Zero tolerancë ndaj abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve

Misioni i UNICEF-it, i Kryqit të Kuq dhe i organizatave të tjera është të mbështesin ushtrimin e të drejtave të fëmijëve në rrethana të ndryshme.

Nina Bošković
Djevojčica
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2018
10 Korrik 2020

PODGORICË, 10 korrik 2020 – Misioni i UNICEF-it, i Kryqit të Kuq dhe i organizatave të tjera është të mbështesin ushtrimin e të drejtave të fëmijëve në rrethana të ndryshme, si dhe t'i mbrojnë ata nga abuzimi seksual dhe shfrytëzimi, përfshirë situatat kur kryerësit e veprës janë punonjës humanitarë. Kjo ishte tema e trajnimit të realizuar nga Nela Krnic, Zyrtare e UNICEF-it të Malit të Zi për Mbrojtjen e Fëmijëve, një program i zbatuar në Mal të Zi, për punonjësit dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq në Mal të Zi.

"Respektimi i politikës së zero tolerancës ndaj abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve është detyrë e të gjithë punonjësve humanitarë, pavarësisht nëse ata janë të punësuar në sistemin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, apo në sektorët qeveritarë ose ata joqeveritarë. Ky trajnim synon të kontribuojë në parandalimin e dhunës si dhe në raportimin e çdo dyshimi për çfarëdo abuzimi, përfshirë abuzimin seksual dhe shfrytëzimin", tha Krniç.

Krahas institucioneve kompetente dhe autoriteteve gjyqësore në Malin e Zi, nëse ngrihet dyshimi tek ofruesit e punësuar nga UNICEF-i ose institucionet/organizatat e mbështetura nga UNICEF-i, raporti mund të dorëzohet drejtpërdrejt tek UNICEF-i – tek Nela Krnic, Zyrtare për Mbrojtjen e Fëmijëve (nkrnic@unicef.org); Jelena Raznatovic, Koordinatore e Burimeve Njerëzore (jraznatovic@unicef.org); Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi (jsantander@unicef.org); ose tek Selia e UNICEF-it në Nju-Jork (integrity@unicef.org).

Raportimi mund të bëhet në mënyrë anonime. Njësia e Auditimit të Brendshëm dhe e Hetimit e UNICEF-it do t'i koordinojë veprimet e saj me zyrën e vendit dhe autoritetet kompetente dhe do të vendosë se si të hetojë raste të tilla. Gjatë hetimit, të gjitha masat e mbështetjes do të vihen në dispozicion të viktimave: këshillimi psikologjik, kujdesi mjekësor, ndihma juridike falas, mbështetja materiale, etj.

Koordinatorja për Kryqin e Kuq të Malit të Zi, Snezana Radenovic, në trajnimin e organizuar në korrik me mbështetjen e UNICEF-it.
UNICEF Crna Gora
Koordinatorja për Kryqin e Kuq të Malit të Zi, Snezana Radenovic, në trajnimin e organizuar në korrik me mbështetjen e UNICEF-it.

Koordinatorja për Kryqin e Kuq të Malit të Zi, Snezana Radenovic, mendon se të gjithë punonjësit humanitarë duhet t’i nënshtrohen këtij lloji trajnimi për t'u njohur me shërbimet në dispozicion, pra që të dinë me kë të kontaktojnë në rast dyshimi dhe se si t'i raportojnë rastet e mundshme të abuzimit.

Kur bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të fëmijëve nga punonjësit humanitarë, reagimi duhet të jetë i shpejtë dhe me hapa të qartë, duke marrë parasysh interesat më të mira të fëmijës.

 

Koordinatore për Kryqin e Kuq të Malit të Zi, Snezana Radenovic

Që nga prilli i vitit 2020, 40 punonjës dhe 100 vullnetarë të Kryqit të Kuq i janë nënshtruar trajnimit në fjalë me mbështetjen e UNICEF-it. Milica Kovacevic, PR e Kryqit të Kuq të Malit të Zi, theksoi përfitimet e shumta të këtij trajnimi për punonjësit si dhe për fëmijët dhe familjet të cilave ata u ofrojnë ndihmë çdo ditë. Sipas saj, një trajnim i tillë cilësor ka ndihmuar punonjësit dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq që t'i informojnë më tej përfituesit e ndihmave humanitare për të drejtat e tyre.

"Punonjësit humanitarë duhet t'i promovojnë të drejtat e fëmijëve, prandaj ne mund të jemi më pak vigjilentë për njohjen e shkeljeve të të drejtave në raste të tilla thjesht sepse nuk i presim ato. Ndonjëherë mund të jetë një nga kolegët tanë, gjë që mund ta vështirësojë edhe më shumë reagimin tonë ", shpjegon Kovacevic.

Milica Kovačević, PR e Kryqit të Kuq të Malit të Zi, në trajnimin të cilit iu janë nënshtruar 40 punonjës dhe 100 vullnetarë të kësaj organizate që nga prilli i vitit 2020.
UNICEF Mali i Zi
Milica Kovačević, PR e Kryqit të Kuq të Malit të Zi, në trajnimin të cilit iu janë nënshtruar 40 punonjës dhe 100 vullnetarë të kësaj organizate që nga prilli i vitit 2020.

Duke qenë se trajnimi mbi këtë temë ka filluar vetëm kohët e fundit, deri më tani nuk ka pasur raportime të rasteve të abuzimit seksual të përfituesve nga punonjësit humanitarë.

"Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, bashkëpunimit dhe një angazhimi të qartë për parandalimin dhe raportimin e formave të tilla të sjelljes mund të arrijmë rezultatet e dëshiruara dhe t'u sigurojmë ndihmë adekuate atyre që kanë më së shumti nevojë për të", përfundon Krnic.

Një politikë e zero tolerancës i referohet çdo abuzimi real ose në tentativë të një pozite të cenueshmërisë, fuqisë diferenciale ose besimit për qëllime seksuale, duke përfshirë por pa u kufizuar në përfitime monetare, shoqërore ose politike nga shfrytëzimi seksual i një personi tjetër. Zero toleranca vlen gjithashtu për sulmet fizike reale ose të kërcënuara të një natyre seksuale, qoftë me forcë ose në kushte të pabarabarta ose detyruese.