Enti Shtetëror i Statistikës dhe UNICEF-i do ta forcojnë bazën e të dhënave për fëmijët dhe gratë në Maqedoninë e Veriut
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 9 prill 2026 –Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) dhe UNICEF-i kanë nënshkruar një Memorandum mirëkuptimi, duke nisur zyrtarisht përgatitjet për ciklin e ri të Hulumtimit në klasterë me më shumë indikatorë (MICS) 2027 në Maqedoninë e Veriut. Ky partneritet riafirmon angazhimin e përbashkët për forcimin e hartimit të politikave publike të bazuara në prova për fëmijët dhe gratë.
Hulumtimi mbi gjendjen e fëmijëve dhe grave është një ndër gjithëpërfshirësit në botë dhe ofron të dhëna me cilësi të lartë, të krahasueshme ndërkombëtarisht dhe të ndara (gjegjësisht të dhëna të ndara sipas karakteristikave kryesore si gjinia, mosha, vendi i banimit dhe statusi social) në fusha kyçe si shëndeti, të ushqyerit, arsimi, zhvillimi në fëmijëri të hershme, mbrojtja e fëmijëve, aftësia e kufizuar, barazia gjinore dhe kushtet e jetesës. Duke plotësuar boshllëqet e të dhënave, të cilat nuk mund t’i përfshijnë plotësisht burimet administrative, ky hulumtim kontribuon në hartimin e politikave më të informuara dhe në një shpërndarje më të drejtë të burimeve për fëmijët dhe familjet.
“Ne, përmes këtij bashkëpunimi me UNICEF-in, i forcojmë kapacitetet tona nacionale për të realizuar anketa në shkallë të gjerë nëpër amvisëri dhe mundësojmë që vendimmarrësit të kenë qasje në të dhëna cilësore”, tha Dejan Stankov, drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave. “MICS 2027 do të ofrojë njohuri të rëndësishme mbi kushtet e jetesës së fëmijëve dhe grave dhe do të kontribuojë në politika publike më të informuara”, shtoi ai.
Për më shumë se dy dekada, të dhënat e MICS-së kanë qenë burim kyç provash për të kuptuar kushtet me të cilat përballen fëmijët dhe gratë në Maqedoninë e Veriut. Një nga vlerat e tyre më të mëdha është aftësia për të ofruar një ndarje të detajuar, duke përfshirë një grup gjithëpërfshirës të dhënash mbi gjendjen e fëmijëve dhe grave në vendbanimet rome. Këto anketa kanë ndihmuar në vënien në pah të pabarazive dhe kanë mundësuar krijimin e politikave dhe programeve më të synuara dhe më efektive.
“Secili fëmijë ka rëndësi dhe secili duhet të evidentohet”, tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it. “Të dhënat e besueshme dhe të ndara janë thelbësore për të kuptuar se si jetojnë realisht fëmijët dhe gratë sot dhe ku ekzistojnë pabarazitë. MICS7 do të ofrojë prova të përditësuara dhe të besueshme për ta monitoruar progresin dhe për të hartuar ndërhyrje të synuara, veçanërisht për fëmijët që janë në rrezik për t’u lënë pas.”
Hulumtimi do të realizohet nën udhëheqjen e Entit Shtetëror të Statistikës, me mbështetje teknike nga UNICEF-i, në përputhje me standardet globale për sigurimin e cilësisë së të dhënave, parimeve etike dhe krahasueshmërisë ndërkombëtare.
Për më shumë informacione:
Entit Shtetëror të Statistikës: Kirill Angellov | Tel. (02)-3295-642 |[email protected]
UNICEF: Suzi Papas-Çapovska | Tel. (02)-3231-244 | [email protected] ose Simona Mirkoska | Tel. (02)-3231-172 | [email protected]
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.