E drejta për sigurinë e çdo fëmijë në Mal të Zi
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, i bën thirrje Qeverisë së Malit të Zi që të fokusohet në parandalimin e dhunës

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 17 PRILL 2023– Si reagim ndaj rasteve të fundit të dhunës nga bashkëmoshatarët që po ndodhin në mbarë Malin e Zi, UNICEF po bën thirrje për veprim urgjent nga institucionet shtetërore përgjegjëse, si dhe nga shoqëria në tërësi, për të garantuar sigurinë e çdo vajze dhe djali në Mal të Zi. Çdo qytetar i rritur, veçanërisht udhëheqësit, kanë përgjegjësinë për të modeluar sjellje respektuese dhe paqësore ndaj fëmijëve. Si palë e Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF), Mali i Zi është zotuar t'i garantojë çdo vajze dhe djali të drejtën për të jetuar në paqe dhe me dinjitet, larg të gjitha formave të dhunës.
Së pari, një shoqëri pa dhunë fillon në shtëpi, brenda çdo familjeje.
Të qenit prind është një nga përgjegjësitë më të rëndësishme dhe gjithashtu më të mëdha që një person mund t’i ketë. Prandaj, çdo prindi duhet t'i ofrohet mbështetje se si t'i rrisë fëmijët në një mjedis familjar të dashur pa dhunë.
Hulumtimi i UNICEF-it nga viti 2018 zbuloi se dy të tretat e fëmijëve të Malit të Zi të moshës 1 deri në 14 vjeç kishin përjetuar një formë ndëshkimi fizik dhe/ose agresion psikologjik nga anëtarët e rritur të familjes gjatë muajit të kaluar. Për këtë arsye, me mbështetjen e UNICEF-it, programet për mbështetjen e prindërve janë prezantuar në pothuajse gjysmën e të gjitha komunave të Malit të Zi.
Prindërit që morën pjesë në programin “Familje të kujdesshme” thonë se tani po arrijnë t'i zgjidhin më lehtë problemet me fëmijët pa disiplinë të dhunshme, si dhe se po përballen me më pak probleme në sjelljen e fëmijëve. UNICEF-i i bën thirrje qeverisë që të financojë shkollat e prindërimit dhe t'i bëjë ato të disponueshme për çdo prind në vend.
Së dyti, shkollat duhet të jenë një hapësirë e sigurt për çdo fëmijë.
Për ta arritur këtë, UNICEF-i bën thirrje për forcimin e kapaciteteve të sistemit arsimor për të parandaluar dhe për të reaguar ndaj dhunës në mënyrë më efektive. Në veçanti, duhet të rritet urgjentisht numri i psikologëve, për t'iu ofruar mbështetje fëmijëve si dhe mësimdhënësve, për të siguruar identifikimin e hershëm të fëmijëve në rrezik. Për momentin, vetëm 73 psikologë mbështesin 120,000 fëmijët që vijojnë nivelin parashkollorë dhe shkollat fillore dhe të mesme në Mal të Zi.
Gjithashtu, për të parandaluar dhunën ndërmjet bashkëmoshatarëve, fëmijët duhet të kenë aftësitë e duhura.
Është thelbësore të sigurohet që programi “Virtytet dhe vlerat e mia” për zhvillimin socio-emocional të nxënësve të zgjerohet dhe të zbatohet në të gjitha shkollat si pjesë e mësimdhënies dhe të nxënit të përditshëm.
Ky program u prezantua në sistemin arsimor të Malit të Zi në vitin 2015 me mbështetjen e UNICEF-it dhe Byrosë për Arsim. Aktualisht, ekipet e mësimdhënësve në mbi 100 shkolla fillore dhe të mesme po zbatojnë programin, duke mbështetur kështu më shumë se 20,000 nxënës që të mësojnë të njohin emocionet e tyre dhe të njerëzve të tjerë, të zhvillojnë tolerancën dhe empatinë dhe të zgjidhin problemet pa dhunë.
