Çdo fëmijë ka nevojë për familje
UNICEF-i i bën thirrje qeverisë së Malit të Zi të krijojë një Qendër Përkujdesjeje

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 26 NËNTOR 2021 – Vetëm njëqind nga pothuajse gjysmë milioni qytetarë të rritur të Malit të Zi duhet të trajnohen për përkujdesje në mënyrë që Mali i Zi të sigurojë që çdo fëmijë të rritet në një familje. Në të njëjtën kohë, kjo është zgjidhja më ekonomike për reformën e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, pasiqë, sipas hulumtimeve të kryera në vendet e BE-së, vendosja e fëmijëve në një institucion është mesatarisht tre herë më e shtrenjtë se përkujdesja. Pikërisht për këto arsye UNICEF-i i bën thirrje qeverisë së Malit të Zi që ta krijojë një Qendër të përkujdesjes, e cila do të jetë përgjegjëse për trajnimin e përkujdesjes, monitorimin e cilësisë dhe promovimin e përkujdesjes në vend. UNICEF-i gjithashtu bën thirrje për zhvillimin e mëtejshëm të shërbimit të bashkëpunëtorit familjarë, përmes të cilit punëtorët socialë i vizitojnë rregullisht familjet në krizë për t'i ndihmuar në stabilizimin dhe parandalimin e zhvendosjes së fëmijëve nga familjet e tyre.

Sot në Bijelo kam dëgjuar se në Mal të Zi janë 90 fëmijë pa përkujdesje prindërore dhe në mesin e tyre ka edhe fëmijë me të meta në zhvillim. Të gjithë këta fëmijë duhet të jenë në familje. Në mënyrë që kjo të ndodhë, Mali i Zi duhet ta krijojë një Qendër të përkujdesjes, e cila do të jetë përgjegjëse për trajnimin e të gjithë prindërve të përkujdesjes, por edhe për promovimin dhe monitorimin e cilësisë së shërbimeve të përkujdesjes në Mal të Zi.
Santander theksoi se nevojitet mbështetje e veçantë për familjet përkujdesëse që do të kujdesen për fëmijët me të meta në zhvillim. Përveç kësaj, UNICEF-i bën thirrje për rritjen e mbështetjes financiare për përkujdesje, në mënyrë që ata që duan të bëhen përkujdesës, të mund t'u ofrojnë fëmijëve një standard të mirë jetese. Ekspertët në Shtëpinë e fëmijëve në Bijelo mbështesin thirrjen e UNICEF-it për krijimin urgjent të Qendrës së përkujdesjës në Mal të Zi.
Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme për institucionin tonë, në kohën që po vjen, është zhvillimi i shërbimit të Qendrës për strehim familjar, përkatësisht përkujdesje familjare. Shërbimi që e quajmë Qendra për strehim familjar, përkatësisht përkujdesje do të rezultojë në vendosjen e një numri më të vogël fëmijësh në këtë institucion, gjë që sigurisht është një synim për të gjithë ne.

Për ta parandaluar ndarjen e fëmijëve nga prindërit dhe për ta reduktuar numrin e fëmijëve që duhet të vendosen në familje për përkujdesje familjare ose të adoptohen, është e nevojshme të sigurohet mbështetje për familjet në krizë nëpërmjet shërbimit të një bashkëpunëtori familjar.
„Pikërisht për këtë arsye, ne bëjmë thirrje për rritjen e numrit të punëtorëve socialë që i vizitojnë familjet në situata krize që t'i ndihmojnë ato t'i tejkalojnë vështirësitë dhe të shmangin largimin e një fëmije nga familja”, tha Santander.
Edhe Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale njeh vlerën e shërbimit të quajtur bashkëpunëtor familjar dhe nevojën për ta zhvilluar më tej.

Duhet theksuar se shërbimi i bashkëpunëtorit familjar është shumë i rëndësishëm për t'u standardizuar dhe zhvilluar në periudhën e ardhshme, si dhe në këtë kuptim, shërbimet e përkujdesjes, jo vetëm përkujdesja farefisnore , por edhe përkujdesja jofarefisnore, pastaj, urgjentisht dhe në mënyrë të specializuar, në periudhën e ardhshme do ta zhvillojmë më shumë se që ka qenë deri tani.
Në dhjetor të vitit të kaluar, në një anketë përfaqësuese kombëtare të kryer nga Ipsos/i, 77 për qind e qytetarëve të Malit të Zi kanë theksuar se është mirë që një fëmijë pa përkujdesje prindërore të vendoset në një familje të përkujdesjes, dhe jo në një institucion. Tre të katërtat e qytetarëve kanë theksuar se çdo fëmijë, pavarësisht karakteristikave personale, mund të vendoset në një familje të kujdesjes ose të adoptohet. Këto të dhëna tregojnë se shumica e qytetarëve të Malit të Zi mbështesin investime më të mëdha shtetërore në shërbime siç është Qendra e përkujdesjes dhe bashkëpunëtori familjar, që do t'i mundësonte çdo fëmije në Mal të Zi të rritet në një familje.