Bashkësia e Komunave mbështet sigurimin e hapësirave për mbajtjen e orëve mësimore

Bashkësia e Komunave në Mal të Zi i bashkëngjitet thirrjes së UNICEF-it për të hapur shkollat duke respektuar të gjitha masat epidemiologjike

UNICEF Mali i Zi
djecak u učionici
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2020
22 Prill 2021

PODGORICË, 22 PRILL 2021 - Bashkësia e Komunave në Mal të Zi i bashkëngjitet thirrjes së UNICEF-it për të hapur shkollat duke respektuar të gjitha masat epidemiologjike. Për më tepër, Bashkësia e Komunave është e gatshme për të mbështetur arsimin cilësor dhe gjithëpërfshirës gjatë pandemisë përmes një bashkëpunimi midis autoriteteve komunale, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sporteve si dhe Institutit të Shëndetit Publik që ka për qëllim sigurimin e hapësirave në komunitetet lokale për organizimin e orëve mësimore në mënyrë të sigurt.

Sigurimi nga autoritetet komunale i hapësirave të brendshme dhe të jashtme për arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm, sipas nevojës, do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit me objekte të mbingarkuara shkollore dhe parashkollore. Kjo gjithashtu do t’u mundësojë fëmijëve që jetojnë në varfëri, të cilët nuk kanë pajisje digjitale dhe aftësi për të përdorur ato pajisje digjitale, që të ndjekin orët mësimore në internet, për të vazhduar pastaj në mënyrë të sigurt me arsimimin e tyre gjatë pandemisë pa përdorim të internetit.

Dr. Ivan Vukoviq, Kryetar i Kuvendit të Bashkësisë së Komunave në Mal të Zi

Kjo lloj mbështetje nga autoritetet komunale do të nënkuptonte gjithashtu se mund të identifikohen hapësira për aktivitete të ndryshme ekstra-kurrikulare që do të organizohen në komunitetet lokale gjatë pandemisë. Pas një viti izolimi, kjo do të ishte shumë domethënëse për të mësuarit, shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve.

Mungesa një vjeçare nga bankat shkollore për shkak të pandemisë, pa dyshim që ka lënë pasoja negative në arsimimin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve. Duke pasur parasysh rëndësinë e socializimit dhe mbështetjes institucionale për edukimin e fëmijëve, ne mbështesim plotësisht thirrjen e UNICEF-it dhe do të përfshihemi në përpjekjet e përbashkëta të të gjitha institucioneve për të siguruar kushtet e nevojshme për mësimdhënie direkte (offline), të cilat do t'i përgjigjen më së miri nevojave të fëmijëve pas një periudhe të gjatë izolimi.

Dushan Raiçeviq, Kryetar i Komitetit Drejtues të Bashkësisë së Komunave në Mal të Zi

Bashkëpunimi i autoriteteve komunale me shkollat edhe ashtu është pjesë e politikave lokale për të rinjtë.

Bashkësia e Komunave do të përdorë strukturat e saj organizative dhe kanalet e komunikimit për të siguruar mbështetje të plotë për punën e përbashkët të autoriteteve komunale, institucioneve arsimore dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sporteve. Së bashku, ne mund të organizojmë punën e institucioneve arsimore ashtu që të përfshihen sa më shumë fëmijë që të jetë e mundur në mësimdhënie direkte (offline) në një mjedis të sigurt. Mbështetja cilësore e procesit arsimor do të kontribuojë në zbatimin e politikave për të rinjtë në nivelin lokal. Ky është interesi dhe qëllimi strategjik i secilit komunitet lokal.

Refik Bojaxhiq, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë së Komunave në Mal të Zi

Sipas Përfaqësuesit të UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander, bashkëpunimi midis autoriteteve komunale dhe shkollave do të ndihmonte në përgatitjen e vitit të ardhshëm shkollor, që të jetë më gjithëpërfshirës dhe shumë më cilësorë. Kjo gjithashtu do të mundësojë që shkollat ​​të qëndrojnë të hapura deri në fund të pandemisë.

Si autoritetet lokale, ashtu edhe ato qendrore kanë për detyrë të punojnë së bashku për të organizuar një proces arsimor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe cilësor për çdo fëmijë gjatë periudhës së pandemisë. Kjo është përgjegjësia e tyre ndaj fëmijëve, prindërve dhe qytetarëve të Malit të Zi. UNICEF-i është i gatshëm të mbështesë këto përpjekje.

Juan Santander, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi

UNICEF është gjithashtu i gatshëm të mbështesë një dialog midis autoriteteve komunale dhe Ministrisë së Financave dhe Mirëqenies Sociale për të identifikuar burime të qëndrueshme të financimit për qendrat e kujdesit ditor të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe për shërbime të tjera sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve. Gjithashtu, UNICEF-i dhe Bashkësia e Komunave në Mal të Zi do të punojnë së bashku në promovimin e imunizimit MMR në mbarë vendin.