Për më tepër, shkollat duhet të zbatojnë veprime të bazuara në dëshmi. Prandaj, UNICEF-i i bën thirrje gjithashtu sistemit arsimor që të vazhdojë mbledhjen e rregullt të të dhënave për incidencën dhe llojet e dhunës në shkolla dhe masat që po ndërmerren nga shkollat për të parandaluar dhunën dhe për të mbështetur fëmijët kur ajo ndodh, me synimin për të siguruar veprime cilësore dhe efektive shkolla dhe nivele të sistemit.
Me mbështetjen e UNICEF-it, në sistemin arsimor të Malit të Zi është prezantuar një bazë e të dhënave përmes së cilës është e mundur të gjurmohet ky informacion, por shkollat duhet të vazhdojnë të përditësojnë vazhdimisht këtë bazë të dhënash në mënyrë që sistemi arsimor ta përdorë atë për të planifikuar, zbatuar dhe monitoruar siç duhet politikat kundër dhunës në shkolla.
Së fundi, për të siguruar zbatimin efektiv dhe qëndrueshmërinë e këtyre veprimeve, Strategjia e re e Reformës së Sistemit Arsimor që po zhvillohet këtë vit do të duhet të përfshijë këto veprime për parandalimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve dhe ofrimin e mbështetjes adekuate për të gjithë djemtë dhe vajzat në shkollat në Mal të Zi.
Së treti, çdo komunitet në Mal të Zi ka nevojë për mbështetje më të fortë të punës sociale për fëmijët dhe familjet që kanë nevojë për to.
Sistemi i punës sociale në Mal të Zi po përballet me disponueshmërinë e kufizuar të mbështetjes për familjet dhe fëmijët që janë në rrezik ose që janë viktima të dhunës dhe qëndrueshmëria e shërbimeve ekzistuese është vazhdimisht në pikëpyetje.
Për këto arsye, UNICEF i bën thirrje shtetit që të rrisë urgjentisht numrin e punonjësve socialë në Mal të Zi dhe disponueshmërinë e shërbimeve, të cilat mbështesin fëmijët dhe familjet në rrezik për të parandaluar rastet e dhunës, përmes këshillimit, terapisë familjare dhe planeve të kujdesit gjithëpërfshirës për të adresuar sfidat e tyre specifike.
Analiza e UNICEF-it nga viti 2018 tregoi se Qendrat për Mirëqenie Sociale të Malit të Zi kanë nevojë për të paktën 50 punëtorë socialë shtesë, të cilët duhet të veprojnë si menaxherë të rasteve dhe të sigurojnë që shërbimet për të mbështetur fëmijët dhe familjet në rrezik janë të disponueshme në komunitetin e tyre.
Strategjia e re pesëvjeçare për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna duhet të zhvillohet urgjentisht dhe duhet të përfshijë të gjitha këto veprime.
Strategjia duhet të synojë veçanërisht të forcojë bashkëpunimin ndërmjet sektorëve të arsimit, mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, shëndetësisë, policisë dhe gjyqësorit për parandalimin e dhunës dhe të reagojë ndaj saj në mënyrë efektive nëpërmjet procedurave miqësore ndaj fëmijëve.
Kjo strategji duhet të përfshijë gjithashtu trajnime për mediat vendore për të siguruar që ato të raportojnë në mënyrë etike për këtë çështje të të drejtave të fëmijëve me respekt të plotë për interesat më të mira të fëmijëve dhe dinjitetin dhe privatësinë e tyre.
Në nivel global, gjysma e të gjithë nxënësve të moshës 13-15 vjeç, rreth 150 milionë prej tyre, raportojnë se kanë përjetuar dhunë nga bashkëmoshatarët brenda dhe përreth shkollës, sipas raportit të UNICEF-it 2018. Një mësim i përditshëm: #JepiFUNDdhunës në shkolla. UNICEF po punon me qeveritë në më shumë se 190 vende dhe territore për të mbështetur fëmijët në mbarë botën për të ushtruar të drejtën e tyre për t'u rritur në mënyrë të sigurt.