“Zgjidhja e lomshit” për fëmijët me aftësi të kufizuara

Bashkimi Evropian dhe UNICEF u bashkuan për të promovuar gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë.

English
UNICEF/2023/A.Nimani

Fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë përballen me sfida të mëdha, duke përfshirë mungesën e identifikimit të hershëm të ngecjes në zhvillim dhe mbështetjes nga sistemet shëndetësore dhe arsimore, si dhe barrierat fizike, të informacionit dhe përjashtimin e përhapur për shkak të stigmës.

Për t’iu përgjigjur këtyre çështjeve, UNICEF-i në Kosovë, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian dhe në bashkëpunim me partnerët, nisi fushatën #ZgjidheLomshin; #TgjithNperfshirje. Kjo nismë ftoi vendimmarrësit, shoqërinë civile dhe publikun në Kosovë të bashkohen për t’i bërë të drejtat dhe nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara një prioritet të përbashkët.

Fushata ishte në përputhje me prioritetet e UNICEF-it për të gjeneruar të dhëna për fëmijët me aftësi të kufizuara, siç është Analiza e Situatës së Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara (SitAn), e cila ofron një pasqyrë më të qartë të sfidave dhe nevojave të tyre, si dhe të mënyrës se si legjislacioni dhe politikat mund të ndryshohen bazuar në të dhëna të disponueshme. Për më tepër, në vitin 2024, rreth 3,800 fëmijë të cenueshëm (40% vajza) përfituan nga shërbime sociale cilësore të mbështetura nga UNICEF, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara.

Një hap i madh drejt përfshirjes ishte zotimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për të punësuar 500 mësues asistentë deri në vitin 2025, duke transformuar sistemin arsimor, duke e bërë më gjithëpërfshirës dhe duke siguruar që fëmijët me aftësi të kufizuara të marrin mbështetjen që u nevojitet për të arritur rezultate sa më të mira në shkollat e Kosovës.

Pjesë e rëndësishme e fushatës ishte “Lomshi”, një instalacion arti tre metra i gjatë, i krijuar nga 2,000 metra litar, me peshë 400 kg, i cili simbolizonte sfidat e ndërlikuara dhe të ndërlidhura që përballen çdo ditë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre.

Fushata dha shpresë për zgjidhjen e lomshit përmes katër thirrjeve kryesore për veprim:

Rezultatet kryesore të fushatës

Fushata për të drejtat dhe përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara u realizua në Prishtinë, Gjilan, Graçanicë, Lipjan dhe Gjakovë, duke filluar në shtator të vitit 2023. Ajo përfshiu një sërë aktivitetesh për rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e përfshirjes. E hapur për publikun, fushata përfshiu instalacionin, dialog dhe ngjarje publike, duke krijuar platforma për fëmijët dhe prindërit që të shprehnin kërkesat e tyre për ndryshim dhe përfshirje në komunitetet e tyre përballë vendimmarrësve.

Si rezultat, komuna e Prishtinës u zotua të vazhdojë mbështetjen financiare për OJQ-të që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta sociale, me fokus te fëmijët me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, ata premtuan të mbajnë një subvencion vjetor për çdo fëmijë dhe të vazhdojnë punën për ta bërë Prishtinën të lirë nga pengesat për çdo fëmijë. Në Gjakovë, kryetari i komunës u zotua të ndajë buxhet për organizatat që punojnë me persona me aftësi të kufizuara dhe të bëjë Gjakovën të qasshme për të gjithë.

Graçanicë, fokusi ishte te bashkëpunimi, duke bashkuar akterë lokalë për të diskutuar veprimet e përbashkëta për të mbështetur fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa në Gjilan komuna trefishoi buxhetin e dedikuar për mbështetjen dhe përmirësimin e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara. Lipjani hartoi një plan pune komunal për të mbështetur agjendën e përfshirjes dhe për të forcuar iniciativat lokale që promovojnë mbështetje gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Në të gjitha komunat, fushata pati pjesëmarrje aktive nga liderët lokalë, duke përfshirë kryetarë dhe nënkryetarë komunash, përfaqësues të Bashkimit Evropian, ambasadorë, OJQ, prindër, fëmijë dhe anëtarë të komunitetit. Pjesëmarrja e tyre kolektive reflektoi një angazhim dhe unitet për të avokuar për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe për të ndërtuar komunitete më gjithëpërfshirëse.

