Mbrojtje sociale

Çdo fëmijë meriton një shans të barabartë në jetë

Three boys walking.
UNICEF North Macedonia/ Georgiev / 2019

E ardhmja e një fëmije nuk duhet të përcaktohet kurrë nga rrethanat në të cilat ka lindur.

Mbrojtja sociale është një nga mënyrat më të fuqishme për të siguruar që çdo fëmijë – veçanërisht ata më të cenueshmit – të ketë gjithçka që i nevojitet për të mbijetuar, për të mësuar dhe për të përparuar.

Në Maqedoninë e Veriut është arritur progres. Megjithatë, shumë fëmijë ende rriten pa mbështetjen që u nevojitet.

Sfida

Varfëria e fëmijëve mbetet një nga sfidat më urgjente me të cilat përballen fëmijët në Maqedoninë e Veriut. Njëkohësisht varfëria është edhe e përhapur edhe thellësisht e pabarabartë.

Sot, 29,5% e fëmijëve jetojnë nën kufirin kombëtar të varfërisë. Më të prekurit janë fëmijët në familje të mëdha, familjet me një prind dhe familjet rome. Pothuajse çdo familje e dytë e tillë jeton në varfëri. Kjo do të thotë se për shumë fëmijë, kushtet bazë të nevojshme për rritje dhe zhvillim thjesht nuk ekzistojnë.

Por varfëria nuk është vetëm çështje të ardhurash. Ajo është gjithashtu çështje mundësish. 38% e fëmijëve jetojnë në varfëri shumëdimensionale, duke u përballur me privime të shumta që ndikojnë në shëndetin, të nxënit, sigurinë dhe zhvillimin e tyre të përgjithshëm.

Pavarësisht ekzistencës së sistemeve të mbrojtjes sociale, shumë familje nuk marrin mbështetje. Vetëm 19% e familjeve me fëmijë marrin shtesa për fëmijë dhe familje, krahasuar me 88% në Bashkimin Evropian, duke lënë shumë familje pa mbështetjen financiare bazë pikërisht kur kanë më së shumti nevojë.

Këto boshllëqe thellohen më tej nga pabarazitë e vazhdueshme. Pabarazitë etnike, gjeografike dhe socio-ekonomike vazhdojnë ta kufizojnë qasjen në kujdesin shëndetësor, edukimin në fëmijëri të hershme dhe shërbimet sociale, duke përforcuar ciklet e përjashtimit që në moshë të re.

Njëkohësisht, vetë sistemi përballet me kufizime. Shpenzimet publike për mbrojtjen sociale mbeten nën mesataret e BE-së, duke dobësuar potencialin e sistemit për të arritur qasje dhe për t’i mbështetur në mënyrë efektive familjet më të cenueshme.

Rezultati është një sistem që ende nuk i mbron plotësisht fëmijët nga varfëria dhe ku disavantazhi transmetohet nga një brez te tjetri.

Zgjidhja

Ndërprerja e ciklit të varfërisë së fëmijëve kërkon më shumë sesa mbështetje afatshkurtër. Nevojiten sisteme të forta, gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj fëmijëve të mbrojtjes sociale, të cilat punojnë së bashku për të mbështetur familjet dhe për të mbrojtur fëmijët në çdo fazë të jetës së tyre.

UNICEF-i bashkëpunon me Qeverinë dhe partnerët për të forcuar sistemet e mbrojtjes sociale, në mënyrë që ato të jenë më efikase, më të barabarta dhe më të përgjegjshme ndaj nevojave të fëmijëve.

Kjo përfshin zgjerimin e përfitimeve sociale të ndjeshme ndaj gjinisë, të cilat reflektojnë më mirë realitetin me të cilin përballen familjet, duke siguruar që mbështetja të jetë e mjaftueshme, e parashikueshme dhe të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë për të.

Kjo nënkupton gjithashtu të shkohet përtej ndihmës financiare. UNICEF-i mbështet zhvillimin e paketave shumësektoriale të shërbimeve, ku mbështetja financiare lidhet me qasjen në shërbimet shëndetësore, arsimore, ushqyese dhe të mbrojtjes së fëmijëve. Kjo qasje e integruar jo vetëm që ofron mbështetje financiare për familjet, por i lidh ato edhe me shërbimet që u mundësojnë fëmijëve të përparojnë.

Reformat fokusohen në krijimin e sistemeve më gjithëpërfshirëse që arrijnë tek fëmijët me rrezikun më të lartë të përjashtimit, duke siguruar që varfëria, aftësia e kufizuar apo diskriminimi të mos kufizojnë qasjen në mbështetje.

Një pjesë thelbësore e kësaj pune është harmonizimi i përpjekjeve kombëtare me Garancinë Evropiane për Fëmijët (European Child Guarantee), duke ndihmuar që fëmijët në rrezik nga varfëria dhe përjashtimi të kenë qasje në shërbime themelore – nga arsimi në fëmijërinë e hershme deri te kujdesi shëndetësor, ushqimi dhe kushtet e përshtatshme të jetesës.

Duke forcuar politikat, përmirësuar koordinimin dhe orientuar më mirë mbështetjen, mbrojtja sociale mund të bëhet një motor i fuqishëm i barazisë dhe mundësive për të gjithë fëmijët.

Fundi i varfërisë fillon me zhdukjen e varfërisë së fëmijëve

Kur mbrojtja sociale funksionon, jeta e fëmijëve ndryshon.

Familjet fuqizohen më shumë për t’u kujdesur për fëmijët e tyre. Fëmijët janë më të shëndetshëm, qëndrojnë në shkollë dhe mbrohen nga dëmet dhe rreziqet. Hapën mundësi të reja – jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

Duke investuar në sisteme më të forta dhe më gjithëpërfshirëse të mbrojtjes sociale, Maqedonia e Veriut mund të sigurojë që asnjë fëmijë të mos rritet në varfëri, asnjë familje të mos mbetet pa mbështetje dhe çdo fëmijë të ketë një mundësi të drejtë në jetë.

Sepse zhdukja e varfërisë së fëmijëve jo vetëm që është e mundur; ajo është thelbësore për të ardhmen e vendit.