Një e treta e qytetarëve të Malit të Zi besojnë në teoritë e konspiracionit rreth koronavirusit

Njerëzit të cilët kanë qenë të ekspozuar ndaj shumë informacioneve të pasakta në lidhje me koronavirusin kanë më shumë gjasa të besojnë në teoritë e konspiracionit

UNICEF Mali i Zi
dvije djevojcice koriste mobilni telefon
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2018
23 Qershor 2021

PODGORICË, 20 QERSHOR 2021 – Një në tre qytetarë të Malit të Zi besojnë në teoritë e konspiracionit rreth koronavirusit. Njerëzit me arsim fillor ose me nivel më të ulët të arsimit janë më shpesh ata që i besojnë këto. Kjo ishte njëra nga gjetjet kryesore të sondazhit që agjencia hulumtuese Ipsos zhvilloi në muajin mars me një mostër kombëtare me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Podgoricë dhe UNICEF-in.

Anketa gjithashtu tregoi se njerëzit që kanë qenë të ekspozuar ndaj shumë informacioneve të pasakta në lidhje me koronavirusin kanë më shumë të ngjarë të besojnë në teoritë e konspiracionit. Për më tepër, ata që thonë se ishin me fat kur arrinin të gjenin informacionin që kërkonin në lidhje me këtë temë, kanë më shumë të ngjarë të besojnë në dezinformata lidhur me COVID-19.

Këto zbulime tregojnë për rëndësinë e edukimit mediatik për shëndetin publik, për shkak se diçka e tillë u mundëson njerëzve të gjejnë informacionin që u intereson, si dhe të vlerësojnë në mënyrë kritike çdo informacion dhe gjithashtu ta kontrollojnë vërtetësinë në burime të besueshme.

Vladimir Raičević, Drejtori i agjencisë hulumtuese Ipsos

Në mesin e qytetarëve që deklaruan se nuk kanë ndjekur informacionet për epideminë nga burime të ndryshme, ka dukshëm më shumë nga ata që besojnë në dezinformata dhe teori konspirative në lidhje me koronavirusin dhe vaksinat sesa midis të anketuarve të tjerë. Informimi nga burime të ndryshme, krahasimi i tyre dhe kontrolli i vërtetësisë së informacionit janë disa nga aftësitë themelore të zhvilluara nga edukimi mediatik. Përveç kësaj, për të luftuar teoritë e konspiracionit dhe dezinformimin, biseda me ekspertët - pra, me mjekët - është shumë e rëndësishme.

Është plotësisht e kuptueshme që njerëzit të jenë të shqetësuar, të frikësuar ose të hutuar. Unë i nxis ata të ndajnë të gjitha pyetjet dhe shqetësimet e tyre me mjekët dhe të flasin hapur me ta për të gjitha informacionet që gjejnë, përfshirë teoritë e konspiracionit.

Juan Santander, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Malin e Zi

Anketa gjithashtu tregon për rëndësinë e krijimit të një kulture të dialogut në shoqëri, domethënë, përkrahjen e shkëmbimit kulturor të mendimeve të ndryshme. Gjegjësisht, një përqindje më e lartë e qytetarëve të cilët kryesisht komunikojnë me njerëz me të njëjtin mendim në internet dhe të atyre që mendojnë se njerëzit që nuk ndajnë mendimet e tyre politike janë të ligë besojnë në teoritë e konspiracionit në lidhje me koronavirusin.

Liria e medias dhe liria për të shprehur pikëpamjet tona është e rëndësishme - por ata që publikojnë informacione duhet të japin llogari për ato që shkruajnë. Teoritë e konspiracionit përhapen në internet por ato shkaktojnë dëm serioz në botën reale. Në aspektin e mbrojtjes së vetes tonë nga COVID-19, marrja e informacioneve të sakta është me të vërtetë çështje jetë a vdekje.

Karen Maddocks, Ambasadore e Britanisë në Malin e Zi

Të dhënat mbi ndikimin e teorive të konspiracionit në sjelljen e qytetarëve tregojnë se sa e rëndësishme është për shëndetin publik të forcojë edukimin mediatik dhe kulturën e dialogut, si dhe komunikimin e hapur me mjekët. Gjegjësisht, në mesin e qytetarëve që besojnë në teoritë e konspiracionit rreth COVID-19, ka dukshëm më shumë nga ata që nuk do të dëshironin të marrin vaksinën kundër koronavirusit, si dhe njerëz që, nëse do të kishin fëmijë sot, nuk do të donin që fëmija i tyre të merrte të gjitha vaksinat e rekomanduara, përfshirë vaksinën MMR.

Mostra kombëtare për këtë studim përbëhej nga 821 të anketuar të moshës 18 vjeç e lart në nivel vendi. Mbledhja e të dhënave u krye në periudhën prej 24 deri më 26 mars të këtij viti përmes një ankete telefonike me një pyetësor, kohëzgjatja mesatare e të cilit ishte 20 minuta. Gjetjet kryesore të kësaj ankete janë në dispozicion në webfaqen e UNICEF-it në Malin e Zi.