Vërtetë të shijon … por mos të dëmton? – Si “ Fast-food ” Kontribuon Në Kequshqyerjen e Fëmijëve

Çfarë fshihet pas reklamave ngjyra-ngjyra të ushqimeve jo të shendetshme ? Qasje për të parandaluar mbipeshën dhe obezitetin tek fëmijët në Shqipëri.

Nasira Terziu
06 Tetor 2025
Nasira during WCD 2024

Globalisht, në vitin 2022, rreth 37 milionë fëmijë nën 5 vjeç ishin mbipeshë, me një prevalencë prej 5%, ndërsa tek ata nga 5 deri në 19 vjeç, 20% ishin mbipeshë ose obezë, përfshirë 8% të klasifikuar si obezë (WHO, 2022).Në Shqipëri, të dhënat më të fundit të UNICEF-it nga 2024 tregojnë se 17% e fëmijëve nën 5 vjeç janë me mbipeshë. Për fëmijët e moshës shkollore (8–9 vjeç), të dhënat e COSI raportuan se 21–22% ishin me mbipeshë ose obezë, me 9.2% të klasifikuar si obezë, duke nxjerrë në pah një shqetësim në rritje për zakonet e dëmshme ushqimore. “Ne po i vrasim fëmijët nga dashuria. Ndonjëherë duhet të jesh i ashpër për të qenë i mirë,” thotë stomatologia Eri Koçi nga Librazhdi.

Çdo herë që konsumojme dicka , duke e ngrënë ose duke e pirë atë, ose ushqejmë një sëmundje, ose e luftojmë atë. Gjatë dekadave të fundit, numri në rritje i fëmijëve dhe adoleshentëve që përballen me probleme shëndetësore për shkak të ushqyerjes së papërshtatshme, është bërë një nga çështjet më alamante në shoqërinë tonë. Shkaku kryesor është më i dukshëm se sa mendojmë: ushqimi fast-food — dhe më e rëndësishmja , ingranazhet masive të marketingut pas tij, dizajnuar për të rritur konsumin te gjenerata jonë duke nxitur në këtë menyre sëmundjen kryesore të tij —kequshqyerjen.

Në këtë rast, Shqipëria nuk bën përjashtim. Sipas një pyetësori “U-Report” të kryer më 1 Maj 2025, ku 53% e të anketuarve ishin në moshën 15–19 vjeç, burimet kryesore të reklamave të “fast-food” ishin TV, Interneti dhe rrjetet sociale — platformat më të shpejta për të arritur te të rinjtë. Rreth 35% e të anketuarve raportuan se shihnin shpesh reklama për pijet me sheqer ose ato energjike, fast-food ose “snacks” gjatë një jave tipike, ndërsa 34% pranuan se këto reklama ndonjëherë i shtynin të provonin produktet. Shumica e të anketuarve theksuan se këto teknika marketingu shpesh përfshinin figura me ndikim në shoqeri, me personazhe të famshme në krye ( VIP ) , të ndjekur nga “influencers” në rrjetet sociale. Tronditëse dhe për të ardhur keq ishte fakti se 16% pohuan se kishin parë atletë që promovonin këto produkte, gjë që mund të zbehë ndërgjegjësimin e të rinjve në lidhje më efektet negative të këtyre produkteve , pasi të rinjtë kanë shumë besim te këto figura sportive.

Edhe pse gjithçka mund të duket një problem i përqenduar vetëm në qytetet e mëdha si : Tirana, Durrësi dhe Shkodra, realiteti është ndryshe. Qytetet periferike gjithashtu ndiejnë ndikimin e këtij fenomeni, shpesh edhe më të rënduar nga kushtet më të dobëta të jetesës, si në Librazhd. “Zakontet ushqimore të fëmijëve dhe adoleshentëve tani janë globalizuar — ushqimi fast-food është mënyra e shpejtë dhe më e pëlqyer. Ajo që nevojitet urgjentisht, është këshillimi për ushqyerjen e shëndetshme nga personeli përkatës në qendrat shëndetesore të çdo komuniteti në Shqipëri. Punonjësit me përparëse të bardha në këto qendra janë ata të cilet mund të rrisin ndergjegjesimin e çdo grupmoshe. Vështirësitë financiare, informimi jo i saktë, zakonet prapanike të rrënjosura në zonat rurale dhe mungesa e diversitetit ushqimor gjithashtu pengojnë fëmijët të marrin vlerat e duhura kalorike në qytete si i yni,” tha Dr. Antoneta Çota, pediatrja e vetme në Librazhd.

