UNICEF dhe Fondacioni CREDINS bashkojnë forcat
Një partneritet për zgjerimin e mësimit digjital për fëmijët në Shqipëri
- English
- Shqip
Tiranë, 10 tetor 2026 – UNICEF dhe Fondacioni Credins kanë nisur një partneritet për të zgjeruar mundësitë e të nxënit digjital për fëmijët në Shqipëri. Bashkëpunimi do të mbështesë platformat digjitale miqësore për fëmijët dhe do të fuqizojë mjetet digjitale që përdoren aktualisht në shkolla. Përmes këtij partneriteti, Fondacioni Credins do të kontribuojë që çdo fëmijë të ketë mundësinë të zhvillojë potencialin e tij përmes arsimit cilësor dhe të nxënit gjatë gjithë jetës.
"Si një fondacion që është pranë komunitetit dhe njeh nevojat e tij, ne besojmë te investimi në arsim dhe inovacion.” u shpreh Elvana Hana, Drejtuese Ekzekutive e Fondacionit Credins.
"Partneriteti ynë me UNICEF i pajis brezat e ardhshëm me mjetet dhe besimin e nevojshëm për të pasur sukses. Publiku mund ta mbështesë këtë nismë duke dhuruar 1,000, 2,000 ose 5,000 lekë përmes platformës Smile.al, e mbështetur nga Credins."
Partneriteti synon të përmirësojë mjedisin e të nxënit në shkolla dhe komunitete përmes:
Mbështetjes së programeve kyçe që u japin përparësi aftësive të shkrim-leximit, matematikës dhe zgjidhjes së problemeve.
Promovimit të metodave inovative të mësimdhënies dhe platformave digjitale që i bëjnë mësimet më tërheqëse dhe më efektive.
Pajisjes së shkollave dhe fëmijëve me kompjuterë, tableta dhe burime digjitale për të krijuar klasa më interaktive.
"Zhvillimi i kapitalit njerëzor nis duke i dhënë çdo fëmije mundësinë për të mësuar dhe për të zhvilluar potencialin e tij. Ky partneritet dëshmon fuqinë e sektorit privat për të zgjeruar aksesin në mundësi të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta të të nxënit."
Prej më shumë se një dekade, UNICEF ka mbështetur reformën në arsim në Shqipëri përmes prezantimit të zgjidhjeve inovative, forcimit të kapaciteteve profesionale të mësuesve dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet kombëtare. Kjo nismë kontribuon në avancimin e objektivit të UNICEF-it për reformimin e sistemeve arsimore, në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë akses në arsim cilësor, i cili i përgatit për sfidat e shekullit XXI.