Vetëm 13% e fëmijëve në Mal të Zi janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës MMR
Rreziku i shpërthimeve të epidemive është në rritje.
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 29 prill 2026 – Me rastin e Javës Botërore të Imunizimit, UNICEF paralajmëron për një rënie të theksuar të mbulueshmërisë së vaksinimit në Mal të Zi. Mbulueshmëria në kohë me dozën e parë të vaksinës MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) tek fëmijët e lindur në vitin 2024 është vetëm 13%, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi deri në prill 2026. Kjo shënon një rënie të theksuar krahasuar me mbulueshmërinë prej 88% në vitin 2013. Niveli aktual është shumë më poshtë pragut prej 95% të nevojshëm për “imunitetin e tufës”, duke rritur ndjeshëm rrezikun e shpërthimeve të fruthit.
Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse në botë dhe mund të çojë në pasoja të rënda, madje fatale tek fëmijët, veçanërisht tek ata nën moshën pesëvjeçare dhe tek ata me sistem imunitar të dobësuar. Kur mbulueshmëria e vaksinimit bie, krijohen kushte që sëmundja të përhapet lehtë dhe me shpejtësi, ndërsa pasojat më serioze prekin fëmijët e pavaksinuar, sidomos më të vegjlit, të cilët mund të zhvillojnë komplikime të rënda apo edhe të humbin jetën.
Në nivel global, UNICEF vlerëson se fruthi merr gati 300 jetë çdo ditë, kryesisht tek fëmijët nën moshën pesëvjeçare. Gjatë pesë viteve të fundit, shpërthime të mëdha të epidemisë janë regjistruar në më shumë se 100 vende. Për çdo fëmijë të pavaksinuar, ekspozimi ndaj virusit bart rrezik të lartë të infektimit dhe komplikimeve serioze.
“Mbulueshmëria aktuale prej vetëm 13% tek fëmijët e lindur në vitin 2024, më e ulëta në Evropë dhe ndër më të ulëtat në botë, do të thotë se shumica e fëmijëve në Mal të Zi janë të pambrojtur dhe në rrezik të lartë nga një prej sëmundjeve më ngjitëse. Nëse ky trend nuk ndryshon, çështja nuk është nëse do të ndodhë një shpërthim epidemie, por kur do të ndodhë ai”, tha Michele Servadei, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi.
“Rënia nga 88% në 13% brenda vetëm një dekade do të thotë se shumica e fëmijëve sot janë pa mbrojtjen që dikur e kishim dhe ne duhet urgjentisht ta rindërtojmë atë. Vaksinimi është mënyra më efektive dhe më e sigurt për të parandaluar shpërthimet e epidemive dhe për të mbrojtur shëndetin dhe jetën. Pse doza e parë është kaq kritike? Foshnjat janë më të prekurat dhe kanë më shumë gjasa të zhvillojnë komplikime vdekjeprurëse. Prandaj, doza e parë e vaksinës MMR është linja e parë e mbrojtjes në krijimin e imunitetit dhe mbrojtjes afatgjatë.”
Dy doza të vaksinës MMR ofrojnë rreth 99% mbrojtje kundër fruthit. Vaksina është në përdorim për më shumë se 50 vjet dhe ka shpëtuar mbi 90 milionë jetë. Ajo është e sigurt dhe efektive.
UNICEF bën thirrje për:
– rritje urgjente të mbulueshmërisë së vaksinimit përmes forcimit të programeve rutinore të imunizimit;
– rindërtim të besimit të prindërve në vaksina dhe në sistemin shëndetësor përmes përmirësimit të qasjes në shërbimet rutinore të imunizimit, si dhe sigurimit të informacionit të saktë dhe të besueshëm nga profesionistët shëndetësorë dhe institucionet e shëndetit publik;
– bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet prindërve, punëtorëve shëndetësorë dhe institucioneve.
Nevojitet veprim urgjent dhe i koordinuar nga institucionet shëndetësore, vendimmarrësit dhe komunitetet lokale për të rritur pa vonesë mbulueshmërinë e vaksinimit dhe për të parandaluar shpërthimet e epidemive.
Rënia e mbulueshmërisë së vaksinimit në Mal të Zi nxitet nga faktorë të shumtë, duke përfshirë përhapjen e dezinformatave, mungesën e besimit dhe ndërgjegjësimin e pamjaftueshëm, si dhe sfidat në qasjen në shërbime cilësore shëndetësore në komunitete të caktuara.
UNICEF në Mal të Zi tashmë po e adreson këtë sfidë duke mbështetur forcimin e aftësive komunikuese si të profesionistëve të ardhshëm shëndetësorë, ashtu edhe të atyre aktualë, duke u mundësuar atyre të zhvillojnë biseda të hapura dhe të bazuara në besim me prindërit, të mbështetura në fakte, besim të ndërsjellë dhe kuptim të shqetësimeve. Një komunikim i tillë është kyç për rindërtimin e besimit dhe mbështetjen e vendimmarrjes së informuar lidhur me vaksinimin e fëmijëve.
“Mali i Zi nuk mund të përballojë hapa të tjerë prapa në mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet e parandalueshme. E drejta e fëmijëve për shëndet përfshin qasjen në vaksinat që shpëtojnë jetë dhe mbrojtjen që ato ofrojnë, dhe kjo duhet të jetë prioritet kombëtar”, shtoi Servadei.
Çdo fëmijë ka të drejtë të mbrohet nga sëmundjet e parandalueshme. UNICEF do të vazhdojë të punojë me autoritetet shëndetësore, vendimmarrësit dhe komunitetet për të përmirësuar mbulueshmërinë e imunizimit dhe për të siguruar që çdo fëmijë të jetë i mbrojtur.