Reforma e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve të Malit të Zi
Numri i fëmijëve të vendosur në institucione në Mal të Zi është ulur për 50 përqind
- Crnogorski
- English
- Shqip
Falë përpjekjeve të përbashkëta të UNICEF-it, Delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, autoriteteve të tjera kombëtare dhe lokale, numri i fëmijëve të vendosur në institucione në Mal të Zi është ulur për 50 përqind.
PODGORICË, 8 dhjetor 2020 – Reforma e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve e Malit të Zi, e mbështetur nga UNICEF dhe Bashkimi Evropian gjatë dekadës së fundit, është identifikuar si një nga 6 modelet e praktikave të mira globalisht në raportin nga UNICEF-i dhe Grupi i të Drejtave Universale që do të lansohet sot në ora 3 pasdite nga Michelle Bachelet, Komisionere e Lartë për të Drejtat e Njeriut; Elisabeth Tichy-Fisslberger, Presidente e Këshillit për të Drejtat e Njeriut; Walter Stevens, Shefi i Delegacionit të BE-së në KB; Luis Pedernera Reyna, Kryetar i Komitetit të CRC dhe Henrietta Fore, Drejtore Ekzekutive e UNICEF-it.
Delegati i Malit të Zi Velko Milonjiq, Ambasador për Çështjet Shumëpalëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, do të prezantoj sot se si organet e traktatit të KB-së së bashku me partnerët në Mal të Zi kanë mbështetur reformën e sistemit social dhe të mbrojtjes së fëmijëve të vendit. Fokusi i tij do të jetë në rezultatet e arritura në procesin e gjetjes së zgjidhjeve alternative për vendosjen e fëmijëve pa kujdes prindëror në institucione, të tilla si të edukimit dhe të birësimit, dhe promovimi i të drejtave dhe mundësive të barabarta për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Sfida para nesh është, së pari, forcimi i familjeve biologjike, sigurimi i mbështetjes edhe më të madhe për nënat dhe fëmijët dhe krijimi i kushteve për pavarësi më të madhe sociale dhe financiare të tyre. Ne do të vazhdojmë me forcimin e mëtejshëm të kujdestarisë brenda familjes së gjerë dhe zhvillimin e standardit profesional të kujdestarisë, me theks të veçantë për fëmijët e moshës 0–3 vjeç. Mali i Zi do të punojë në sigurimin e të gjitha parakushteve të nevojshme për zbatimin e plotë të kornizës së re legjislative dhe strategjike, dhe do të vazhdojë me forcimin e bashkëpunimit midis të gjithë sektorëve përkatës për të parandaluar vendosjen e fëmijëve në institucione.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, shtoi se ata gjithashtu kanë planifikuar të promovojnë më tej llojet e ndryshme të kujdestarisë për fëmijët në nevojë për mbështetje të veçantë, si dhe për të përmirësuar më tej pozicionin e prindërve kujdestarë.
Raporti global Realizimi i të drejtave, ndryshimi i jetës: Ndikimi i sistemit të të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara në gëzimin e të drejtave të fëmijëve tregon se mekanizmat e KB-së të të drejtave të njeriut, me mbështetjen e UNICEF dhe partnerëve si BE, kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të qartë dhe të matshëm në realizimin e të drejtave të fëmijëve.
Raporti na kujton se në Mal të Zi, në vitin 2010, 367 fëmijë ishin nën kujdesin institucional, nga numri i një popullsie prej vetëm 620,000 banorësh. Kjo ishte një nga nivelet më të larta për kokë banori të institucionalizimit të fëmijëve në Evropë. Sipas Konventës së KB-së për të Drejtat e Fëmijëve, çdo fëmijë duhet të rritet në një mjedis të sigurt familjar. Për fëmijët që nuk mund të rriten nga familjet e tyre, duhet të kërkohet një mjedis i përshtatshëm alternativ familjar në vend të kujdesit institucional, i cili duhet të përdoret vetëm si një masë e fundit dhe si një masë e përkohshme. Falë përpjekjeve të përbashkëta të UNICEF-it, Delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, autoriteteve të tjera kombëtare dhe lokale, Kuvendit, shoqërisë civile, medias, akademisë dhe komunitetit ndërkombëtar, midis viteve 2010 dhe 2019, numri i fëmijëve të vendosur në institucione në Malin e Zi është ulur për 50 përqind, ndërsa në 2017 vendi arriti një piketë të rëndësishëm për të mos pasur asnjë fëmijë nën moshën tre vjeç në kujdesin institucional.
