Arsimi gjithëpërfshirës është çështje e së drejtës, nuk është punë fati

Ne biseduam me Hristinën, nënë e një fëmije me autizëm, mbi përvojën e saj me arsimin gjithëpërfshirës

A mother of a child with disabilities sits in her daughters classroom
UNICEF North Macedonia / Klincharov / 2024
Hristina është nënë e një fëmije me autizëm, që aktualisht e ndjek një program të modifikuar arsimor në një shkollë fillore të rregullt. Ajo e shpalos përvojën e saj me vlerësimin funksional, qendrat burimore dhe mbështetjen në mësim, duke theksuar ndikimin e bashkëpunimit midis prindërve dhe mësuesve dhe atë sesi imazhet vizuale në klasën e vajzës së saj e kanë ndihmuar shumë fëmijën që të mësojë dhe të shprehet. Hristina është e vetëdijshme se duhet bërë shumë më tepër, mirëpo e mirëpret progresin e prezantuar me Ligjin për arsimin fillor të vitit 2019. Ajo ofron njohuri të vlefshme mbi sfidat dhe sukseset e arsimit gjithëpërfshirës nga këndvështrimi i prindërve. Shikoni për të mësuar më shumë.
Embedded video follows
UNICEF North Macedonia / Klincharov / 2024

Pika kryesore për ndryshim: Ligji mbi arsimin fillor

Mendoj se Ligji mbi gjithëpërfshirjen është një pikënisje e mirë për shumë ndryshime, ndërgjegjësim dhe inicim të progresit. Në këtë mënyrë, fëmijët mund të funksionojnë dhe të gëzojnë arsim cilësor. Gjegjësisht, do të mund të bëhen qytetarë si gjithë të tjerët, me të njëjtat të drejta.

Pranimi kundrejt mundësive të barabarta

Kuptohet, ne si prindër, gjithmonë do të kemi frikë për fëmijët tanë? Çfarë do të ndodhë me ta më vonë? E di që shumica e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara i ndajnë të njëjtat mendime. Megjithatë, i nxis që të mos dekurajohen nga sistemi, cilido qoftë ai. Iu bëj thirrje që të mos e frenojnë instinktin e tyre prindëror. Ata nuk duhet gjithmonë të kërkojnë të pranohen; ata duhet ta dinë se janë si gjithë të tjerët dhe se i gëzojnë të njëjtat të drejta. Fëmija im duhet të ketë arsim cilësor si çdo fëmijë tjetër.

Mbështetje e vlefshme - asistentët arsimor

Ajo ishte shtatë vjeçe, kur iu caktua një asistente, tash kanë kaluar katër vite që kur janë bashkë. Çdo vit na kërkohej ta jepnim një mendim për punën e asistentes dhe nëse do të donim që ajo të vazhdonte të punonte me fëmijën tonë. Me rivlerësimin nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionaliteteve (KNF), jepet opinioni përfundimtar nëse ka ende nevojë për asistent apo jo.

 

Vlerësimi i barrierave dhe fokusimi te aftësitë

Është mirë që u hap Qendra e Vlerësimit Funksional. KNF-ja është vegël e mirë sepse të mundëson të marrësh çdo vendim. Qoftë nëse fëmija ka nevojë për një asistent, për orë shtesë në shkollë me një edukator tjetër special, për mësues të edukimit special ose për një terapist të të folurit. Për shembull, a ka nevojë fëmija për mbështetje vizuale, teknologji ndihmëse. Pra, ne i shikojmë nevojat e fëmijës, në mënyrë që ai/ajo të ndjek arsim cilësor dhe të jetë në gjendje të përparojë. 

 

Qendrat Burimore: Shkollat ​​ndërlidhëse dhe edukimi i specializuar

Tani më me anë të ligjit mbi gjithëpërfshirjen shkollat ​​speciale janë shndërruar në qendra burimore. Qendrat burimore janë udhëzues të asistentëve arsimorë. Po ashtu, secili asistent arsimor e ka nga një mentor. Ata i mbështesin ata me materiale, me ushtrime didaktike dhe këshilla se si të trajtojnë situata të ndryshme.

Fuqia e Bashkëpunimit Prindër-Mësues

Duhet të ekzistojë bashkëpunimi prindër-mësues, në mënyrë që fëmija të mund të zhvillohet më tej. Tani fëmija im është në klasën e katërt dhe ajo tashmë e ka një rutinë më të mirë. Të folurit e saj është pak më i zhvilluar. Ne kemi nevojë edhe për teknologji ndihmëse, sepse ajo paraqet mbështetje joverbale, e cila do të na ndihmonte shumë nëse do të ofrohej në shkollë. Klasa është e pajisur plotësisht me imazhe vizuale për ta bërë më të lehtë funksionimin e vajzës.

 

Investimi në përfshirje, investimi në burime.

Në praktikë për të qenë përfshirja funksionale, duhet të ketë investime në shkolla, duke filluar nga asistentët edukativo-arsimore, pajisjet, kushtet në shkolla dhe ambientet përkatëse. Gjithsesi këtu bëjnë pjesë edhe përvetësimi i njohurive, trajnimet dhe materialet mësimore.

Të drejta e jo fat

Unë gjithmonë qeshem sepse, kur flasim me disa prindër të tjerë që janë në të njëjtën situatë si unë, ata vazhdimisht thonë: “Eh, ke pasur fat”. Për mua është ndjenjë kënaqësie e ngjyrosur me trishtim, sepse ne nuk duhet ta shohim atë si fat. A më ka ndodhur vetëm mua? A mos fitova vallë loto? Jo. Unë e shoh këtë si një të drejtë. Ju e gëzoni të njëjtën të drejtë. Andaj ju duhet t’i dispononi të njëjtat gjëra, nëse fëmija juaj ka nevojë për to.

 


 

E drejta për arsim është e drejtë fundamentale e njeriut, e garantuar për secilin fëmijë, nëpërmjet një sërë instrumentesh ndërkombëtare ligjërisht të detyrueshme, duke përfshirë Konventën për të Drejtat e Fëmijës (KDF) dhe Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KDPAK). E drejta për arsim gjithëpërfshirës vlen për çdo fëmijë, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara. Një sistem arsimor gjithëpërfshirës paraqet vatër për të gjithë nxënësit, pavarësisht aftësive apo kërkesave të tyre, në të gjitha nivelet – parashkollor, fillor, të mesëm, terciar, profesional dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës. Kjo do të thotë që fëmijët të mësojnë së bashku në të njëjtat klasa dhe në të njëjtat shkolla. Sistemet gjithëpërfshirëse vlerësojnë kontributet unike, që nxënësit e të gjitha sfondeve i sjellin në klasë dhe lejojnë grupe të ndryshme të rriten krah për krah, në dobi të të gjithëve.