Në fokus: Ndalja e institucionalizimit të fëmijëve dhe mbajtja e familjeve së bashku
Ndikimi i ndarjes së familjes dhe i institucionalizimit të fëmijëve është shkatërrues dhe i përjetshëm.
- Crnogorski
- English
- Shqip
Kur fëmijët ndahen nga prindërit e tyre, kjo shpesh ndodh në rrethana tragjike, duke përfunduar me ngjarje thellësisht shqetësuese dhe traumatike. Ndarja e familjes mund t'i lërë fëmijët të ndihen të padëshiruar dhe të pavlefshëm dhe të ngulisë plagë të përhershme në shëndetin e tyre mendor dhe mirëqenien psikologjike.
Krahas ndarjes nga familjet e tyre dhe mungesës së kujdesit prindëror, fëmijët që vendosen në institucione të shkallës së gjerë – veçanërisht nga mosha e re ose për një kohë të gjatë – përballen me neglizhencë emocionale, abuzim dhe shfrytëzim. Kjo komplikon shqetësimin dhe traumën e tyre dhe përkeqëson ndikimin afatgjatë në jetën e tyre. Fëmijët që rriten në institucione shpesh përjetojnë vonesa kognitive, gjuhësore dhe vonesa të tjera zhvillimore si dhe kanë më shumë gjasa të bien ndesh me ligjin.
Institucionalizimi i fëmijëve ka pasoja shkatërruese jo vetëm për këta fëmijë dhe familjet e tyre, por edhe për shoqërinë në tërësi, duke përkeqësuar stigmën dhe izolimin social dhe duke nxitur një cikël të disavantazheve që vazhdon brez pas brezi.
Dëmi i shkaktuar nga institucionalizimi i fëmijëve është i njohur, megjithatë fëmijët në të gjithë rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore janë ende të institucionalizuar me dyfishin e normës mesatare globale, dhe 456,000 fëmijë mbeten në ambiente të kujdesit rezidencial. Fëmijët me aftësi të kufizuara dhe grupet e tjera të margjinalizuara janë shumë të mbipërfaqësuar në mesin e atyre që jetojnë në këto institucione.
Qëndrimi i UNICEF-it është i qartë. Asnjë fëmijë nuk duhet të vendoset në një institucion të shkallës së gjerë ose në ndonjë formë të kujdesit alternativ vetëm pse familja e tij/saj nuk ka qasje në shërbimet shëndetësore, arsimore, të mbrojtjes sociale ose shërbimet e tjera bazë që i nevojiten për t'u kujdesur për fëmijën e tyre në shtëpi. Ne punojmë për t'i dhënë fund institucionalizimit të fëmijëve dhe për të mbështetur zhvillimin e mbrojtjes efektive të fëmijëve, mbështetjes familjare dhe sistemeve të kujdesit ndaj fëmijëve që ndihmojnë për t'i mbajtur familjet së bashku kudo që të jetë e mundur, dhe që fokusohen në interesat më të mira të çdo fëmije.
Kur kujdesi institucional zëvendësohet nga sisteme të tilla, kjo i hap rrugën transformimit të shërbimeve sociale qeveritare nga të cilat përfitojnë të gjithë fëmijët dhe të gjitha familjet.