Zbatimi i masave të diversitetit
Në sistemin e drejtësisë për të mitur në Kosovë
- English
- Shqip
Highlights
Studimi mbi Zbatimin e masave të diversitetit në sistemin e drejtësisë për të mitur në Kosovë është zhvilluar me qëllim të vlerësimit të zbatimit në praktikë të masave të diversitetit – një komponent kyç i sistemit të drejtësisë miqësor për fëmijët. Masat e diversitetit përfaqësojnë alternativa ndaj procedurave formale penale, duke mundësuar rehabilitimin dhe ri-integrimin e të miturve në konflikt me ligjin dhe shmangien e stigmatizimit dhe institucionalizimit të panevojshëm.
I zhvilluar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Mbrojtja e fëmijëve të cenueshëm në Kosovë” dhe i zbatuar nga UNICEF në bashkëpunim me KOMF-in dhe institucionet vendore, studimi vlerëson aspektet ligjore, institucionale dhe praktike të zbatimit të masave të diversitetit. Studimi bazohet në një qasje të orientuar nga të drejtat e fëmijës, në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës dhe kornizat globale të UNICEF-it për drejtësinë për fëmijët.
Përmes një qasjeje metodologjike të kombinuar, studimi përfshiu një analizë të kuadrit ligjor dhe institucional, analizë të të dhënave statistikore për periudhën 2023–2024 si dhe intervista me mbi 30 profesionistë të përfshirë në sistemin e drejtësisë për të mitur. Gjetjet nxjerrin në pah mospërputhje të dukshme ndërmjet përparimeve ligjore dhe zbatimit të tyre në praktikë.
Vetëm 10% e të miturve në kontakt me sistemin e drejtësisë kanë përfituar nga masa të formalizuara të diversitetit, ndërsa 33% janë përfshirë përmes diskrecionit të prokurorit. Megjithatë, 67% e të miturve janë dërguar në gjykatë, që bie ndesh me frymën e Kodit për Drejtësinë për të Mitur. Me shqetësim theksohet fakti se në disa raste masat e diversitetit janë shqiptuar nga gjykatat, ndonëse Kodi përcakton qartë se kjo kompetencë u takon prokurorëve.
Studimi evidenton mungesë të kuptimit të drejtësisë restauruese, qasje të ndryshme në mes të zyrave të prokurorive, dhe mungesë të mekanizmave për zbatimin e masave të reja të diversitetit. Megjithëse numri i masave të diversitetit është rritur nga 237 në vitin 2023 në 305 në vitin 2024, përdorimi i tyre mbetet i ulët në raport me potencialin e sistemit.
Rekomandimet e studimit përfshijnë nevojën për investim në ndërtimin e kapaciteteve profesionale, përmirësim të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe hartimin e procedurave standarde të qarta. Zbatimi i këtyre rekomandimeve synon që masat e diversitetit të bëhen pjesë përbërëse dhe funksionale e sistemit të drejtësisë për të mitur në përputhje me standardet ndërkombëtare.