Shkollat duhet të jenë ato që mbyllen të fundit dhe të rihapen të parat
OBSH-ja dhe UNICEF-i mirëpresin vendimin e autoriteteve për të mbajtur shkollat e hapura
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 6 dhjetor 2020 – OBSH-ja dhe UNICEF-i mirëpresin vendimin nga autoritetet për të mbajtur shkollat të hapura në përputhje me dëshmitë në dispozicion nga nivelet globale dhe rajonale se shkollat mund të jenë vende të sigurta që nuk kontribuojnë në rritjen e infeksioneve me COVID-19, nëse ato veprojnë në përputhje me të gjitha masat parandaluese.
Çështja kryesore në vendimet për hapjen e shkollave nuk është nëse shkollat duhet të rihapen apo jo, por më tepër se si të veprohet me shkolla më të sigurta. Nga njëra anë, ne duhet të kuptojmë rreziqet e shëndetit publik, jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë komunitetin. Nga ana tjetër, ne nuk mund t'u kërkojmë fëmijëve tanë të shtypin butonin e pauzës në jetën e tyre ndërsa ne vazhdojmë të reagojmë ndaj COVID-19. Veprimet tona duhet ta shënjestrojnë virusin, jo fëmijët.
Ajo shton se është inkurajuese të shohësh që fëmijët, prindërit, mësimdhënësit, shkollat, Instituti i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Arsimit po sigurohen që masat mbrojtëse janë duke u respektuar.
OBSH-ja dhe UNICEF-i e kujtojnë se shumica e adoleshentëve janë ende jashtë shkollës dhe se kjo situatë duhet të trajtohet urgjentisht. Nevojitet punë e mëtejshme për të rikthyer në shkollë mijëra adoleshentë që po mësojnë aktualisht përmes internetit, dhe të cilët mund të shkojnë në shkollë vetëm për konsultime dhe vlerësime, gjë e cila nuk ofronë mësim të strukturuar ose ndërveprim me bashkëmoshatarë.
Të gjithë fëmijëve, duke përfshirë adoleshentët, duhet t'i sigurohet mundësia për të shkuar në shkollë personalisht, për të shmangur një humbje të ndjeshme të të nxënit dhe një ndikim negativ në shëndetin e tyre mendor. Kriza e të nxënit tashmë ekzistonte edhe para COVID-19. Tani, ekziston rreziku i një krize edhe më të madhe të kombinuar me rritje të çështjeve të shëndetit mendor tek adoleshentët. Për këtë arsye, UNICEF-i po bën thirrje që shkollat të mbyllen të fundit dhe të rihapen të parat për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët.
Që nga muaji shtator, OBSH-ja dhe UNICEF-i kanë avokuar që vendimet për rihapjen e shkollave dhe mënyrat e organizimit të arsimit në Malin e Zi të merren nga secila shkollë në bashkëpunim me profesionistët shëndetësorë, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit. Meqenëse situata nuk është e njëjtë në çdo shkollë dhe komunitet lokal në Malin e Zi, i njëjti model nuk do të funksionojë për çdo shkollë ose çdo fëmijë. Një anketë që përfaqëson nivelin kombëtar me stafin e shkollës, së bashku me konsultat e rregullta me autoritetet shëndetësore, nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit mund të hapë rrugën drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit për çdo fëmijë gjatë pandemisë COVID-19.
Shumica e prindërve në Mal të Zi mbështesin thirrjen e UNICEF-it dhe OBSH-së për të mbajtur shkollat e hapura. Sipas hulumtimit të përfaqësuar në nivel kombëtar të kryer nga Ipsos me mbështetje të UNICEF-it dhe Ambasadës së MB-së në shtator, më shumë se gjysma (54%) e prindërve në Mal të Zi preferojnë që fëmijët të vijojnë mësimet në shkolla gjatë pandemisë. Pothuajse një e treta (31%) do të zgjidhte mësimin e kombinuar, në shkollë dhe përmes internetit. Trembëdhjetë përqind do të zgjidhnin vetëm modelin e mësimit në distancë.
UNICEF-i dhe OBSH-ja e kujtojnë nevojën që secila shkollë të marrë parasysh ndarjen digjitale kur bën plane për arsim cilësor, gjithëpërfshirës gjatë krizës së COVID-19. Dy të tretat e fëmijëve në moshë shkollore në botë - domethënë 1.3 miliardë fëmijë të moshës 3 deri në 17 vjeç - nuk kanë qasje në internet në shtëpitë e tyre, sipas raportit të ri të përbashkët Sa fëmijë dhe të rinj kanë qasje në internet në shtëpi të publikuar nga UNICEF-i dhe Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) më 1 dhjetor. Në Mal të Zi, 16 përqind e familjeve me fëmijë deri në 18 vjeç nuk kanë qasje në kompjuter ose laptop që është i lidhur me internet. Ndarja digjitale po përjetëson pabarazitë që ekzistojnë tashmë, pasi fëmijët dhe të rinjtë nga ekonomitë familjare më të varfra po mbeten edhe më tepër pas moshatarëve të tyre dhe u mbetet shumë pak mundësi t'i arrijnë ata ndonjëherë.
OBSH-ja dhe UNICEF-i nënvizojnë se nevojiten dëshmi të mëtejshme në lidhje me mjediset dhe sjelljet kryesore të cilat janë duke kontribuar në përhapjen e infeksionit në Malin e Zi. Për këtë arsye, OBSH-ja dhe UNICEF-i kanë rënë dakord me Institutin e Shëndetësisë Publike për të mbledhur dëshmi rreth asaj se si përhapet COVID-19 në Mal të Zi, përmes një hetimi të përhapjes epidemiologjike të një madhësie të vogël - duke përfshirë edhe shkollat, universitetet, sektorin e hotelierisë, shtëpitë private, etj. Analiza e Institutit të Shëndetësisë Publike rreth asaj se ku dhe si përhapet më së shumti COVID-19 në Mal të Zi do të ndihmojë në ngritjen e cilësisë së debatit publik për COVID-19, duke e bërë atë më të bazuar shkencërisht. Kjo mund të ndihmojë gjithashtu në përmirësimin e masave, pasi ato do të bazoheshin në njohuri potencialisht të reja nga analiza.