Nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-it në Kosovë mbi Anketën MICS 2025
Prishtinë, 5 Dhjetor 2024 – Në ambientet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), sot u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet ASK-së dhe UNICEF-it, duke zyrtarizuar angazhimin e tyre të përbashkët për ta realizuar Anketën e Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2025 në Kosovë. Ky partneritet thekson përkushtimin e të dyja palëve në përmirësimin e disponueshmërisë së të dhënave për ta informuar vendimmarrjen e bazuar në dëshmi për fëmijët dhe familjet në Kosovë.
MICS është një nga anketat më të mëdha ndërkombëtare të ekonomive familjare në nivel global që gjeneron të dhëna me cilësi të lartë dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht, duke përfshirë 85 për qind të treguesve të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) të lidhura me anketat e ekonomive familjare. Për Kosovën, ky moment shënon raundin e tretë të realizimit të MICS-it, i cili bazohet në përfundimin e suksesshëm të dy anketave të mëparshme të realizuara në vitin 2014 dhe 2020.
“ASK-ja falënderon UNICEF-in për mbështetjen teknike të ofruar si pjesë e programit MICS, dhe presim angazhimin tonë të përbashkët për mbledhjen e të dhënave me cilësi të lartë, që do të jenë jetike për t’i informuar politikat dhe programet në Kosovë.” – tha Avni Kastrati, u.d. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
MICS 2025 në Kosovë do të plotësojë boshllëqet kritike të të dhënave, si dhe do të sigurojë vlerësime për monitorimin e progresit në fushën e shëndetit, edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve. MICS do të gjenerojë të dhëna të detajuara dhe të zbërthyera, si dhe do të mbledhë të dhëna specifike për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian për monitorimin e barazisë dhe gjithpërfshirjen e fëmijëve dhe familjeve të grupeve të margjinalizuara.
Mbledhja e të dhënave është planifikuar të fillojë në pranverën e vitit 2025, me rezultatet e anketimit që planifikohet të publikohen në fund të vitit 2025. Ngjashëm me raundet e mëparshme, ky MICS do të përbëhet nga dy anketa të veçanta: njëra që përfshin popullatën e përgjithshme dhe anketa tjetër përfaqësuese që ka për synim veçanërisht komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.
Anketat MICS të viteve 2014 dhe 2020 në Kosovë kanë qenë jetike për informimin e vendimeve dhe politikave dhe ndarjen e buxhetit, me qëllim të adresimit të sfidave kryesore me të cilat përballen fëmijët dhe familjet në Kosovë.
“UNICEF-i mirëpret bashkëpunimin me ASK-n për ta përmirësuar gjenerimin e të dhënave mbi gjendjen e fëmijëve dhe familjeve në Kosovë. Unë mirëpres përkushtimin e institucioneve të Kosovës në realizimin e anketave të MICS me popullatën e përgjithshme dhe komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian për t’i informuar programet që kanë për qëllim adresimin e nevojave të çdo fëmije në Kosovë, sidomos të fëmijëve dhe familjeve të cënueshme. MICS ofron një pasqyrë, që tregon se statistikat bëhen mjet për ta transformuar jetën e popullatës. Ne bëhemi më të mirë në identifikimin e popullatës së cenueshme dhe në zhvillimin e ndërhyrjeve, duke u bazuar në dëshmi të jetës reale.” – tha Veronika Vashchenko, Udhëheqëse e UNICEF-it në Kosovë.
Për më shumë informacione rreth MICS 2025 dhe mundësive të partneritetit, ju lutemi kontaktoni: Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe zyrën e UNICEF-it në Kosovë.
Kontakte me mediat
Rreth UNICEF
UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.
Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme