BE dhe UNICEF: Zhvillimi i fëmijërisë së hershme duhet të jetë prioritet nacional
BE dhe UNICEF po bashkërendojnë forcat në mbështetje të Malit të Zi për të zhvilluar një sistem efektiv të fëmijërisë së hershme, i cili do të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve, duke mbështetur në ndërkohë edhe kujdestarët.
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 22 TETOR 2020 – Investimi në kujdesin gjatë fëmijërisë së hershme do të thotë t'u sigurosh fëmijëve fillimin më të mirë në jetë dhe t'u ofroni atyre perspektivat më të mira për të ardhmen. Kjo nënkupton uljen e varfërisë së fëmijëve dhe edukimin e qytetarëve të ardhshëm që të jenë të kujdesshëm, të aftë dhe të përgjegjshëm. Për këtë arsye, përmes një iniciative të re 3-vjeçare, Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi dhe UNICEF-i do të mbështesin Malin e Zi me qëllim që ta bëjnë zhvillimin e fëmijërisë së hershme si prioritet nacional.
BE-ja dhe UNICEF-i po bashkërendojnë forcat në mbështetjen e Malit të Zi për të zhvilluar një sistem efektiv të fëmijërisë së hershme, i cili do të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve, duke mbështetur në ndërkohë edhe kujdestarët. Programi 3-vjeçar do të zgjasë deri në korrik të vitit 2023. Ky program po financohet nga Bashkimi Evropian me EUR 1 milion, dhe po zbatohet nga UNICEF-i, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Vitet e para të jetës kanë ndikim të thellësishëm për të ardhmen e një fëmije - në zhvillimin e trurit, shëndetit, mirëqenies, aftësive të tyre për të mësuar në shkollë dhe madje edhe perspektivat e tyre të punës në jetë. Çmimi i mos investimit në fëmijërinë e hershme është të jesh fëmijë me shëndet më të dobët, me më pak aftësi dhe me potencial të reduktuar të fitimit. Kjo do të thotë që shteti do të ketë një ekonomi më të dobët dhe varfëri më të madhe të fëmijëve dhe kështu, do të jetë një barrë më e madhe mbi shëndetin, arsimin dhe sistemet e mirëqenies. Prandaj, faktet janë të qarta: zhvillimi i fëmijërisë së hershme duhet të jetë prioritet nacional. UNICEF-i, së bashku me BE-në, do të mbështesin Malin e Zi në këtë fushë.
Delegacioni i BE-së në Mal të Zi gjithashtu e kupton zhvillimin e fëmijërisë së hershme si prioritet me përmasa globale dhe nacionale. Për këtë arsye, ai financon Programin e mbështetjes për zhvillim në fëmijëri të hershme në Mal të Zi.
Vitet e hershme janë thelbësore, për shkak se ato ndikojnë shumë në perspektivat e individëve sa i përket arsimimit, punësimit dhe integrimit të mëvonshëm në jetë. Shërbimet me cilësi të lartë janë thelbësore për përmirësimin e rezultateve të arsimit dhe për fillimin e drejtë të të gjithë nxënësve, veçanërisht atyre që vijnë nga grupet e pafavorizuara. BE-ja dëshiron të garantojë që të gjithë fëmijët do të realizojnë të drejtën për arsim të përballueshëm të fëmijërisë së hershme dhe kujdes të mirë. Ne jemi të kënaqur që po e financojmë këtë iniciativë, duke ndihmuar Malin e Zi të kujdeset për më të vegjëlit e tyre, dhe t'u japim atyre perspektivat më të mira në jetë. Është një nga investimet më të mira që një shtet mund të bëjë.
Qeveritë në të gjithë botën tashmë janë zotuar të mbështesin zhvillimin e fëmijërisë së hershme brenda Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të). Ata tani duhet të mbështesin këtë zotim me veprime, dhe të vendosin zhvillimin e fëmijërisë së hershme në krye të agjendave të tyre ekonomike dhe politike.
