UNICEF dhe BE festojnë Muajin e Prindërimit së bashku me prindërit, fëmijët dhe partnerët
Prezantohen dy programe të destinuara për prindërit e fëmijëve më të vegjël

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 15 qershor 2022– Me rastin e muajit të prindërimit, në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, UNICEF-i organizoi një prezantim të programeve që mbështesin prindërit në kryerjen e roleve të tyre të rëndësishme jetësore.
“Familjet e kujdesshme” dhe aplikacioni Bebbo – dy programe të destinuara për prindërit e fëmijëve më të vegjël – u prezantuan në Shtëpinë e Evropës.
Programi “Familje të kujdesshme” zbatohet në Mal të Zi tash e katër vjet dhe në të kanë marrë pjesë më shumë se 700 prindër, duke i dhënë programit një notë mesatare prej 4.74 nga maksimumi 5. Rezultatet e vlerësimit të programit tregojnë se ai ka kontribuar në një reduktim prej 70% të prindërimit të ashpër dhe të dhunshëm dhe ulje të ndjeshme të problemeve të sjelljes tek fëmijët (31%) dhe depresionit prindëror (45%).

Programi “Familje të kujdesshme”, i zbatuar me mbështetjen e UNICEF-it dhe BE-së në Mal të Zi, është zhvilluar dhe testuar paraprakisht në shumë vende falë bashkëpunimit midis OBSH-së, UNICEF-it, Universitetit të Kejp Taun (Cape Town) dhe Universitetit Stellenbosch në Afrikën e Jugut, si dhe Universitetin e Oksfordit dhe Universitetin Bangor në MB. Përveç Malit të Zi, ky program po zbatohet në Evropë edhe në Republikën Çeke, Maqedoninë e Veriut, Moldavi dhe Rumani. Programi iu prezantua prindërve nga autorja e tij, profesoresha e psikologjisë klinike Xhudi Haçings (Judy Hutchings), ndërsa Darija Petoviq Bambur, psikoterapiste dhe një nga udhëheqëset e grupit, foli për zbatimin e tij në Mal të Zi. Programi është i dedikuar për prindërit e fëmijëve të moshës 2 deri në 9 vjeç dhe po zbatohet në kopshte, OJQ dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor në të gjithë vendin.

Aplikacioni Bebbo u prezantua nga zyrtarja e UNICEF-it për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme në Mal të Zi, Ida Ferdinandi, së cilës iu bashkua Maja Miranoviq, një nënë që e përdor aplikacionin për një kohë të gjatë. Aplikacioni u siguron prindërve të fëmijëve nën moshën gjashtë vjeç informacione të besueshme për tema të ndryshme, si shëndeti, ushqimi, ushqyerja me gji, siguria, mësimi i hershëm dhe prindërimi pozitiv. E gjithë përmbajtja e aplikacionit është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe mund të shkarkohet falas nga Google Play ose App Store.

“Të dashur prindër, ju ftojmë të përfitoni nga programet cilësore dhe të dëshmuara që kanë ndihmuar mijëra nëna dhe baballarë në Mal të Zi dhe rajon në vitet e para dhe shpesh më kritike të jetës së një fëmije dhe përvojës prindërore,” tha zyrtarja e UNICEF-it për ZHHF, Ida Ferdinandi.
Programi “Familje të kujdesshme” dhe aplikacioni Bebbo janë zbatuar në Mal të Zi me mbështetjen e UNICEF-it dhe mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.