullnetarë dolën përpara
- Përparimet në teknologji (si vaksinat mARN) që po zhvilloheshin ndër vite
- Qeveritë dhe organet e tjerë u bashkuan për të hequr pengesën e financimit të kërkimit dhe zhvillimit
Disa lloje të vaksinave kundër COVID-19 janë zhvilluar ose janë në zhvillim e sipër, ku përfshihen:
- Vaksinat e virusit të çaktivizuar ose të dobësuar, të cilat përdorin një formë të virusit që është çaktivizuar ose dobësuar në mënyrë që të mos shkaktojë sëmundje, por akoma gjeneron një përgjigje imune.
- Vaksinat që kanë si bazë proteina, të cilat përdorin fragmente të padëmshme proteinash ose predha proteinash që imitojnë virusin COVID-19 për të gjeneruar në mënyrë të sigurt një përgjigje imune.
- Vaksinat vektoriale virale, të cilat përdorin një virus të padëmshëm që bart proteinat e koronavirusit për të gjeneruar në mënyrë të sigurt një përgjigje imune.
- Vaksinat e acidit nukleik (mARN) përdorin ARN gjenetikisht të modifikuar për të gjeneruar një proteinë që vetë në mënyrë të sigurt shkakton përgjigje imune.
Jo. Asnjë nga vaksinat aktuale nuk përmban virusin e gjallë që shkakton COVID-19. Kjo do të thotë se një vaksinë nuk mund të na sëmurë me COVID-19. Simptomat e lehta që raportojnë personat e vaksinuar (dhimbje, skuqje e lëkurës në vendin e injektimit, dhimbje koke dhe temperaturë) janë vetëm prova që sistemi juaj imunitar është aktivizuar.
Vaksinat janë zhvilluar për t’u dhënë imunitet, duke shmangur rreziqet e marrjes së sëmundjes. Nuk shfaqet tek të gjithë, por është e zakonshme të përjetoni disa efekte anësore të lehta deri në mesatare që largohen vetë brenda disa ditësh.
Disa nga efektet anësore të lehta deri në mesatare që mund t’i përjetoni pas vaksinimit përfshijnë:
- Dhimbje krahu në vendin e injektimit
- Ethe të lehta
- Lodhje
- Dhimbje koke
- Dhimbje muskujsh ose kyçesh
- Të dridhura
- Diarre
Mund të rregulloni çdo efekt anësor duke pushuar, duke qëndruar të hidratuar dhe duke marrë medikamente për qetësimin e dhimbjes dhe temperaturës, nëse është e nevojshme.
Nëse ndonjë simptomë vazhdon për më shumë se disa ditë, atëherë kontaktoni mjekun tuaj amë për këshillë. Efektet anësore më serioze janë jashtëzakonisht të rralla, por nëse përjetoni një reagim më të rëndë, menjëherë kontaktoni ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor.
Nëse keni pyetje në lidhje me atë nëse duhet të merrni një vaksinë kundër COVID-19, flisni me mjekun tuaj amë. Për momentin, njerëzit me kushtet e mëposhtme shëndetësore nuk duhet të marrin vaksinë kundër COVID-19 për të shmangur çdo efekt të mundshëm negativ:
- Nëse keni histori të reagimeve të rënda alergjike ndaj ndonjë përbërësi të vaksinës kundër COVID-19.
- Nëse jeni aktualisht i/e sëmurë ose po përjetoni simptoma të COVID-19 (megjithëse mund të vaksinoheni pas shërimit dhe sipas rekomandimeve të autoriteteve kombëtare).
Vaksinat kundër COVID-19 mund t'u administrohen njerëzve me gjendje shëndetësore kronike, me kusht që të mos kenë pasur reagim alergjik të rëndë ose të menjëhershëm ndaj ndonjërit prej përbërësve të vaksinës. Rekomandohet fuqishëm si prioritet për personat me sëmundje me komorbiditete, si sëmundjet kronike të frymëmarrjes, sëmundjet kronike kardiovaskulare, mbipesha dhe diabeti, dhe të gjitha këto janë identifikuar se e rrisin rrezikun nga sëmundja e rëndë me COVID-19 dhe nga shtrimi në spital.
Për shumicën e vaksinave nevojitet më shumë se vetëm një dozë. Nëse rekomandohet një dozë e dytë (ose më shumë), kjo është për të rritur sistemin imunitar për mbrojtje optimale dhe më të gjatë. Është gjithmonë më së miri që të gjitha dozat e rekomanduara të merren në kohën e rekomanduar. Nëse administrimi i dozës së dytë vonohet pa dashje, ajo duhet të jepet sa më shpejt që të jetë e mundur pas kësaj, siç është përcaktuar me udhëzimet e prodhuesit.
