Shqipëria dhe Kosova shkëmbejnë përvoja për zbatimin e MICS 7
Shqipëria dhe Kosova po forcojnë bashkëpunimin përmes shkëmbimit të përvojës, të përqendruar në mësimet praktike nga mbledhja e të dhënave të MICS7.
Me mbështetjen e UNICEF Shqipëri dhe UNICEF Kosovë, një delegacion ekspertësh nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) vizitoi Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) për të mësuar nga zbatimi aktual në Kosovë i Anketës së Grupit të Treguesve të Shumëfishtë (MICS7) 2025. Vizita, e organizuar nga UNICEF Kosovë, shërbeu si platformë që të dyja palët të mësojnë nga njëra-tjetra, me synimin për të prodhuar të dhëna më cilësore për fëmijët dhe familjet.
Kosova ndodhet aktualisht në fazën përfundimtare të mbledhjes së të dhënave të MICS7, ndërsa Shqipëria po përgatitet të nisë punën në terren në muajt në vijim. Kjo përputhje kohore e bëri shkëmbimin veçanërisht të vlefshëm, duke i mundësuar ekipit shqiptar të vëzhgojë nga afër procedurat në terren dhe të diskutojë sfidat dhe zgjidhjet me kolegët që po e zbatojnë anketën.
Diskutimet u përqendruan në aspektet praktike të zbatimit të anketës, përfshirë ngritjen e kapaciteteve të stafit në terren, mekanizmat e sigurimit të cilësisë dhe komunikimin efektiv me familjet. Konteksti i ngjashëm social mes Shqipërisë dhe Kosovës krijon një bazë të shkëlqyer për harmonizimin e mëtejshëm të mjeteve dhe procedurave.
“Përtej një shkëmbimi mes kolegësh, kjo ishte një takim i profesionistëve të përkushtuar që ndajnë të njëjtin pasion për të dhëna cilësore dhe vendosmërinë për ta bërë MICS një histori suksesi. Faleminderit ekipit të MICS në Kosovë për mikpritjen e ngrohtë dhe njohuritë e vlefshme,” tha Eriona Dhamo, Zëvendës Koordinatore e MICS Shqipëri, e cila udhëhoqi ekipin shqiptar gjatë vizitës.
“Ishte një privilegj të mirëprisnim kolegët tanë nga INSTAT teksa vëzhguan zbatimin e MICS në Kosovë. Vizita e tyre thekson vlerën e vërtetë të shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit. MICS jo vetëm që ofron të dhëna me cilësi të lartë, por edhe ndërton kapacitete afatgjata të zyrave kombëtare të statistikave. ASK është krenare që kontribuon në këtë përpjekje globale dhe jemi të kënaqur që Shqipëria po i bashkohet programit,” u shpreh Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
MICS luan një rol kyç në gjenerimin e të dhënave të qëndrueshme dhe të krahasueshme mbi situatën e fëmijëve dhe grave në të gjithë rajonin. Shkëmbime të tilla forcojnë kapacitetet kombëtare dhe mbështesin hartimin e politikave të bazuara në evidencë, duke kontribuar në avancimin e të drejtave të fëmijëve, përfshirjen sociale dhe përparimin drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.