Zhvillimi i mirë i hershëm është e drejtë e çdo fëmije. Sigurimi që të gjithë fëmijët në Mal të Zi të realizojnë këtë të drejtë do të jetë prioritet për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm dhe përshpejtimin e procesit të antarësimit në BE.
Kjo iniciativë e përbashkët e BE-së dhe UNICEF-it do të përfshijë bashkëpunimin me sistemet e shëndetësisë, arsimit, me sistemet sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve. Në fushën e shëndetësisë, fushatat e ndërgjegjësimit do të zbatohen për të rritur normat e gji-dhënies dhe imunizimit. Programi gjithashtu do të punojë me institucionet arsimore dhe prindërit për të përmirësuar normat e regjistrimit parashkollor. Në lidhje me mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve, iniciativa do të sigurojë që nevojat e fëmijëve të vegjël të varfër dhe ata të lënë pas dore të merren parasysh në zhvillimin e politikave.
Përmes kësaj iniciative, BE dhe UNICEF do të ndihmojnë autoritetet malazeze për të zhvilluar dhe zbatuar një strategjinë kombëtare për zhvillimin e fëmijërisë së hershme, duke ngritur kështu vetëdijen e përgjithshme për rëndësinë e zhvillimit të hershëm të fëmijëve. Do të rriten kapacitetet e shërbimeve shëndetësore, mbrojtëse dhe arsimore për të ofruar shërbime të përshtatshme për familjet dhe fëmijët e vegjël, duke përfshirë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Në fund, prindërit dhe kujdestarët do të kenë mundësi për të marrë njohuri dhe aftësi të reja, të cilat do t'iu mundësojnë atyre t'u sigurojnë fëmijëve më lehtë kujdesin pozitiv, të përgjegjshëm dhe edukues.
Informacion rreth historikut
SHËNDETËSIA
Një sondazh i UNICEF-it i kryer në vitin 2018, ka treguar se nga pesë foshnje në Mal të Zi vetëm një ushqehet ekskluzivisht me gji gjatë gjashtë muajve të parë të jetës, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon ushqyerjen ekskluzive me gji gjatë kësaj periudhe. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, më pak se gjysma e fëmijëve të Malit të Zi (42%) kanë marrë dozën e tyre të parë të vaksinës MMR në vitin 2018. Fruthi mund të përhapet lehtësisht nëse nuk ka imunizim të duhur, duke rrezikuar jetën. Vaksina MMR ka shpëtuar pothuajse një milion jetë në vit gjatë dy dekadave të fundit.
ARSIMIMI
Sipas MONSTAT, në vitin 2019, 73% e fëmijëve të moshës 3-6 janë regjistruar në arsimin parashkollor në Malin e Zi, me normat më të ulëta të shfaqura në veri të Malit të Zi. Pjesëmarrja e fëmijëve në arsimin parashkollor nga familjet Rome është e ulët, respektivisht 16%. Vitin e kaluar, numri i përgjithshëm i fëmijëve me aftësi të kufizuara që ndjekin arsimin parashkollor ka qenë vetëm 66. Kërkimet shkencore tregojnë se fëmijët që ndjekin arsimin parashkollor tregojnë rezultate më të mira në shkollë më vonë, si dhe zhvillojnë inteligjencë më të fortë sociale dhe emocionale. Arsimi parashkollor mund të kontribuojë ndjeshëm në thyerjen e ciklit të varfërisë ndër breza.
MBROJTJA E FËMIJËVE
Sipas hulumtimit të UNICEF të zhvilluar në vitin 2018, derisa shumica e nënave (84%) merren me fëmijët e tyre në aktivitete si leximi, këndimi dhe loja, pak më pak se gjysma e të gjithë baballarëve (44%) i angazhojnë fëmijët e tyre në këto aktivitete. Në të njëjtën kohë, mbi 70 për qind e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç kanë qenë të ekspozuar ndaj ndëshkimit fizik dhe psikologjik në shtëpi. Të jesh prind është ndoshta detyra më sfiduese në jetë. Mbështetja më e madhe për të gjithë prindërit për të përballuar këtë përgjegjësi në mënyrë efektive do të sigurohet përmes programeve të ndryshme të prindërimit në tërë vendin.