Pas koronës, një konsultë me mjekun në lidhje me vaksinimin është e detyrueshme

Verifikim faktesh

Miona Miljaniq, Reportere e Re e UNICEF-it në Mal të Zi
fact checking blog visual
UNICEF Mali i Zi
12 Prill 2021

Me zbulimin e vaksinës kundër koronavirusit, në media dhe rrjetet sociale janë shfaqur informacione të ndryshme të paverifikuara në lidhje me vaksinimin. Megjithëse, sipas një sondazhi të kryer nga agjencia Ipsos në shkurt 2021, më shumë se 50 përqind e qytetarëve janë të gatshëm të vaksinohen kundër koronavirusit, megjithatë ende ka një numër të madh të njerëzve që kanë hezitime në lidhje me imunizimin sepse janë të shqetësuar për shpejtësinë e miratimit të vaksinave të reja dhe efektet anësore të mundshme.

Pothuajse 10,000 njerëz në Mal të Zi tashmë e kanë pasur virusin, kështu që një nga pyetjet më të shpeshta është nëse ata duhet/lejohen të vaksinohen. Përgjigjen e kemi kërkuar në faqen e internetit të Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi.

"Vaksinimi është vullnetar dhe i rekomanduar. Duke pasur parasysh rreziqet serioze shëndetësore dhe faktin që është e mundur të infektoheni përsëri me virusin COVID-19, këshillohet që të merrni vaksinën, pavarësisht nëse jeni shëruar tashmë nga sëmundja. Ekspertët nuk e dinë ende se sa zgjat imuniteti i fituar pasi ta keni kaluar virusin, megjithëse rastet e ri-infektimit janë të rralla. Imuniteti natyror dhe i fituar nga vaksina janë të dy faktorë të rëndësishëm në parandalimin e përhapjes së virusit.

– thotë faqja zyrtare e Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi.

Reporterët e rinj të UNICEF-it pyetën edhe ekspertët nga Qendra Klinike e Malit të Zi nëse vaksina duhet t'u jepet atyre që tashmë e kanë pasur virusin:

Së bashku me ekzaminimet e mëparshme klinike dhe disa analiza shtesë, është e nevojshme të konsultoheni me mjekun e zgjedhur në lidhje me marrjen e vaksinës kundër COVID-19.

Dr. Vladimir Jovanoviq nga Qendra Klinike

Duke pasur parasysh numrin e kufizuar të vaksinave në Mal të Zi, grupet prioritare janë identifikuar në udhëzuesin dhe rekomandimet e lëshuara nga organizatat kryesore kombëtare të shëndetit publik.

 

Sipas informacionit nga CovidOdgovor.me, një faqe në internet me të gjitha lajmet në lidhje me virusin që mirëmbahet nga Qeveria e Malit të Zi, fazat e vaksinimit janë si më poshtë:

1 - Banorët e shtëpive për të moshuarit dhe institucionet për akomodimin e personave me aftësi të kufizuar të rëndë.

2 - Punonjësit shëndetësorë/bashkëpunëtorët dhe personeli tjetër në institucionet e kujdesit shëndetësor që punojnë me persona të infektuar me SARS-CoV-2; Të gjithë personat e moshës 80+.

3 - Të gjithë personat e moshës75–79.

4 - Të gjithë personat e moshës 70–74; persona shumë të ndjeshëm / të prekshëm klinikisht.

5 - Të gjithë personat e moshës 65–69; Punonjësit e tjerë në institucionet shëndetësore publike dhe private.

6 - Të rriturit e moshës 45-64 vjeç që hyjnë në kategorinë e rrezikut. Anëtarët e shërbimeve jetike në nivelin shtetëror dhe lokal.

7 - Të rriturit e moshës 18–44 vjeç që hyjnë në kategorinë e rrezikut; Të gjithë personat e moshës 60–64.

8 - Të gjithë personat e moshës 50–59.

Ne konkludojmë që ata të cilët e kanë pasur koronavirusin duhet të konsultohen me mjekun dhe të vendosin për vaksinimin bazuar në rekomandimet e mjekut të tyre. Të gjithë ata që si burim informacioni përdorin mediat në internet dhe rrjetet sociale duhet të lexojnë me kujdes dhe të ndjekin udhëzimet nga institucionet zyrtare.

Në përpjekje për të kontribuar në parandalimin e përhapjes së dezinformatave për koronavirusin dhe për t'i promovuar burimet e besueshme të informacionit, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë vendosur të verifikojnë saktësinë e informacionit të publikuar në rrjete sociale dhe në media, informacion i cili ka tërhequr vëmendjen e publikut. Gjatë verifikimit të saktësisë së informacionit, ata kanë ndjekur shembullin e Platformës për Shpalosje para Publikut "Raskrinkavanje" dhe e kanë përdorur pjesërisht metodologjinë e saj e cila është në dispozicion të publikut.