Rezultatet kryesore

  • Suksesi i avokimit: Katër komuna—Prishtina, Gjilani, Lipjani dhe Gjakova—nënshkruan zotime formale për të zbatuar politika gjithëpërfshirëse, për të rritur ndarjen e buxhetit dhe për të përmirësuar qasjen për fëmijët me aftësi të kufizuara.
  • Veprime konkrete të zotuara: Komunat u angazhuan për veprime si krijimi i hapësirave publike pa pengesa, rritja e mbështetjes për OJQ-të që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta për fëmijët me aftësi të kufizuara, punësimi i mësuesve asistentë për fëmijët në shkolla dhe përmirësimi i qasjes në edukimin e hershëm.
  • Angazhimi i komunitetit: Mbi 650 kërkesa nga fëmijët, prindërit dhe mbështetës të tjerë u mblodhën gjatë fushatës, duke ofruar informata të vlefshme mbi nevojat dhe aspiratat e tyre. Këto kërkesa iu prezantuan vendimmarrësve nga të rinjtë avokues, të cilët mobilizuan kryetarët për të miratuar dhe buxhetuar ndërhyrje që do të përmirësojnë infrastrukturën dhe qasjen në hapësirat dhe shërbimet publike për fëmijët me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, të rinjtë avokues u angazhuan t'i dorëzojnë këto kërkesa Kryeministrit të Kosovës.
  • Fuqia e avokimit të të rinjve për të sjellë ndryshime: Të rinj adoleshentë, të njohur si "kampionë të fëmijëve," përfaqësuan bashkëmoshatarët e tyre dhe ndanë historitë e tyre me liderët komunalë, duke ngritur zërat dhe nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Rruga e tyre e avokimit përfshiu disa takime dhe vizita në zyrat e kryetarëve, duke trokitur në dyert e tyre për të ngritur shqetësimet e miqve dhe bashkëmoshatarëve të tyre. Për shembull, Esra, 14 vjeçare nga Mitrovica, e cila udhëton çdo javë në Prishtinë për të marrë shërbime shëndetësore, tha: “Çdo hap që hedhim së bashku na afron më pranë një bote ku të gjithë i përkasim. Një ditë në jetën e Esrës: Kthimi i sfidave në shpresë.” Ndërsa Adriatiku deklaroi: “Të jem zë për të drejtat e miqve të mi është jashtëzakonisht fuqizuese.” Ata e dinë se lufta e tyre për të drejta nuk është vetëm për veten e tyre, por për të gjithë fëmijët që meritojnë një botë që i mirëpret. Zgjidhja e “lomshit" -Rrugëtimi i Adriatikut drejt avokimit dhe gjithëpërfshirjes.
  • Ndërgjegjësimi dhe arritjet: Fushata arriti mbi 1.1 milionë njerëz, përmes platformave digjitale dhe aktiviteteve fizike, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e krijimit të infrastrukturës dhe shërbimeve gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Rezultatet e fushatës #ZgjidheLomshin theksuan fuqinë e bashkëpunimit midis autoriteteve lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit. Kjo u demonstrua gjatë një momenti të rëndësishëm për Adriatikun dhe bashkëmoshatarët e tij, kur kryetari i Gjakovës nënshkroi një zotim për gjithëpërfshirje, i cili shënoi një arritje të rëndësishme kolektive. “Zotimi i kryetarit të komunës u ndje si një peshë që u hoq nga supet tona, duke treguar se puna jonë e madhe në avokim po bën një ndryshim,” kujtoi Adriatiku, duke theksuar rëndësinë e zotimeve konkrete nga udhëheqësit lokalë. Ky zotim, që simbolizon përkushtimin e kryetarit për gjithëpërfshirje, ishte një moment historik për të siguruar që fëmijët me aftësi të kufizuara të integrohen plotësisht në shoqëri, duke përforcuar mesazhin e shpresës dhe ndryshimit.

Fushata hodhi themelet për përpjekje të vazhdueshme për të promovuar qasjen, barazinë dhe mundësitë për të gjithë fëmijët në të gjithë Kosovën.

Resurset

Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows