Transporti falas dhe ndërmjetësit romë për përmirësimin e arsimit parashkollor të romëve

UNICEF-i dhe Ambasada Austriake po bëjnë thirrje që autoritetet komunale dhe ato kombëtare të ofrojnë transport falas për fëmijët romë në parashkollorë dhe të angazhojnë ndërmjetës romë në mënyrë që të përmirësohet arsimi parashkollor i fëmijëve romë.

UNICEF Mali i Zi
Vizitë në kopshtin e fëmijëve në Nikshiq
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2022
17 Shkurt 2022

Nikshiq, 17 shkurt 2022 – Vetëm 16 për qind e fëmijëve romë ndjekin arsimin parashkollor në Mal të Zi. Disa ndërhyrje të thjeshta, si transporti falas dhe angazhimi i ndërmjetësve romë, mund ta rrisin ndjeshëm këtë numër brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Këto fjalë i dëgjuan përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander dhe ambasadori austriak, Karl Müller, nga mësuesit dhe prindërit dhe fëmijët romë gjatë vizitës së tyre në institucionin parashkollor Dragan Kovačević në Nikshiq.

“Sot dëgjova se nuk ka transport të organizuar për në institucionet parashkollore dhe asnjë ndërmjetës romë për të ndihmuar në ndërlidhjen e institucioneve parashkollore me familjet rome në Mal të Zi. Kështu, UNICEF-i u bën thirrje autoriteteve komunale dhe atyre kombëtare që të sigurojnë transport falas për fëmijët romë për në institucionet parashkollore dhe të angazhojnë ndërmjetës romë që do të ndërlidhin institucionet parashkollore dhe komunitetet rome, pasi këto ndërhyrje do të ndihmojnë në rritjen e shkallës së regjistrimit të romëve në parashkollorë.”

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander
Juan Santander
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2022 Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander, gjatë vizitës së tij në Nikshiq, shkurt 2022

Nikshiqi është një nga shtatë komunat ku, me mbështetjen e UNICEF-it dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim, si dhe në bashkëpunim me OJQ-në Qendra Pedagogjike e Malit të Zi, iniciativat për rritjen e regjistrimit të fëmijëve romë në parashkollorë janë zbatuar me sukses që nga viti 2019.

Karl Müller
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2022 Ambasadori austriak në Mal të Zi, Dr. Karl Müller, gjatë vizitës së tij në Nikshiq, shkurt 2022

“Ajo që kemi konstatuar është se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë ndërmjetës që lehtësojnë kontaktin midis prindërve dhe të afërmve të fëmijëve dhe institucioneve parashkollore, gjë që e mundëson rritjen e frekuentimit të arsimit parashkollor. Në të njëjtën kohë, ne kemi konstatuar se organizimi i transportit falas për fëmijët është një detyrë elementare, shumë e rëndësishme, për të cilën kërkuam nga komunitetet lokale dhe shteti ta lehtësojnë dhe ta rregullojnë. Filozofia e Bashkimit Evropian, por edhe e Austrisë, është të mos lihet pas asnjë fëmijë dhe të krijohen të njëjtat mundësi për të gjithë fëmijët e vegjël.” 

Dr. Karl Müller, Ambasador i Austrisë në Mal të Zi

Sipas një nëne rome nga Nikshiqi, angazhimi i ndërmjetësve romë në të gjitha institucionet parashkollore pranë një komuniteti rom do ta rriste ndjeshëm regjistrimin në parashkollor si dhe shkallën e përfundimit të shkollës fillore dhe të mesme për fëmijët romë.

“Ishte shumë domethënëse për mua kur ndërmjetësit romë erdhën dhe i morën fëmijët e mi për t’i dërguar në parashkollor. Shumica e romëve dhe egjiptianëve të cilët nuk ishin në gjendje t'i dërgonin fëmijët e tyre në parashkollor, tani fëmijët e tyre shkojnë në parashkollor falë ndërmjetësve romë dhe transportit falas. Edukimi parashkollor është i rëndësishëm për fëmijët dhe këtë e shoh nga përvoja ime personale.” 

Emina Maljaj, nënë e katër fëmijëve
Emina Maljaj
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2022 Emina Maljaj, nënë e katër fëmijëve, në Nikshiq, shkurt 2022

Drejtoresha e institucionit parashkollor, Snežana Zogović, theksoi se, bazuar në përvojën e tyre, ofrimi i një numri më të madh të ndërmjetësve romë dhe transportit falas për në parashkollorë është një faktor mjaft i rëndësishëm për rritjen e shkallës së regjistrimit të romëve në parashkollorë.

Snezana Zogović, Drejtoreshë e Institucionit Parashkollor, në Nikshiq
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2022 Snezana Zogović, Drejtoreshë e Institucionit Parashkollor, në Nikshiq, shkurt 2022

“Për ta rritur numrin e fëmijëve romë dhe egjiptianë që ndjekin arsimin parashkollor, është e nevojshme të angazhohen ndërmjetës romë. Gjithashtu, transporti falas do të ishte i rëndësishëm, pasi do t'u mundësonte këtyre fëmijëve të vijnë çdo ditë në parashkollor dhe të integrohen më mirë.” 

Snežana Zogović, Drejtoreshë e Institucionit Parashkollor ‘Dragan Kovačević’ në Nikshiq

Qasja në arsimin parashkollor cilësor dhe gjithëpërfshirës është thelbësore për çdo fëmijë dhe veçanërisht për fëmijët nga grupet e cenueshme si romët. Arsimi parashkollor është i nevojshëm për zhvillimin adekuat të fëmijës. Ai është gjithashtu një mekanizëm i fuqishëm për ta thyer ciklin e varfërisë, pasi ndihmon në sigurimin e regjistrimit në kohë dhe arritjeve më të mira në arsimin e mëvonshëm.

Për këto arsye, UNICEF-i dhe Agjencia Austriake për Zhvillim po mbështesin programin “Përfshirja Sociale e Fëmijëve Romë dhe Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Ballkanin Perëndimor”. Përvojat e Malit të Zi nga ky program janë një praktikë e mirë që tregon se, me investime të mëtejshme dhe veprime të planifikuara mirë dhe të koordinuara nga të gjithë akterët, fëmijët romë dhe ata egjiptianë mund të kenë mundësi të barabarta për ta ndjekur arsimin parashkollor dhe atë fillor.