Mësim, zhvillim dhe udhëheqje

Historitë e praktikantëve të Kosovo Generation Unlimited

UNICEF
English
UNICEF/2025/S.Karahoda
20 Tetor 2025

Kosovo Generation Unlimited (KGenU) u ofron të rinjve të moshës 16–24 vjeç mundësi për punë praktike në sektorë të ndryshëm, nga shëndetësia, media, marketingu, komunikimi, teknologjia e informacionit, deri te sektori i gjelbër. Programi u jep të rinjve shkathtësi praktike, mentorim dhe përvojë reale, për t’i përgatitur për tregun e punës dhe për pjesëmarrje aktive në komunitet.
Programi zbatohet nën udhëheqjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), në partneritet me UNICEF-in në Kosovë dhe Shoqatën Gjermano-Kosovare të Bizneseve, dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

Adonia Donna, 18 vjeçare, nga Prishtina, praktikante në fushën e medias dhe gazetarisë:

“Kjo praktikë më hapi dyert për të eksploruar median, gazetarinë dhe përkthimin, dhe për të takuar shumë njerëz të ndryshëm. Fitova shkathtësi praktike që nuk mund t’i mësoja në shkollë, nga intervistat me profesionistë deri te kuptimi se si komunikimi formëson shoqërinë. Është një hap shumë i rëndësishëm drejt karrierës sime të ardhshme.”

English
UNICEF/2025/KDWV

Fjolla, 19 vjeçare, nga Kamenica, po përfundon punën praktike në sektorin e infermierisë dhe shëndetësisë:

“Kjo punë praktike më ka ndihmuar të mësoj shumë, jo vetëm në aspektin praktik, por edhe si të qasem me kujdes dhe profesionalizëm ndaj pacientëve. Gjatë punës praktike kamë marrë pjesë në shërbime të ndryshme si përgatitja e infuzioneve dhe injeksioneve, pastrimi i plagëve, inhalimet dhe transportimi i pacientëve me autoambulancë. Kjo përvojë më ka rritur pasionin për t’u bërë infermiere në të ardhmen.” 

English
UNICEF/2025/KDWV

Djellza, 18 vjeçare, nga fshati Zakut, Podujevë, po bën punën praktikën në fushën e organizimit të ngjarjeve dhe aktiviteteve:

“Gjithçka ishte e re për mua, por kolegët dhe mbikëqyrësi më bënë të ndihem si në shtëpi që nga dita e parë. Çdo aktivitet, nga planifikimi i ngjarjeve deri te krijimi i përmbajtjeve dhe videove më mësoi diçka me vlerë. Të shihje fëmijët duke buzëqeshur dhe duke marrë pjesë me energji pozitive e bënte gjithë përpjekjen time shumë të vlefshme.”

English
UNICEF/2025/KDWV

Barkın, 19 vjeçar, nga Prizreni, po kryen punë praktike në gastronomi:

“Të shërbesh pije dhe të përgatisësh kafe mund të duket e vogël, por mësova përpikëri, saktësi dhe si të mbështes të tjerët në mënyrë efektive. Kuptova se edhe kontributet e vogla kanë rëndësi dhe ndihmojnë në krijimin e një përvoje më të mirë për të gjithë përreth.”

English
UNICEF/2025/KDWV

Eglendina, 18 vjeçare, nga fshati Obrançë, Podujevë, po përfundon punën praktike në sektorin e arsimit:

“Dita e parë ishte emocionale dhe pak stresuese, por shumë shpejt gjithçka u bë e njohur. E kuptova se zhvillimi nuk ndodh pas një ekrani kompjuteri, por ndodh në ndërveprimet reale. Përmirësova shumë komunikimin, durimin dhe shkathtësitë udhëheqëse duke punuar me fëmijë, dhe çdo moment më mësoi diçka të re.”

English
UNICEF/2025/S.Karahoda

Anduena, 18 vjeçare, nga fshati Surkish, Podujevë, po bën punën praktike në kujdesin për fëmijë:

“Në fillim nuk dija çfarë të prisja. Por kur fëmijët filluan të më përshëndesnin me buzëqeshje të sinqerta, kuptova vlerën e vërtetë të kësaj përvoje. Gjatë javëve, mësova si të jem më kreativite, të kem durim dhe empati. Ky program më dha shkathtësi profesionale, miqësi të përjetshme dhe kujtime që nuk do t’i harroj kurrë.”

English
UNICEF/2025/S.Karahoda

Agnesa, 21 vjeçare, nga Prishtina, po bën punën praktike në komunikim digjital dhe rrjete sociale:

“Një praktikë e vogël mund të hapë dyer të mëdha. Mësova si të menaxhoj rrjete sociale, të krijoj grafika dhe të lidhem me komunitetin. Programi më mësoi se mundësitë nuk ndodhin rastësisht, i krijon vetë duke marrë iniciativë dhe duke qenë proaktive.”

English
UNICEF/2025/KDWV

Merve, 24 vjeçare, nga Prizreni, po përfundon punën praktike në fushën e mjekësisë dhe shëndetësisë:

“Ky program po më përgatit për profesionin tim të ardhshëm. Duke punuar krah mjekëve, fitova njohuri praktike, mësova si të komunikoj me pacientët dhe mora përgjegjësi që nuk i kisha më parë. Çdo ditë ndihesha si një hap më afër së ardhmes sime, dhe çdo mësim do të më mbetet përherë.”

English
UNICEF/2025/KDWV

Igball, 24 vjeçare, nga Prizreni, po bën punë praktike në fushën klinike të shëndetësisë:

“Gjatë kësaj praktike, përforcova njohuritë teorike dhe fitova përvojë reale në mjedis klinik. Mësova rëndësinë e punës në ekip, komunikimit dhe përgjegjësisë. Ndërveprimet me pacientët dhe kolegët më treguan sa shumë ndikim mund të kenë edhe veprimet më të vogla.”

English
UNICEF/2025/KDWV

Mërgime, 21 vjeçare, nga Prizreni, po bën punë praktike në fushën e shërbimit ushqimor:

“Ndihma në kuzhinë më mësoi përgjegjësi, kujdes ndaj detajeve dhe punë ekipore. Nga përgatitja e sallatave deri te pastrimi i kuzhinës, mësova se çdo detyrë kontribuon në suksesin e ekipit. Kjo përvojë më dha vetëbesim dhe krenari për punën time.”

English
UNICEF/2025/KDWV

Që nga nisja e programit, falë mbështetjes së Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, mbi 3,500 të rinj kanë përfituar nga puna praktike e KGenU në sektorë si shëndetësia, media, marketing dhe arsimi. Shumë prej tyre kanë siguruar punësim pas përfundimit të programit, duke dëshmuar efektivitetin e tij në përgatitjen e të rinjve për një kalim më të lehtë drejt tregut të punës.
Një e treta (31%) e të rinjve në Kosovë nuk janë as në arsim, as në punë apo trajnim (NEET), një përqindje më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor.

Andaj, Kosovo Generation Unlimited po fuqizon të rinjtë si Djellza, Merve, Barkın dhe shumë të tjerë për të eksploruar karriera të ndryshme, për të fituar shkathtësi praktike, për të ndërtuar vetëbesim dhe për të krijuar përvoja që ndihmojnë në kalimin nga shkolla drejt punës.