Monitorimi i të drejtave të fëmijëve

Çdo fëmijë është i rëndësishëm. Të dhënat na ndihmojnë të sigurohemi që asnjë fëmijë të mos mbetet pas.

A girl looks through a rolled paper
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2017

Të dhënat janë më shumë sesa numra - ato janë baza për ta kuptuar jetën e fëmijëve, për të identifikuar se kush lihet pas dore dhe për të siguruar që të drejtat e çdo fëmije të respektohen, mbrohen dhe të përmbushen.

Në Maqedoninë e Veriut, progresi për fëmijët është i dukshëm. Megjithatë, pa sisteme të forta për ta ndjekur atë dhe për të identifikuar mangësitë që ende ekzistojnë, shumë fëmijë rrezikojnë të mbeten të padukshëm.

Sfida

Kur fëmijët mbeten pas – për shkak të vendit ku jetojnë, për shkak të identitetit të tyre ose për shkak të rrethanave në të cilat kanë lindur – pasojat mund të zgjasin gjithë jetën.

Për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijëve në mënyrë efektive, politikat duhet të bazohen në prova. Megjithatë, pavarësisht përmirësimeve, të dhënat për fëmijët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jenë të fragmentuara, jo të plota dhe dhe shpesh të papërdorura mjaftueshëm gjatë vendimmarrjes.

Informacione të rëndësishme ekzistojnë në të gjithë sektorët - arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale dhe gjyqësi - por ato nuk janë të ndërlidhura në mënyrë të vazhdueshme, nuk janë gjithmonë të qasshme dhe nuk përdoren mjaftueshëm në hartimin e politikave dhe investimeve. Kjo mund të çojë në vendime që nuk pasqyrojnë nevojat reale të fëmijëve dhe në shpërndarje të burimeve që nuk arrijnë te ata që kanë më së shumti nevojë.

Disa nga fëmijët më të cenueshëm mbeten më pak të dukshëm. Të dhënat e pamjaftueshme – veçanërisht për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë dhe ata që jetojnë në varfëri – kufizojnë të kuptuarit e nevojave të tyre dhe zvogëlojnë efektivitetin e përgjigjes institucionale.

Kur problemet nuk maten, ato ngelin pa u vënë re – andaj fëmijët që nuk janë të dukshëm në suaza të të dhënave, rrezikojnë të përjashtohen nga politikat, shërbimet dhe sistemet e mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, kompleksiteti në rritje i jetës së fëmijëve - nga rreziqet digjitale te sfidat mjedisore - kërkon sisteme të dhënash më të forta dhe më të integruara që mund t’i kapin realitetet në zhvillim dhe të bëhen burim informimi për përgjigje me kohë.

Pa sisteme më të forta monitorimi, bëhet e vështirë të: gjurmohet progresi, të identifikohen pabarazitë dhe të mbahen sistemet përgjegjëse për ofrimin e rezultateve për fëmijët.

Në këtë kontekst, përmirësimi i mënyrës se si gjenerohen, ndahen dhe përdoren të dhënat nuk është më një zgjedhje – por një domosdoshmëri.

Zgjidhja

Forcimi i monitorimit të të drejtave të fëmijëve do të thotë ndërtimi i sistemeve që e bëjnë çdo fëmijë të dukshëm dhe sigurojnë që vendimet të jenë të bazuara në prova.

UNICEF-i punon me partnerët për të mbështetur sisteme të dhënash të forta, të integruara dhe të përshtatura për nevojat e fëmijëve, të cilat çojnë drejt politikave më të mira, investimeve më të mira dhe rezultateve më të mira për fëmijët.

Kjo fillon me përmirësimin e disponueshmërisë dhe cilësisë së të dhënave, duke përfshirë forcimin e sistemeve statistikore nacionale, zgjerimin e përdorimit të të dhënave administrative dhe sigurimin që informacionet të jenë të besueshme, të krahasueshme dhe të azhurnuara.

Po aq e rëndësishme është është që të dhënat të jenë më gjithëpërfshirëse. Përmes ndarjes më të detajuar të të dhënave – sipas moshës, gjinisë, vendbanimit, aftësisë së kufizuar dhe statusit socio-ekonomik – sistemet mund të identifikojnë më mirë pabarazitë dhe të sigurojnë që fëmijët më të cenueshëm të mos neglizhohen.

UNICEF-i gjithashtu mbështet koordinim më të fortë ndërmjet institucioneve. Grumbullimi i të dhënave nga sektorë të ndryshëm ndihmon në ndërtimin e një pamjeje më të plotë të jetës së fëmijëve dhe mundëson përgjigje më të koordinuara.

Në të njëjtën kohë, ka një fokus të fortë në përdorimin - jo vetëm në prodhimin - e të dhënave. Forcimi i kapacitetit të institucioneve për t’i analizuar, interpretuar dhe zbatuar të dhënat siguron që provat t’i informojnë politikat, programet dhe buxhetet.

Sistemet e monitorimit janë gjithashtu në përputhje me kornizat globale, duke përfshirë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, duke siguruar që progresi për fëmijët të gjurmohet në mënyrë të vazhdueshme dhe transparente.

Së fundi, UNICEF-i mbështet qasje më të madhe në të dhëna – përmes publikimeve dhe platformave publike digjitale – në mënyrë që hartuesit e politikave, partnerët dhe komunitetet t’i përdorin provat për të nxitur ndryshime.

Që çdo fëmijë të ketë rëndësi

Kur funksionojnë sistemet e të dhënave, fëmijët bëhen të dukshëm.

Nevojat e tyre kuptohen. Të drejtat e tyre njihen. Ndërsa sistemet mbahen përgjegjëse për t’i përmbushur ato.

Duke forcuar monitorimin e të drejtave të fëmijëve, Maqedonia e Veriut mund të sigurojë që asnjë fëmijë të mos mbetet i padukshëm, që pabarazitë të identifikohen dhe të adresohen, dhe që përparimi për fëmijët të jetë i matshëm dhe i qëndrueshëm.

Sepse ajo që matet mund të ndryshohet, dhe çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i dukshëm.