Teknologjia 5G nuk e shkakton ose përhap koronavirusin
Kjo teori konspirative besohet më shpesh nga ata që nuk e përdorin internetin (47%)
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 11 KORRIK 2021 – Pothuajse një e treta e qytetarëve të Malit të Zi (31%) besojnë se teknologjia 5G e shkakton ose përhap koronavirusin dhe se kjo po mbahet e fshehtë në mënyrë që kompanitë që merren me këtë teknologji të vazhdojnë të kenë fitime të konsiderueshme. Kjo është njëra nga gjetjet e një ankete të bërë në muajin Mars me mostër përfaqësuese kombëtare të kryer nga agjencia hulumtuese Ipsos, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Podgoricë dhe UNICEF-it.
Raportuesit e rinj të UNICEF-it analizuan këtë teori konspirative në Malin e Zi për të vërtetuar nëse kishte ndonjë të vërtetë në të. Analiza e tyre është në dispozicion në Faqen e internetit të UNICEF-it në Malin e Zi dhe tregon se gjenerata e pestë e internetit mobil nuk e shkatërron botën e gjallë dhe nuk e përhap koronavirusin.
Qytetarët më të rinj të moshave 18–44 vjeç, si dhe qytetarët me arsim të lartë, e besojnë këtë teori konspirative më pak.
Nga ana tjetër, kjo teori konspirative gjen besim më shumë tek ata që nuk e përdorin internetin, gjë që tregon ndikim të madh të ndarjes digjitale në qëndrimet e qytetarëve.
Të dhënat se kjo teori konspirative besohet më shumë nga ata që pretendojnë se ishin me fat kur gjenin informacionet që kërkonin në internet tregojnë se niveli i edukimit mediatik gjithashtu ndikon ndjeshëm në nivelin e besimit në teoritë konspirative.
Të dhënat që tregojnë se, midis qytetarëve që besojnë në teorinë konspirative se teknologjia 5G shkakton ose përhap koronavirusin, ka më shumë që nuk janë të sigurt nëse i besojnë mjekut të fëmijës së tyre, si dhe që nuk i besojnë shkencës, tregojnë se ndërtimi i besimit tek ekspertët dhe institucionet përkatëse është thelbësore për Malin e Zi.
Fakti që qytetarët të cilët mendojnë se ata që nuk ndajnë pikëpamjet e tyre politike janë të ligë, në të njëjtën kohë kanë më shumë gjasa të besojnë në këtë teori konspirative tregon se është thelbësore të krijohet kultura e dialogut ku njerëzit shkëmbejnë mendime të ndryshme në një atmosferë miqësore, i analizojnë ato dhe nuk i kundërshtojnë njerëzit që kanë qëndrim tjetër.
Se sa e rëndësishme është për shëndetin publik të çdo shoqërie diskutimi i teorive konspirative dhe rritja e ndërgjegjësimit për mënyrat e verifikimit të informacionit mund të shihet nga të dhënat mbi ndikimin e këtyre teorive në sjelljen e qytetarëve. Konkretisht, në mesin e qytetarëve që besojnë se teknologjia 5G e shkakton ose përhap koronavirusin, ka dukshëm më shumë që nuk do të vaksinohen kundër koronavirusit, si dhe që deklarojnë se nëse do të kishin fëmijë sot, ata nuk do të donin që ai/ajo të merrte të gjitha vaksinat e rekomanduara, përfshirë vaksinën MMR.
Mostra përfaqësuese kombëtare për këtë studim ka përfshirë 821 të anketuar të moshës 18 vjeç e lart në të gjithë vendin. Grumbullimi i të dhënave është bërë në periudhën 24 - 26 Mars të këtij viti përmes një ankete telefonike, më konkretisht, një pyetësori kohëzgjatja mesatare e të cilit ishte 20 minuta. Gjetjet kryesore të këtij hulumtimi mund të gjenden në faqen e internetit të UNICEF-it në Mal të Zi.