Rastet si ai i Serjanit, një nxënës i klasës së 8-të nga fshati i Dragostunjës, i cili për shkak të obezitetit (dhe mungesës së vlerave ushqimore) është shndërruar në një adoleshent anemik i cili e ka të vështirë të përballojë edhe një grip të lehtë për shkak të kequshqyerjes, vërtetojnë më se miri fjalët e pediatres : një fëmijë periferik përballet më shumë më shumë pengesa në këtë rrugëtim sesa një fëmijë që jeton në zonë urbane ose metropolitane.

Brenda problemit fshihet edhe zgjidhja. Së pari, siç thotë stomatologe Eri, “Ndonjëherë një ‘jo’ është më zemërgjerë se një ‘po.’” Ajo shton se sot nevojitet më shumë kujdes kur ushqejmë një fëmijë dhe se asnjë mungesë përpjekjeje nga prindërit nuk duhet t’i pengojë ata të përgatisin vakte dhe të sigurojnë që fëmijët e tyre të marrin vlerat e duhura ushqimore. Ata gjithashtu duhet të jenë më “dorështrënguar” lidhur me ushqimet e dëmshme në dietën e fëmijëve dhe duhet të nxisin marrjen e ushqimeve organike dhe të shëndetshme, duke i rritur të vegjlit me kulturën e një jetese të shëndetshme.

Nga ana tjetër, si zgjidhje për përmirësimin e situatës, Dr. Antoneta thekson rolin kyç që mund të luajnë shkollat. “Përfshirja e klasave të edukimit ushqimor në kurrikulën shkollore, duke theksuar ndikimin e tyre në shëndetin fizik dhe mendor, dhe sigurimi i vakteve të përgatitura nga një dietolog gjatë pushimeve të drekës, mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në promovimin e një jetese të shëndetshëm që nga mosha e hershme,” shpjegon ajo.

“Qeveria gjithashtu ka një rol të madh këtu. Shumë nëna të reja nuk janë neglizhente, por të keqinformuara . Institucionet shëndetësore duhet të mbajnë takime të rregullta më to për të ofruar edukim mbi ushqyerjen e duhur. Bashkëpunimet e shpeshta midis punonjësve socialë dhe familjeve, përfshirë nënat dhe fëmijët, do të ishin ideale. Për më tepër, kapacitetet e duhura të stafit të institucioneve shëndetësore me njohuri mbi ushqyerjen e shëndetshme janë thelbësore për të siguruar që fëmijët të marrin udhëzimin dhe kujdesin që u nevojitet,” shton gjithashtu Dr. Antoneta.

Si mund të kontribuojë rinia?

Të rinjtë mund të ndihmojnë në luftën kundër kequshqyerjes duke marrë pjesë në programe komunitare, duke ndjekur seminare edukative dhe duke u bashkuar në “workshops” mbi ushqimin e shëndetshëm. Ata gjithashtu mund të vullnetarizojnë në fushata lokale dhe të krijojnë platforma informuese, si faqe në rrjetet sociale, bloge ose “website-s” të thjeshta, për të ndarë këshilla të vlefshme mbi ushqyerjen e duhur, vaktet e shëndetshme dhe rreziqet e “fast food”. Këto platforma mund të tërheqin shumë njerëz, të rrisin vetëdijen dhe të inkurajojnë komunitetin për të bërë zgjedhje më të mira ushqimore. Për më tepër, të rinjtë mund të ngrenë zerin për politika dhe ligje që kufizojnë ushqimin e dëmshëm, duke e nxitur qeverinë të veprojë për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve. Duke bërë këto gjëra, të rinjtë mund të bëhen promovues aktivë të një jetese më të shëndetshme dhe shembull ndryshimi në komunitetet e tyre.

Si anëtare e Bordit Këshillues për Adoleshentët pranë UNICEF-it dhe si aktiviste rinore,unë, Nasira, shoh një brez të tërë të dobësohet nga ajo që supozohet të na rrise sa më të fortë , ushqimi – dhe kjo është vërtetë e dhimbshme. Duke u rritur, gjithmonë na thonin “ne jemi çfarë hamë”. Dhe nëse jemi çfarë hamë, pse të mos zgjedhim të jemi më të mirët? Mendojeni një herë !