Nga ndjenja e mbingarkesës tek besimi në prindërim

Angazhimi i babait e shndërron prindërimin në një udhëtim të përbashkët

UNICEF
English
UNICEF/2024/S.Karahoda
06 Mars 2025

Në një lagje të vogël në Magurë të Lipjanit, Çlirimtarja dhe Valmiri, dy prindër të rinj, po përjetojnë sfidat dhe gëzimet që sjellë lindja e një fëmije. Në rastin e tyre, brenda një kohe shumë të shkurtër, familja u shtua me dy fëmijë, me Ajanin dhe me Aminën.

Normalisht, Amina, vetëm katër muajshe, ka nevojë për më shumë kujdes dhe vëmendje. Ajani, vetëm 20 muajsh, ka më shumë energji dhe ngadalë po fillon të pavarësohet dhe të ambientohet me jetën, dhe me botën që e rrethon.

“Unë nuk e dija nga t’ia filloja” tregon Çlirimtarja, duke kujtuar javët e para pas kthimit nga spitali, pas lindjes së Ajanit.

“Gjithçka dukej kaq e re dhe e frikshme. A po bëj gjithçka siç duhet? A do të zhvillohet foshnja si duhet? Si do të jem në gjendje ta përballoj stresin? A do të di ta zhvilloj gjidhënien? Në fillim ka qenë shumë problem dhe kam pasur shqetësimet e mia, si çdo nënë” na tregon Çlirimtarja, 24 vjeçare, derisa e vizitojmë në shtëpinë e saj, aty ku ajo po ndërton një të ardhme për familjen e saj të shëndoshë e të vullnetshme.

English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Programi i Vizitave në Shtëpi udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë dhe zbatohet nga institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor. Programi mbështetet nga UNICEF përmes përkrahjes financiare nga Dukati i Madh i Luksemburgut. Ky program solli në jetën e kësaj familjeje këshilla se si duhet rritur një fëmijë, kjo përmes infermiereve dhe doktoreshave të cilat, në mes dyerve tjera të Magurës së Lipjanit, trokitën edhe në derën e kësaj familjeje. Në vitin 2024, Programi i Vizitave në Shtëpi arriti të ofrojë shërbime shëndetësore tek 75% e foshjave të sapolindura. 70% e fëmijëve të lindur në 2023 u mbështetën me shërbime shëndetësore përmes Programit. 

English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Midis tyre, fatin e patën edhe fëmijët e këtij çifti. Infermiere Shemsija dhe doktoresha Esma e vizituan dy herë këtë familje, për të dy fëmijët.

Ndikimi i baballarëve të angazhuar është i qartë. Megjithatë, në Kosovë, vetëm 1 në 10 fëmijë të moshës 2-4 vjeç angazhohen çdo ditë në aktivitete të stimulimit të hershëm me baballarët e tyre, si leximi, tregimi i përrallave apo loja—ndërsa nënat janë katër herë më të prira ta bëjnë këtë. Programi i Vizitave në Shtëpi arriti tek 75% e të porsalindurve në vitin 2024, duke mbështetur të dy prindërit që të luajnë një rol aktiv në rritjen e fëmijëve të tyre.

“Më parë, grindeshim për atë se kush ishte më i lodhur,” pranon Çlirimtarja. “Tani, punojmë si një ekip—nëse unë ushqej Aminën, Valmiri luan me Ajanin. Kjo e ka bërë gjithçka më të lehtë.”

Megjithatë, ndryshimi i mentalitetit nuk është i thjeshtë. “Disa nga shokët e mi bëjnë shaka, duke thënë se ndërrimi i pelenave është ‘punë grash’,” thotë Valmiri. “Por ata po humbasin diçka të madhe. Asgjë nuk krahasohet me shikimin e gëzimin e fytyrës së fëmijës tënd kur e sheh se je aty.”

English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Ndërsa dielli perëndon mbi Magurë, Ajani luan pranë, ndërsa Amina fle në krahët e Valmirit. “Ky program na dha më shumë se këshilla,” thotë ai, duke vështruar familjen e tij. “Na dha besim, punë ekipore dhe gëzimin e të rriturit fëmijët—së bashku.”

Mesazhi i Çlirimtares për prindërit e rinj? “Flisni me njëri-tjetrin, ndani përgjegjësitë, dhe baballarë—angazhohuni që nga dita e parë. Momentet e vogla kanë më shumë rëndësi sesa mendoni.”

English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Studimet në neuroshkencë kanë dëshmuar se kur fëmijët kalojnë vitet e para të jetës—veçanërisht 1,000 ditët e para—në një mjedis të dashur dhe mbështetës, truri i tyre mund të zhvillohet me ritmin optimal. Këto lidhje nervore përcaktojnë aftësitë njohëse të fëmijës, shëndetin dhe lumturinë e tij, mënyrën se si mëson dhe mendon, aftësinë për të përballuar stresin dhe aftësinë për të krijuar marrëdhënie. Hulumtimet sugjerojnë se kur baballarët krijojnë një lidhje me foshnjat e tyre që nga fillimi i jetës, ata kanë më shumë gjasa të luajnë një rol aktiv në zhvillimin e fëmijëve të tyre dhe do të kenë një shëndet psikologjik më të mirë, vetëvlerësim më të lartë dhe kënaqësi më të madhe në jetë në planin afatgjatë.