Mali i Zi ka bërë përparim të konsiderueshëm në uljen e numrit të fëmijëve që rriten në institucione - megjithatë vazhdon të ketë boshllëqe të rëndësishme. Duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar që çdo fëmijë të mund të realizojë të drejtën e tij/saj për t'u rritur në një mjedis të dashur dhe të sigurt familjar. Presim me padurim që të punojmë me Qeverinë e re në mbylljen e këtyre boshllëqeve.
Respektimi i standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të vendosura nga Konventa e KB-së për të Drejtat e Fëmijëve është në qendër të procesit të Anëtarësimit në BE. Prandaj, progresi i mëtejshëm në reformën e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve është i nevojshëm që Mali i Zi të bëhet një vend anëtar i BE-së.
Së bashku me partnerët tanë nga agjencitë e KB-së dhe Qeveria e Malit të Zi, BE mbështeti reformën e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në Mal të Zi dhe jam i lumtur të shoh që iniciativa jonë e përbashkët mori njohje ndërkombëtare, por më e rëndësishmja është që tregoi rezultate të prekshme. Çdo fëmijë ka nevojë për një mjedis familjar - dashuri, mbrojtje, mbështetje dhe inkurajim për të arritur potencialin e tyre të plotë. Është përgjegjësia jonë e përbashkët të sigurojmë që të gjithë fëmijët të rriten në një mjedis të tillë dhe të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre. Pavarësisht përparimeve në këtë fushë, Mali i Zi duhet ende të bëjë përparim për të siguruar që fëmijët dhe të rinjtë pa kujdes prindëror të gëzojnë të njëjtat të drejta, mbrojtje dhe mundësi në një mjedis të dashur dhe me kujdes, sikurse fëmijët me prindër. BE do të vazhdojë të sigurojë mbështetje të vazhdueshme për të drejtat e fëmijëve në Malin e Zi.
Ky raport global është përpjekja e parë e bërë ndonjëherë për të matur ndikimin e sistemit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut në jetën e fëmijëve. Ai paraqet gjashtë raste studimore të vendeve që ilustrojnë ndikimin pozitiv, që rezulton nga bashkëpunimi i shteteve me mekanizmat e KB-së për të drejtat e njeriut dhe zyrat dhe partnerët e UNICEF-it, për të zvogëluar boshllëkun midis fjalëve në Konventën për të drejtat e fëmijëve dhe realitetin e jetuar të miliona fëmijëve në të gjithë botën. Përveç Malit të Zi, ky raport përfshin modele globale të praktikave të mira të reformave të sistemit për mbrojtjen e fëmijëve në MB, Uruguaj, Afrikë të jugut, Kirgistan dhe Mongoli. Këto raste studimore të vendeve u zgjodhën duke u bazuar në kritere që përfshijnë ekuilibrin gjeografik/rajonal, mbulimin e sfondeve të ndryshme politike dhe kulturore, nivelet e zhvillimit dhe shkallën e angazhimit të UNICEF-it me shtetet pritëse.
Raporti global Realizimi i të drejtave, ndryshimi i jetës: Ndikimi i sistemit për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara në gëzimin e të drejtave të fëmijëve është në dispozicion në https://www.unicef.org/documents/realizing-rights-changing-lives-impact-united-nations-human-rights-system-enjoyment