Dozat përforcuese janë të rëndësishme përfshirë dhe në kontekstin e Omikron, veçanërisht për njerëzit me rrezik të lartë nga sëmundja e rëndë, siç janë të moshuarit ose njerëzit me faktorë rreziku të sëmundjeve kronike, si dhe punonjësit e shëndetësisë.
Është e rëndësishme që të vaksinoheni sapo të vijë radha juaj, edhe nëse tanimë keni kaluar COVID-19. Vaksinat ofrojnë mbrojtje më të besueshme se imuniteti natyror. Vaksinimi është një mënyrë më e sigurt që ju të zhvilloni imunitet ndaj COVID-19 sesa të infektoheni.
OBSH raporton se personat e pavaksinuar janë në rrezik të paktën 10 herë më të madh për vdekje nga COVID-19, sesa dikush që është vaksinuar. Ekzistojnë edhe prova që dëshmojnë se vaksinimi mund t'ju ndihmojë të parandaloni përhapjen e virusit, kështu që mbron njerëzit rreth jush. Vaksinat kundër COVID-19 janë shumë efektive, por asnjë vaksinë nuk ofron mbrojtje absolute. Disa njerëz akoma do të sëmuren nga COVID-19 pas vaksinimit ose do ta kalojnë virusin te dikush tjetër. Prandaj, është me rëndësi të vazhdoni të praktikoni masat paraprake të sigurisë për të mbrojtur veten dhe të tjerët, duke përfshirë shmangien e hapësirave me shumë njerëz, distancimin fizik, larjen e duarve dhe mbajtjen e maskës.
Vaksinat kundër COVID-19 janë shumë efektive kundër sëmundjes serioze dhe vdekjes, vetëm se, asnjë vaksinë nuk është 100% efektive. Një numër i caktuar njerëzish të vaksinuar mund të infektohen me COVID-19, i cili quhet infeksion pas vaksinimit. Në raste të tilla, njerëzit kanë shumë më shumë gjasa të kenë simptoma më të lehta. Mbrojtja e tyre kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes mbetet të jetë e fuqishme.
Akoma po zhvillohen kërkime për të përcaktuar se për sa kohë vaksinat kundër COVID-19 sigurojnë mbrojtje. Sipas OBSH, shumica e njerëzve kanë mbrojtje të fuqishme kundër sëmundjeve serioze dhe vdekjes për të paktën gjashtë muaj. Ky imunitet mund të zvogëlohet më shpejt për disa njerëz, duke përfshirë grupmoshat më të vjetra dhe ata në gjendje të sëmundjeve kronike. Kjo është arsyeja pse rekomandohen dozat përforcuese.
Në rrjedh e sipër është hulumtimi mbi ndikimin e mundshëm të variantit Omikron në efikasitetin e vaksinave KOVID-19. Informacionet janë ende të kufizuar, por mund të ketë një rënie në efektivitetin e vaksinave kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, si dhe një rënie në parandalimin e sëmundjeve dhe infeksioneve të lehta. Megjithatë sipas informacioneve të deritanishme të OBSH-së, vaksinat e disponueshme duket se ofrojnë mbrojtje të konsiderueshme kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes.
Është e rëndësishme që të vaksinoheni për ta mbrojtur veten nga variantet e tjera që janë të pranishme. Rivaksinimi me dozë përforcuese është veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit me rrezik të lartë të sëmundjeve të rënda, si p.sh. të moshuarit ose njerëzit në rrezik për sëmundje kronike, si dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor.
Jo. Madje as vaksinat e quajtura vaksina mARN në asnjë mënyrë nuk ndryshojnë ose bashkëveprojnë me ADN-në tuaj. Vaksinat mARN i udhëzojnë qelizat tona se si të krijojnë një proteinë që shkakton përgjigje imunologjike dhe pastaj kjo menjëherë tretet. Kjo ndërton imunitet kundër virusit që shkakton COVID-19. MARN (d.m.th., udhëzimet) nga vaksina nuk hyjnë kurrë në bërthamën e qelizës, e cila është vendi ku ruhet ADN-ja jonë.
Një numër në rritje i vaksinave tani janë duke u miratuar për përdorim tek fëmijët, kështu që është e rëndësishme të qëndroni të informuar për udhëzimet nga autoritetet shëndetësore lokale dhe kombëtare.
Të dyja vaksinat Moderna dhe Pfizer janë miratuar nga OBSH për përdorim te fëmijët 12 vjeç e lart. Po zhvillohen studime të efikasitetit dhe sigurisë së vaksinës tek fëmijët nën 12 vjeç dhe ne do ta bëjmë një përditësim kur të ketë më shumë informacione në dispozicion.
