Mbështetje për prindërit dhe fëmijët që nga lindja
Me mbështetjen e UNICEF-it dhe Republikës së Koresë, punonjësit e kujdesit shëndetësor trajnohen për të mbështetur më mirë prindërit gjatë vizitave në shtëpi pas lindjes
- Crnogorski
- English
- Shqip
Podgoricë, 27 qershor 2024 – Edhe gjatë shtatzënisë me djalin e tyre të sapolindur Luka, fëmijë e tyre të parë, Ana dhe Nikolla nuk ishin të sigurt se do ta përballonin mirë rolin e prindërve.
"Ka gjithmonë frikë - edhe nëse mendon se je e fortë dhe mund të përballosh gjithçka. Pyet veten nëse do të mund ta bësh atë, si ta kapësh sepse është kaq i vogël," thotë Ana.
Nikolla, partneri i saj, kishte një shqetësim tjetër - nëse ai mund t'i jepte mjaftueshëm mbështetje Anës.
"Për shkak se tani ajo mban barrën më të madhe të rritjes së Lukës, u shqetësova nëse mund t'i ofroj mbështetje të mjaftueshme. Edhe sot e mendoj për këtë, por shoh që po ia dalim mirë falë marrëveshjes sonë," thotë ai.
" Po ja del mbanë”, përgjigjet Ana.
Ana Čobeljić dhe Nikola Banićević janë pjesëmarrës në programin e UNICEF-it "Kujdesi për kujdestarin", i zbatuar në mbarë botën që nga viti 2020. Ai trajnon punonjësit e kujdesit shëndetësor për të mbështetur më mirë prindërit gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes.
Vesna Vukčević, një infermiere vizitore në shtëpi nga Qendra e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Podgoricë, ka përfunduar këtë trajnim dhe tani është një mbështetje jetike për Anën dhe Nikolën.
I pyesja prindërit se si ndiheshin, por ishte më e rastësishme. Tani fokusohemi më shumë në atë se si ndihen ata
Përpara se t'i bashkoheshin këtij programi, Ana dhe Nikola mendonin se vizitat në shtëpi kishin të bënin vetëm me dikë që demonstronte aspektet teknike të kujdesit për fëmijën. Doli të ishte krejt e kundërta. Të dy thonë se Vesna është bërë personi i besuar i tyre, thuajse si një familjare.
Vesna thekson rolin vendimtar të mirëqenies emocionale të prindërve, pasi fëmijët mbështeten tek ata për gjithçka. Kjo përgjegjësi mund të jetë rraskapitëse, veçanërisht nëse prindërit e mbajnë vetëm këtë barrë. Punonjësit e kujdesit shëndetësor mund të ofrojnë mbështetje jetike për të gjithë prindërit, veçanërisht ata që përjetojnë stres ose që jetojnë në rrethana sfiduese.
"Ne përpiqemi t'i dëgjojmë më shumë prindërit dhe përpiqemi të jemi njeriu i besuar i tyre”, shton Vesna.
Kur u pyet për shqetësimet e zakonshme të prindërve, Vesna përmend frikën për dëmtimin padashje të kordonit të kërthizës së foshnjës, nëse foshnja bën gjumë të mirë, ushqyerjen dhe ndryshimin e rutinave, shpeshtësinë e larjes dhe nëse duhet ta nxjerrin fëmijën jashtë në natyrë.
Duke reflektuar mbi përvojat e tyre me Vesnën, Ana dhe Nikolla besojnë se ky program i mbështetjes prindërore duhet të vazhdojë me një numër të shtuar të vizitave në shtëpi përpos atyre tri të planifikuara.
Shteti duhet të përfshihet më shumë në program
Në Mal të Zi, që nga marsi i vitit 2024, me mbështetjen e UNICEF-it dhe Republikës së Koresë, ky program zbatohet në qendrat e kujdesit parësor shëndetësor në Berane, Bijelo Polje, Budva, Cetinje, Podgoricë, Kotorr, Nikshiq dhe Ulqin. Deri më tani, afro 200 familje kanë përfituar prej këtij programi dhe vetëm 15 praktikantë janë trajnuar për zbatimin e tij.
Kontakti me infermieret e vizitës në shtëpi fillon kur nënat largohen nga materniteti dhe japin detajet e kontaktit dhe adresën e tyre ose nëpërmjet pediatrit të zgjedhur për fëmijën në qendrën e kujdesit parësor shëndetësor. Gratë shtatzëna mund të kontaktojnë edhe nëpërmjet gjinekologut/gjinekologes të përzgjedhur në qendrën e kujdesit parësor shëndetësor.