3 mënyra argëtuese për ta praktikuar zgjidhjen e problemeve
Luani dhe mësoni së bashku në shtëpi.
- English
- Македонски
- Shqip
Mundësitë për të mësuar hasen në çdo cep – madje edhe në shtëpinë tuaj. Të luash së bashku është mënyrë e shkëlqyer për të zbuluar gjëra të reja dhe për të ndërtuar aftësi kryesore. Miqtë tanë në Fondacionin LEGO e nisën një PLAYLIST – një koleksion aktivitetesh argëtuese mësimore për familjet – andaj kemi kënaqësinë t’i ndajmë disa prej tyre me ju. Provoni që vogëlushi juaj të punojë në zgjidhjen e problemeve. Kujt ia ka marrë mendja se mësimi mund të jetë kaq shumë argëtues?!
Rrugë me libra
Ndërtoni një rrugë ...me libra nëpër shtëpinë tuaj! Ky aktivitet argëtues do t’i zhvillojë aftësitë motorike, krijuese dhe të zgjidhjes së problemeve.
Do t'ju nevojiten: Sa më shumë libra që mund të gjeni. Një makinë lodër, ose ndoshta një top. Pse të mos e ndërtoni një makinë, duke përdorur tulla të LEGO-s?
1. Filloni të vendosni letra në dysheme për ta ndërtuar një rrugë nëpër shtëpinë tuaj.
2. Librat me kopertina të forta janë të shkëlqyera për gjërat që duhet të qëndrojnë drejt. Ndoshta ju mund t'i përdorni ato për ndërtimin e tuneleve dhe urave.
3. Lërini librat ta drejtojnë imagjinatën tuaj! Ndërtoni një shtëpi me çati dhe shtoni një kodër ose një rrethrrotullim.
4. Është bota juaj, andaj bëhuni kreativ!
Era
Eksploroni dhe ngjyrosni duke përdorur fuqinë e erës. Kjo lojë e energjisë së erës është një aktivitet i shkëlqyeshëm për të kuptuar lëvizjen dhe hapësirën përmes aftësive shqisore.
Do t'ju nevojiten: tulla LEGO, gjethe të thara, copa të kartonëve dhe letra, gypa (ose kashtë) të madhësive të ndryshme, bojë dhe gurë ose objekte të tjera të vogla.
1. Së pari, le të mendojmë dhe flasim për erën përpara se të përdorim fuqinë e saj. A mund ta shohësh? A mund ta shijosh atë? Si ndihesh në flokët tënde, apo në lëkurën tënde?
2. Merrni një copë letre ose një gjethe, mbyllni sytë dhe fryni duke përdorur fuqinë e erës.
3. Tani mund të shohim se si funksionon era në gjëra më të rënda. Provoni të fryni objekte më të rënda si tulla LEGO ose gurë për të parë se çfarë ndodh.
4. Tani është koha për ta bërë një gjurmë me erë. Është e lehtë! Thjesht përdorni një kashtë për të fryrë bojën nëpër letër. Ju madje mund të gjurmoni formën e objekteve duke fryrë bojën rreth tyre.
Aeroplanë letre
A mund ta ndërtoni një aeroplan që fluturon? Provoni këtë lojë argëtuese me aeroplan letre, e cila ju ndihmon të mësoni se si t’i zgjidhni problemet duke testuar idetë, ta praktikoni përqendrimin e vëmendjes dhe të përmirësoheni në trajtimin e frustrimeve. Ju mund ta bëni lojën me aeroplan letre edhe më të ndërlikuar duke shtuar pesha në aeroplanin tuaj.
Do t’ju duhet: Letër me madhësi, ngjyra dhe trashësi të ndryshme, gërshërë, stilolapsa dhe shirit ngjitës.
1. Secili lojtar e merr një copë letër. Mendoni se çfarë do ta bënte një aeroplan të mrekullueshëm. Mund ta diskutoni mes jush.
2. Qoftë individualisht ose në ekip, ndërtoni aeroplanin tuaj prej letre dhe përkujdesuni që ai të fluturojë.
3. Si e bëri atë? Provoni një dizajn tjetër dhe shikoni nëse shkon më tej.
4. Ju mund ta dekoroni avionin tuaj nëse dëshironi, apo edhe t'i jepni një emër.
5. Kur të gjithë të jenë të kënaqur me aeroplanin e tyre, atëherë bëni një garë. Avioni i kujt mund të fluturojë më larg? Cili aeroplan mund të bëjë marifetllëqe? Cili duket se është më i miri?
Për më shumë mënyra për të luajtur, vizitoni PLAYLIST nga miqtë tanë të Fondacionit LEGO.