Në këtë kohë, OBSH rekomandon që vendet duhet të vaksinojnë fëmijët vetëm kur mbulimi i lartë i vaksinës me dy doza është arritur te grupet përfituese me prioritet më të lartë. Fëmijët dhe adoleshentët priren të kenë sëmundje më të lehtë në krahasim me të rriturit, kështu që nëse nuk bëjnë pjesë në një grup me rrezik më të lartë nga COVID-19 të rëndë, është më pak urgjent vaksinimi i tyre sesa të moshuarit, ata me gjendje kronike shëndetësore dhe punonjësit e shëndetësisë.
Rikujtoni fëmijët tuaj për rëndësinë që ne të gjithë të marrim masa paraprake për të mbrojtur njëri-tjetrin, si shmangia e hapësirave përplot me njerëz, distancimi fizik, larja e duarve dhe mbajtja e maskës. Është e rëndësishme që fëmijët të vazhdojnë të marrin imunizimin rutinë. Lexoni në lidhje me si ta bëjmë këtë në mënyrë të sigurt.
Lajmet mbi vaksinat kundër COVID-19 po vërshojnë jetën tonë të përditshme dhe është e natyrshme që mendjet e reja kureshtare të kenë pyetje – shumë pyetje. Lexoni artikullin tonë shpjegues për ndihmë në shpjegimin se çfarë mund të paraqesë një temë e ndërlikuar, në mënyrë të thjeshtë dhe qetësuese.
Po, nëse jeni duke ushqyer fëmijën tuaj me gji, duhet ta merrni vaksinën sa më shpejt që të bëhet e disponueshme për ju. Është shumë e sigurt dhe nuk ka asnjë rrezik për nënën apo fëmijën. Asnjë nga vaksinat aktuale kundër COVID-19 nuk ka virus të gjallë në to, kështu që nuk ka rrezik që ju t'ia transmetoni COVID-19 foshnjës tuaj nëpërmjet qumështit të gjirit nga vaksina. Në fakt, antitrupat që keni pas vaksinimit mund të kapërcejnë nëpër qumështin e gjirit dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e foshnjës suaj.
>>Lexoni: Gjidhënia e sigurt gjatë pandemisë COVID-19
Po, ju mund të vaksinoheni në qoftë se jeni shtatzënë. Shtatzënia ju vë në rrezik më të lartë nga sëmundjet e rënda në krahasim me personat që nuk janë shtatzënë. Megjithëse ka më pak të dhëna të disponueshme, provat mbi sigurinë e vaksinave kundër COVID-19 gjatë shtatzënisë janë në rritje dhe nuk janë identifikuar shqetësime për sigurinë. Për më shumë informacione rreth vaksinimit kundër COVID-19 gjatë shtatzënisë, flisni me ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor.
>>Lexoni: Të drejtuarit e shtatzënisë përgjatë pandemisë COVID-19
Disa gra kanë raportuar se kanë përjetuar ndërprerje të ciklit të tyre menstrual pasi janë vaksinuar kundër COVID-19. Megjithëse të dhënat janë ende të kufizuara, kërkimet janë duke vazhduar për ndikimin e vaksinave në ciklet menstruale. Flisni me ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor nëse keni shqetësime ose pyetje në lidhje me periodat tuaja.
Vaksinat e sigurta dhe efektive janë një ndryshues loje, por edhe pasi të vaksinohemi duhet tani për tani të vazhdojmë të marrim masa paraprake për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni është të zvogëloni rrezikun e ekspozimit ndaj virusit. Për ta mbrojtur veten dhe të dashurit tuaj, sigurohuni që të:
- Mbani maskë
- Mbani distancën fizike nga të tjerët në zonat publike
- Shmangni hapësirat dobët të ajrosura, ose ku janë plotë njerëz
- Hapni dritaret për të përmirësuar ventilimin brenda
- Rregullisht lani duart me sapun dhe ujë
- Nëse ju ose një anëtar i familjes keni ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, kërkoni herët përkujdesje mjekësore
>>Lexoni për sëmundjen e koronavirusit (COVID-19): Çka duhet të dinë prindërit
Keqinformimi është një nga sfidat më të mëdha në luftimin e COVID-19. Njohja e fakteve është gjëja kryesore për të qenë të përgatitur siç duhet dhe për të mbrojtur veten dhe të dashurit tuaj. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme t'u referoheni vetëm burimeve të besueshme kur kërkoni informacione dhe këshilla.
Zhvillimi i vaksinave të sigurta dhe efektive kundër COVID-19 është një hap i madh përpara në përpjekjet tona globale për t’i dhënë fund pandemisë. Janë këto lajme emocionuese, por ka ende disa njerëz që janë skeptikë ose në mëdyshje në lidhje me vaksinat kundër COVID-19. Ka gjasa që ju të njihni një person që bën pjesë në këtë kategori.
Biseduam me Dr. Saad Omer, Drejtor në Institutin Jejll (Yale) për Shëndetin Global, për të marrë këshillat e tij se si t’i drejtoni këto biseda sfiduese.