Përfshirja e babait në kujdesin ndaj fëmijëve është thelbësore që fëmijët të arrijnë potencialin
Srdjan Djukic nga Zubin Potoku çdo ditë merr pjesë në aktivitete me dy vajzat e tij
Zubin Potok, 1 qershor – Vitet e hershme të fëmijërisë janë kohë e mundësive të mëdha. Kjo është koha kur truri i fëmijëve zhvillohet më shpejt, pasi ata ndërveprojnë me mjedisin e tyre dhe të tjerët.
Këtu bëhet i rëndësishëm roli i të dy prindërve. Truri dhe aftësitë e fëmijëve mund të zhvillohen më së miri me mbështetjen dhe udhëzimin e prindërve.
Fatkeqësisht, të dhënat na tregojnë se përfshirja e të dy prindërve në prindërimin praktik në Kosovë është ende e ulët. Sipas të dhënave më të fundit të MICS, përafërsisht 63 për qind e fëmijëve të moshës 2-4 vjeç angazhohen me anëtarë të rritur të familjes në aktivitete që ofrojnë stimulim të hershëm, ndërsa nënat kanë katër herë më shumë gjasa se baballarët të angazhohen me fëmijët e tyre të moshës 2-4 vjeç në aktivitete që nxisin të nxënit.
Srdjan Djukic, baba i dy vajzave të reja nga komuna e Zubin Potokut, e ka sfiduar këtë trend. Ai është model që tregon se sa i rëndësishëm është përfshirja e baballarëve në jetën e fëmijëve të tyre. Së bashku me gruan dhe dy vajzat e tij Nina 2 vjeçe, dhe Elena 4 vjeçe, ai mori pjesë në festën e 1 Qershorit për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, të organizuar nga UNICEF-i në bashkëpunim me komunën e Zubin Potokut.
“Është e rëndësishme sepse ne u japim udhëzime fëmijëve tanë se si të zgjedhin rrugën e duhur në jetë dhe gjithashtu krijojmë për ta një hapësirë të sigurt dhe të shëndetshme për zhvillimin e tyre që në fillim,” tha Srdjan.
Srdjan është mësues i muzikës në shkollën fillore dhe beson se arti dhe loja janë thelbësore për zhvillimin e hershëm të fëmijëve. Ai kujdeset që çdo ditë të lexojë, të hajë dhe të luajë lojëra me vajzat e tij.
“Unë punoj nga mëngjesi i hershëm që do të thotë se gjatë ditës gruaja ime është më e angazhuar me Ninën, ndërsa Elena vjen me mua në shkollë. Megjithatë, përpiqem të kaloj 2.5 orë në ditë me vajzat e mia duke luajtur lojëra edukative, duke luajtur me lodra etj.” thotë ai.
Maja, bashkëshortja e tij, thotë se është e rëndësishme që të dy prindërit të jenë aktivë dhe të përfshirë në prindërim.
“Me gjithë faktin se është i angazhuar dhe shumë i zënë në punë, ai gjithmonë gjen një mënyrë për të kaluar kohë me vajzat tona çdo ditë, dhe kjo është diçka që unë e shoh si veprim shumë të rëndësishëm nga ana e tij, sepse fëmijët kanë nevojë për të dy prindërit në procesin e të mësuarit” tha Maja.
Maja është amvise dhe për të është shumë e rëndësishme që të ketë pak kohë për veten, pasi është shumë e angazhuar gjatë gjithë ditës me punët e shtëpisë.
“Unë nuk punoj (jashtë shtëpisë), prandaj jam më e angazhuar me Ninën nga mëngjesi deri në fund të ditës, por prania dhe përfshirja e bashkëshortit pas punës më ndihmon që të kem kohë edhe për veten time" tha ajo.
Në një deklaratë të lëshuar më 1 qershor, UNICEF-i theksoi se, si në shumë vende të botës, në Kosovë fëmijët ende përballen me efektet e vazhdueshme të pandemisë COVID-19, e cila ka përmbysur progresin e arritur për dekada me radhë në aksesin në shëndetësi, arsim dhe zhvillim si dhe ka vënë në rrezik mirëqenien mendore të fëmijëve dhe prindërve.
Me rastin e manifestimit të 1 qershorit, i cili shënon edhe fillimin e muajit të prindërimit, janë mbledhur së bashku 500 fëmijë dhe prindër nga institucionet parafillore dhe fillore nga komuna e Zubin Potokut ku gjithashtu u promovua rëndësia e prindërimit pozitiv dhe mbështetja në komunitet për zhvillimin e hershëm të fëmijërisë
Krahas investimeve dhe politikave të drejta të qeverisë, mbështetja prindërore gjatë gjithë kohës, veçanërisht në kohë të vështira, është thelbësore. Investimet që mbështesin zhvillimin në fëmijërinë e hershme vendosin themelin e përmirësimit transformues të rezultateve për fëmijët e vegjël dhe familjet e tyre. Inovacioni digjital për të mbështetur prindërit, siç është aplikacioni i prindërve Foleja, ofron mbështetje të targetuar për prindërit dhe përfshin të gjitha fushat e zhvillimit të fëmijëve, duke rritur kështu të kuptuarit e rëndësisë kritike të mjedisit mbështetës, të shëndetshëm dhe stimulues.