Reforma e sistemit arsimor – Prioritet urgjent për Malin e zi
Prezantohet analiza e sektorit të arsimit 2015–2020

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 14 nëntor 2022– Në pritje të Ditës Botërore të Fëmijëve, sot, u prezantua analiza gjithëpërfshirëse e sektorit të arsimit të Malit të zi për vitet 2015–2020, me synimin për të përdorur dokumentin si bazë për zhvillimin e një strategjie shumëvjeçare, të buxhetuar për sektorin e arsimit malazez, i cili do të mbështetet nga dëshmi, të gjitha në kuadër të përpjekjes për të ofruar arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë.
“Ajo që duam të ndryshojmë në raport me periudhën e mëparshme është mungesa e një dokumenti kyç që do të integronte angazhimet strategjike të zbatueshme për periudhën deri në vitin 2030”, tha ministri i Arsimit Miomir Vojinoviq në hapjen e aktivitetit të sotëm në Ndërtesën Eco të OKB-së.
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Mal të zi, Oana Cristina Popa, rikujtoi se raporti vjetor i Komisionit Evropian për vitin 2022 rekomandoi që Mali i Zi të miratojë një plan me një buxhet të qartë për një sërë reformash arsimore në mënyrë që të ofrojë arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët në të gjitha nivelet.

“Kjo Analizë gjithëpërfshirëse e sektorit të arsimit, e cila tashmë është në dispozicion, falë nismës së përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe UNICEF-it, është hapi i parë në këtë drejtim”, tha ambasadorja Popa, duke njoftuar se BE-ja do të ofrojë mbështetje financiare në vlerë një milion euro për strategjinë e ardhshme arsimore dhe aktivitetet në këtë fushë me UNICEF-in dhe Qeverinë e Malit të zi.
Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të zi, Juan Santander vuri në dukje disa gjetje kryesore të kësaj analize, si fakti që çdo dy në tre fëmijë në Mal të Zi ndjekin shkollat fillore me infrastrukturë të pamjaftueshme; se në shkollat fillore dhe të mesme ka mesatarisht 16 nxënës për kompjuter; që vetëm çdo i katërti mësues ndjek programe për zhvillim profesional; dhe që fëmijët që rriten në varfëri ndjekin kopshtin e fëmijëve, shkollën fillore dhe të mesme në një masë shumë më të vogël.
“Këto të dhëna tregojnë se është e nevojshme që urgjentisht të sigurohet financimi i objekteve të reja shkollore dhe pajisja adekuate e të gjitha shkollave me teknologji të reja. Investimi i më shumë burimeve në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të të gjithë mësuesve është prioritet nëse duam një arsim më cilësor. Për të reduktuar varfërinë në Mal të zi, arsimi cilësor duhet t'u ofrohet të gjithë fëmijëve nga familjet e varfra, rome dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara që në vitet e para të jetës,” tha Santander.

Jelena Jovanoviq, nxënëse e shkollës së mesme të mjekësisë në Podgoricë, bëri thirrje për digjitalizimin e arsimit, forcimin e rolit pedagogjik të shkollës, ofrimin e mbështetjes më të madhe për shëndetin mendor dhe zhvillimin socio-emocional të nxënësve dhe përgatitjen më të mirë të tyre për punë specifike.
“Kini kujdes se ne do t'ju zëvendësojmë në të gjitha institucionet shtetërore dhe private, kështu që nuk do të ishte e përshtatshme që njohuritë tona të ardhshme të jenë si tuajat tani, me disa përjashtime,” tha Jovanoviq.
Olivera Lekoviq, kryetare e OJQ-së Komuniteti Arsimor, kujtoi se jo shumë kohë më parë, mësuesit në Mal të zi ishin ndër profesionistët më të respektuar së bashku me mjekët, si dhe që statusi social i mësuesve dhe cilësia e arsimit ishin më të mira në të kaluarën se sot. Ajo e përfundoi prezantimin e saj me një mesazh për publikun malazez dhe për vendimmarrësit aktualë dhe të ardhshëm në Parlamentin dhe Qeverinë e Malit të zi:
“Nëse ne vazhdojmë të dështojmë të investojmë në mësuesit dhe infrastrukturën shkollore, duke vazhduar të mos përfshijmë mësuesit në procesin e planifikimit dhe përcaktimit të politikave arsimore dhe duke mos punësuar njerëz në arsim sipas parimit të meritokracisë, do ta kemi gjithnjë e më të vështirë përmbushim objektivin tonë – krijimin e një shoqërie të dijes në të cilën çdo fëmijë ushtron të drejtën për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.”

Radomir Bozhoviq, Kryetari i Sindikatës së arsimit, theksoi se vetëm mësuesit e kënaqur mund të japin maksimumin në klasë dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në zbatimin e reformave.
“Mesazhi i Sindikatës së arsimit është se reformat në arsim mund dhe duhet të kryhen vetëm nga mësues të trajnuar mirë dhe të motivuar. Sindikata do të investojë të gjitha njohuritë dhe përpjekjet e saj për përmirësimin e statusit të mësuesve në periudhën e ardhshme përmes rritjes së pagave dhe rregullimit më të mirë të normave ligjore në rekrutimin e mësuesve”, tha Bozhoviq.
Kristina Mihailoviq, Drejtoreshë ekzekutive e shoqatës “Prindërit”, përkujtoi se shkollat dhe kopshtet ishin të mbivendosura në shumicën e komunave. Ajo tha se sistemi i notimit duhet të përmirësohet, se arritjet e nxënësve duhet të jenë më të mira në krahasim me vendet e tjera, si dhe se qasja në arsim duhet të përmirësohet për fëmijët nga familjet e varfra. Ajo bëri thirrje gjithashtu për forcimin e cilësisë së arsimit gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Vendimmarrësit duhet të ndërgjegjësohen se ky është një prioritet kryesor, gjë që nuk ka qenë deri më tani. Për shembull, në gjashtë vitet e fundit, qeveria ka shpenzuar vetëm 30 milionë euro për infrastrukturën shkollore”, përfundoi Mihailoviq.
Analiza është në dispozicion në faqen e internetit të UNICEF-it në Mal të zi dhe është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Arsimit dhe UNICEF-it në Mal të zi, e përgatitur me asistencën teknike të SOFRECO, një kompani e njohur për konsulencë dhe asistencë teknike. Dokumenti është në përputhje me Udhëzimet metodologjike të analizës së sektorit të arsimit, të zhvilluar në vitin 2014 nga UNESCO, Banka Botërore, UNICEF-i dhe Partneriteti Global për Arsimin.
