Zërat e të rinjve që udhëheqin ndryshimin në rajonin e Mitrovicës
Të rinjtë në mbarë rajonin e Mitrovicës po dëshmojnë se, kur u jepet mbështetja e duhur, ata mund t’i kthejnë idetë në veprim dhe të sjellin ndryshim të vërtetë në komunitetet e tyre.
Të rinjtë në mbarë rajonin e Mitrovicës po dëshmojnë se, kur u jepet mbështetja e duhur, ata mund t’i kthejnë idetë në veprim dhe të sjellin ndryshim të vërtetë në komunitetet e tyre. Me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, programet si UPSHIFT, Podium dhe Ponder, të zbatuara nga UNICEF, po u ndihmojnë adoleshentëve dhe të rinjve jo vetëm të fitojnë shkathtësi të reja, por edhe të ndërtojnë vetëbesimin për të udhëhequr, krijojnë inovacione dhe avokojnë për komunitete më të mira. Përvojat e këtyre të rinjve tregojnë kreativitetin që lind kur rinjtë fuqizohen me shkathtësi, mentorim dhe mbështetje.
“Përvoja në program ishte e shkëlqyer — mësova shumë gjëra të reja dhe fitova njohuri të vlefshme. Ky program më fuqizoi të qëndroj pas iniciativave të mia dhe t’i prezantoj ato me vetëbesim, me një plan të mirëstrukturuar. Takova njerëz të rinj, krijova miqësi dhe në përgjithësi kalova një kohë shumë të mirë.” - Petra Bozovic, Zubin Potok
Përvoja e Petrës pasqyron thelbin e programit: krijimin e hapësirave të sigurta dhe frymëzuese ku të rinjtë mund të eksplorojnë ide, të ndërtojnë vetëbesimin dhe të mësojnë si t’i kthejnë sfidat në mundësi.
“Gjatë programit Ponder, fitova aftësi të rëndësishme në mendimin kritik, punën në ekip dhe të folurit në publik. Mësova si t’i shndërroj idetë në projekte konkrete dhe si të bashkëpunoj me të tjerët në zgjidhjen e çështjeve shoqërore. Këto përvoja më ndihmuan të ndërtoj vetëbesim dhe aftësi komunikimi që ishin thelbësore për të gjetur punën time.” - Marija Stanojevic, Mitrovicë e Veriut
Rrugëtimi i Marijës tregon se si edukimi joformal mund të ndikojë në jetën e të rinjve, duke u dhënë atyre jo vetëm aftësi praktike, por edhe mënyrën e të menduarit që u nevojitet për sukses.
“Projekti ‘Smart Bench’, në të cilin punuam unë dhe ekipi im, më solli shumë përvoja të bukura, shkathtësi të reja dhe kohë të mrekullueshme me njerëz të gatshëm për punë ekipore. Vendimi për të marrë pjesë ishte padyshim një nga vendimet më të mira që kam marrë, dhe me kënaqësi do të angazhohem edhe në mundësi të tjera në të ardhmen.”
— Mateja Petrovic, Leposaviq
Iniciativa “Smart Bench” e Matejës, së bashku me dhjetëra projekte të tjera të udhëhequra nga të rinjtë në rajon, tregon se si kreativiteti dhe puna ekipore mund t’i kthejnë idetë e thjeshta në zgjidhje që përfitojnë një shkollë apo komunitet të tërë. Nga transformimi i oborreve shkollore me banka diellore që ofrojnë karikim dhe Wi-Fi falas, deri te krijimi i një Këndi Kreativ plot ngjyra në Shkollën Fillore “Nikola Tesla”, që frymëzon imagjinatën dhe mësimin me gëzim, të rinjtë po e riformësojnë mjedisin e tyre sipas nevojave reale.
Në të gjitha këto iniciativa, adoleshentët dhe të rinjtë ndajnë hapur përvojat, sfidat dhe shpresat e tyre për një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe më të lidhur. Historitë e tyre tregojnë se, kur u jepet mundësia, të rinjtë mbeten të vendosur për të mësuar, kontribuar dhe ndërtuar komunitete më të forta.
“Për shumë të rinj në rajonin e Mitrovicës, mundësitë për të marrë iniciativa apo për të ndikuar në komunitetin e tyre janë të kufizuara për shkak të një mjedisi të ndërlikuar politik dhe shoqëror. Pikërisht për këtë arsye këto programe janë kaq të rëndësishme. Kur të rinjve u jepet qoftë edhe një hapësirë e vogël për të udhëhequr, krijuar dhe për t’u dëgjuar, ata e përdorin atë me përgjegjësi dhe maturi — jo vetëm për veten e tyre, por për komunitetet ku jetojnë,” tha Ivana Milosavljevic, UNICEF Kosovë.
Nga viti 2020 deri në vitin 2025, iniciativat e mbështetura nga UNICEF dhe Agjencia Austriake për Bashkëpunim në rajonin e Mitrovicës kanë përfshirë mbi 10,000 adoleshentë dhe të rinj, kanë forcuar udhëheqjen rinore dhe kanë nxitur një kulturë në rritje të vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes qytetare. Qoftë përmes modelit të inovacionit social të UPSHIFT-it, trajnimeve për avokim të Podium-it apo mësimit të shkathtësive mediatike dhe mendimit kritik përmes Ponder-it, të rinjtë po fitojnë mjetet për të sjellë ndryshime pozitive në komunitetet e tyre.
Zërat, kreativiteti dhe guximi i tyre dëshmojnë se, kur të rinjtë mbështeten, ata mund të forcojnë kohezionin shoqëror, të ndërtojnë ura mes komuniteteve dhe të udhëheqin drejt një të ardhmeje më paqësore dhe gjithëpërfshirëse.