UNICEF-i mbështet Vlerësimin e Sistemit të Mbrojtjes Sociale të Malit të Zi për ta ulur varfërinë

Vlerësimi propozon një listë të reformave të rëna dakord në konsultimet mbarëkombëtare të drejtuara nga UNICEF-i dhe Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale për të përmirësuar efektivitetin dhe efikasitetin e sistemit të mbrojtjes sociale

UNICEF Mali i Zi
Dječje papuče na prozoru
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2021
28 Maj 2021

Podgoricë, 28 maj 2021  Për të siguruar që të gjithë fëmijët përmbushin potencialin e tyre dhe realizojnë të drejtat e tyre, Mali i Zi duhet ta zvogëlojë varfërinë e fëmijëve dhe të sigurojë që të gjithë fëmijët kanë qasje në arsim cilësor, shëndetësi dhe mbrojtje nga të gjitha format e dhunës.

Hapi kryesor për arritjen e këtij qëllimi është reforma e sistemit të mbrojtjes sociale në mënyrë që t’i mbështesë në mënyrë më efektive familjet më të rrezikuara në të gjithë vendin me mbështetjen e duhur me para të gatshme, të kombinuara me një larmi shërbimesh që do t’i fuqizojnë familjet.

Për këtë arsye, në konsultim me akterë të ndryshëm, UNICEF-i ka mbështetur një analizë 2-vjeçare të Sistemit të Mbrojtjes Sociale në Mal të Zi duke përdorur metodologjinë ndërkombëtare "CODI". Si rezultat, një udhërrëfyes i reformave i është paraqitur sot Komitetit Drejtues të udhëhequr nga Ministri i Financave dhe Mirëqenies Sociale Milojko Spajić.

Ky vlerësim identifikon boshllëqet dhe përparësitë e sistemit aktual të mbrojtjes sociale dhe propozon një listë të reformave të mundshme për ta përmirësuar atë. UNICEF-i do ta mbështesë Ministrinë e Financave dhe Mirëqenies Sociale në identifikimin e reformave prioritare për fëmijët dhe familjet e tyre, duke siguruar një analizë të kostos, si dhe për t'u angazhuar në konsultime të drejtpërdrejta me familjet dhe komunitetet.

Roli i UNICEF-it është t’i mbrojë dhe promovojë të drejtat e fëmijëve, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin gjithëpërfshirës, ​​të qëndrueshëm të Malit të Zi. Investimi në kapitalin njerëzor dhe sigurimi se të gjithë përfshihen në zhvillimin e vendit është themeli i çdo ekonomie të shëndetshme. Një sistem efektiv dhe efikas i mbrojtjes sociale është kusht i domosdoshëm për zhvillim të barabartë.

Juan Santander, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Malin e Zi

Ndër të tjea, vlerësimi njohu nevojën për rritjen e numrit të punëtorëve socialë dhe për ta bërë punën e tyre më shumë në terren dhe të orientuar drejt njerëzve; integrimin e të gjithë informacionit për mbrojtje sociale nga niveli lokal dhe kombëtar dhe krijimin e një baze të të dhënave digjitale për të gjithë përfituesit; fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve shëndetësore, arsimore, sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve në të gjitha nivelet dhe rregullimin më të mirë të përgjegjësive për mbrojtjen sociale ndërmjet nivelit komunal dhe kombëtar; rritjen e vlerës financiare të ndihmës sociale për familjet në nevojë; përmirësimin e monitorimit dhe vlerësimit, duke përfshirë pikëpamjet dhe nevojat e përfituesve; realizimin e vlerësimeve të kostos dhe fizibilitetit financiar, një pjesë integrale për vendimmarrjen për prezantimin e programeve të reja të mbrojtjes sociale, përfundimin ose reformimin e atyre ekzistuese, etj.

Ky është vetëm fillimi. Tani e dimë se çfarë duhet të përmirësohet. UNICEF-i është i gatshëm të mbështesë Qeverinë dhe partnerët e tjerë për t’i zbatuar reformat prioritare, për të siguruar analizën e kosto-përfitimit të të gjithë propozimit të politikave dhe për t’i lehtësuar konsultimet e drejtpërdrejta me familjet për të arritur në reformat më efektive për uljen e varfërisë në kontekstin e Malit të Zi.

 

Juan Santander, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Malin e Zi

Vlerësimi dyvjeçar u krye me mbështetjen e UNICEF-it nga Instituti i Kërkimit të Politikave Ekonomike (EPRI) dhe CEED Consulting - EPRI më parë mbështeste një numër vendesh në të gjithë globin për t’i forcuar sistemet e tyre të mbrojtjes sociale.