Platforma online për fëmijët me aftësi të kufizuara
Mbështetja për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara gjatë krizës me COVID-19

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 2 KORRIK 2020 – Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19 në Mal të Zi, rreth 200 familje me fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara kanë marrë mbështetje psiko-sociale dhe ligjore përmes platformës www.vrsnjackapodrska.me, të zhvilluar nga OJQ "Shoqata e të Rinjve me Aftësi të Kufizuara të Malit të Zi" me mbështetjen e UNICEF-it.
Gjatë krizës me koronavirusin, familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa mbështetje për shkak të mbylljes së kopshteve, shkollave, qendrave të kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe institucioneve të tjera përkatëse që u ofrojnë atyre shërbime të ndryshme në baza ditore. Platforma online e Shoqatës së të Rinjve me Aftësi të Kufizuara u ka mundësuar atyre, gjatë kësaj periudhe, të marrin disa nga shërbimet mbështetëse që u nevojiten.
Milena, nëna e një fëmije me autizëm, tregon se kjo platformë e ka bërë jetën e saj dukshëm më të lehtë gjatë krizës.
Kjo ndihmë ishte aq e çmuar për ne, sepse e kuptuam se nuk ishim të vetmuar në ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijës sonë. Ne përdorëm mbështetjen psikologjike, që kishte shumë rëndësi për ne, sepse mezi jemi në gjendje të luftojmë vetë për të drejtat e fëmijës sonë si prindër. Ne jemi kontaktuar disa herë nga Shoqata në lidhje me problemin tonë.
Janko, anëtar i një familjeje me një fëmijë me aftësi të kufizuara, gjithashtu vlerësoi aktivitetet e kryera përmes platformës së Shoqatës së të Rinjve me Aftësi të Kufizuara dhe ndihmën juridike që ai mori në këtë mënyrë.
Jam shumë i kënaqur me funksionimin e platformës pasi që punëtorët e Shoqatës ishin shumë të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19. Ata ishin të gatshëm të na përgjigjeshin në të gjitha pyetjet. Mbështetja e ofruar nga UMHCG-ja (Shoqata e të Rinjve me Aftësi të Kufizuara në Malin e Zi) na ndihmoi dhe na inkurajoi.
Nada Boskovic nga Shoqata e të Rinjve me Aftësi të Kufizuara tregon se aktivitetet e shumta të kryera përmes platformës ua kanë lehtësuar jetën përdoruesve dhe se përmes postimit të materialeve rreth koronavirusit përdoruesve u janë vënë në dispozicion informata të sakta dhe të dobishme në lidhje me pandeminë dhe në lidhje me veprimet e ndërmarra gjatë krizës.

Rreziku i ndikimit dhe frikës nga lajmet e rreme është zvogëluar, ka një numër në rritje të njerëzve të cilët inkurajohen të përdorin shërbimet, ndërsa përmes mbështetjes psiko-sociale po përpiqemi të inkurajojmë përdoruesit të jenë më të qetë dhe të përballen më lehtë me situatën aktuale në lidhje me COVID-19. Prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara mund të gjejnë informacione se si mund të kalojnë kohë cilësore me fëmijët e tyre.
UNICEF-i thekson se që nga fillimi i pandemisë COVID-19, kjo platformë ua ka mundësuar familjeve me fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore në fushën e shëndetit, mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, si dhe punës dhe punësimit.
Falë punës së përkushtuar të UMHCG-së dhe udhëzimeve të UNICEF-it të cilat janë zbatuar në mënyrë adekuate, fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre kanë marrë forma të ndryshme të mbështetjes në një vend.
Platforma e Shoqatës së të Rinjve me Aftësi të Kufizuara, me mbështetjen e UNICEF-it, do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ligjore dhe psiko-sociale në kohë për të gjitha familjet me fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara në Mal të Zi gjatë pandemisë globale COVID-19.