Informata mbi Anketën e Treguesve të Shumëfishtë (MICS7) të implementuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF në Kosovë

17 Shtator 2025
Embedded video follows

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në bashkëpunim me UNICEF-in, me mbështetje financiare të UNICEF-it, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, UNFPA-së dhe Zyres së Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dhe partnerëve të tjerë, po zbaton ciklin e tretë të Anketës së Tregueseve të Shumëfishtë (MICS) në Kosovë.

MICS-i është një anketë globale e ekonomive familjare, e cila është realizuar për më shumë se dy dekada në më shumë se 100 vende të botës. Qëllimi i anketës është të mbledh informata mbi treguesit kryesorë që përdoren për të vlerësuar situatën e fëmijëve, të rinjve, grave dhe burrave. MICS-i ofron një gamë të gjerë të informatave të nevojshme për të monitoruar zbatimin e strategjive kombëtare që synojnë ta përmirësojnë situatën e fëmijëve në Kosovë.

MICS-i zbatohet me dy anketa paralele – një që përfshin rreth 7,300  familje të popullsisë së përgjithshme dhe një tjetër me rreth 1,500 familje nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian. Të dhënat që mblidhen kanë të bëjnë me zhvillimin e hershëm të fëmijëve, imunizimin, shëndetin, ushqyerjen me gji dhe ushqimin e foshnjave, arsimin e fëmijëve, funksionimin e fëmijëve, martesat e hershme, shëndetin riprodhues të grave, kushtet e jetesës së familjeve, përdorimin e energjisë në familje etj.

Në terren, MICS-i zhvillohet nga ekipe të përbëra nga katër deri në pesë intervistues, një mbikëqyrës dhe një matës antropometrik, të caktuar për ta vizituar një numër specifik të familjeve. Intervistuesit e MICS-it do ta identifikojnë veten duke ua treguar letrën e autorizimit dhe kartat identifikuese të tyre, të lëshuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Intervistuesit do t’ua japin fletushkën që ofron një përmbledhje të asaj se çka është MICS-i dhe pse po zhvillohet në Kosovë. Intervistuesit pritet t’i vizitojnë familjet gjatë periudhës 8 shtator deri më 30 nëntor 2025.

MICS-i është zhvilluar për herë të parë në Kosovë në vitin 2013–2014 dhe është përsëritur në 2019–2020. Të dhënat e mbledhura nga këto anketa kanë qenë thelbësore për politikëbërje, planifikim strategjik dhe sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve. Edhe ky rund i MICS-it do të sigurojë informata që do ta mundësojnë matjen e progresit të arritur që nga viti 2020. Gjithashtu, treguesit e MICS-it do ta informojnë zhvillimin dhe monitorimin e strategjive kombëtare dhe do të përdoren nga të gjitha institucionet relevante të Kosovës dhe partnerët zhvillimorë për vendimmarrje dhe zhvillim të politikave të bazuara në evidencë.

Ashtu siç do ta theksojnë edhe intervistuesit, gjatë intervistave në familjeve, respondentët sigurohen para së gjithash se çdo gjë që thonë do të mbetet rreptësisht private dhe konfidenciale. Përgjigjet në të gjitha pyetjet do të përdoren vetëm për qëllime analitike/statistikore. Informatat e grumbulluara do të përdoren posaçërisht për të kuptuar më mirë çështjet që janë të rëndësishme për mirëqenien e fëmijëve, grave, burrave dhe familjeve, siç janë: kujdesi shëndetësor për fëmijët e porsalindur dhe nënat, të ushqyerit, zhvillimi në fëmijërinë e hershme, arsimimi, karakteristikat e ekonomisë familjare etj.

Më shumë informata mbi MICS mund të gjenden këtu: https://ask.rks-gov.net/

https://www.unicef.org/kosovoprogramme/sq/monitorimi-i-t%C3%AB-drejtave-t%C3%AB-f%C3%ABmij%C3%ABve

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme