Sporti nuk ka gjini

Historia e Esmeralda Novruzajt, boksieres që sfidoi stereotipet

Esmeralda Novruzaj
Boxer Esmeralda Novruzaj standing proudly on the winner's podium
UNICEF
07 Mars 2026

Unë jam Esmeralda Novruzaj ,vajza nga Radhima që hyri në ring kur të gjithë thanë “boksi nuk bën për vajza” dhe që ende pret mbështetjen e vendit të saj.

Imagjinoni një vajzë 10-vjeçare në Radhime që vrapon në rrugën bregdetare drejt palestrës, me çantën e vogël në shpinë. Pas saj një makina e babit qe e ndjek ngadalë. E ndjek nga krenaria dhe pasioni qe ka per sportin. Kjo vajzë isha unë. Motra ime vraponte para meje. Ishim dy vajzat e para në historinë e Shqipërisë që filluam kickboxin qe ne vitin 2008. Ndeshja e pare zyrtare u be ne Shkoder ne vitin 2010 me kundershtare motren. Dy vajza të vogla, në ringun e Shkodrës, përballë njëra-tjetrës, me doreza më të mëdha se duart tona dhe me emocione që nuk i kishim mësuar ende t’i kontrollonim. Ishte hera e parë që dy vajza shqiptare përballeshin zyrtarisht. Ndeshja përfundoi barazim. Por ajo ditë nuk ishte për rezultatin. Ishte momenti kur u nis një rruge që deri atëherë kishte qenë e mbyllur për vajzat. Pra une keshtu u bera Pionere e kickboxing-ut femëror në Shqipëri (2008-2015). Sot jam 24 vjeçe, kampionia e parë kombëtare  ne sportin e boksit për femra në Shqipëri dhe vendi I tretë ne kampionat Europian.

Boxer Esmeralda Novruzaj standing proudly on the ring with arms raised

Ta nderlidh pak kete aspekt sipas anketës të U-Report Shqipëri 2024, 91% besojnë se aktiviteti fizik është ilaçi më i mirë për shëndetin mendor. Unë bej pjese tek ky grupim prej 91%. Kjo është historia ime, jo vetëm për medaljet, por për çdo vajzë shqiptare që ëndërron të grushtoje pa iu dridhur dora nga paragjykimet.

Për dekada të tëra, boksi për vajzat ishte një fjalë që nuk ekzistonte në fjalorin shqiptar të sportit. “Mos e lëndo fytyrën”, “shko luaj volejboll”, “kjo është për djem” ,këto ishin përgjigjet që merrnin prindërit kur pyesnin për boksin e vajzave. Edhe pas viteve ’90, kur sportet e kontaktit u lejuan, vajzat mbetën jashtë. Nuk kishte gara zyrtare, nuk kishte selektore per sportistet femra ne boks, nuk kishte as modele. Unë dhe motra ime e ndryshuam këtë në 2010: hymë në ring dhe luftuam zyrtarisht në kickboxing  madje edhe kundër njëra-tjetrës. Në vitin 2015 unë kalova në boks dhe ne vitin 2023 u bëra vajza e parë në historinë e Shqipërisë që zhvilloi ndeshje zyrtare në Kampionatin Kombëtar, ku fitova titullin kampione kombetare dhe çmimin “Boksierja më e mirë femër e vitit” Më vonë mora medalje bronzi në Kampionatin Evropian U23 (2024) – e vetmja medalje që Shqipëria mori në atë kompeticion, nga i gjithë ekipi, Sofia, Bullgari. Gjithashtu Pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror (Liverpool 2025) dhe gara të tjera ndërkombëtare dhe e vetmja vajzë në ekipin kombëtar të Shqipërisë që bokson rregullisht brenda dhe jashtë vendit.
Shoqëria po ndryshon ngadalë. Sot ka vajza në palestra në Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Vlorë. Mediat dhe rrjetet sociale po na japin zë. Por stereotipet ende ekzistojnë: “Do bëhesh shumë muskulare”, “Edhe një vajzë të rreh”, “Çfarë do thonë njerëzit?”. Po per mua sporti eshte qetesi e mendjes dhe e shpirtit, mbeshtetur kjo dhe ne UReport sipas anketes 1 në 4 të rinj shqiptarë ndihen shpesh të stresuar ose të dëshpëruar (U-Report 2024), atehere sporti eshte zgjidhja bëhet jo vetëm pasion, por nevojë jetike.

Boxer Esmeralda Novruzaj during a match on the ring facing an opponent

Çdo ditë zgjohem heret ne mëngjes, vrapoj, stërvitem 2–3 herë, mbaj regjim të rreptë ushqimor. Për muaj të tërë nuk takoj familjen, nuk dal me shoqëri. Kam sakrifikuar gjithçka. Boksi është bërë identiteti im, jo thjesht sport, por mënyra se si jetoj. Kur godas thesin, nuk dëgjoj vetëm zhurmën e grushtit, dëgjoj ankthin që largohet. Kur vrapoj në bregdetin e Radhimës, ndjej që zemra dhe mendja më falenderojnë. Jam diplomuar në Fizioterapi Mjekësore sepse gjithmonë kam dashur dijen po aq sa grushtin. Si fizioterapeute, e di shkencërisht se çfarë i bën sporti trupit: ul kortizolin, rrit endorfinat, forcon zemrën. Por si boksere, e di me shpirt: boksi më ka shpëtuar nga dyshimet, më ka dhënë vetëbesim dhe një arsye për të qëndruar e fortë çdo ditë.

Shumicën e rasteve garat, përfshirë Kampionatin Evropian ku fitova medaljen e bronzit, është financuar nga familja ime, e cila ka qenë mbështetja ime e vetme dhe e pakushtëzuar. Ndërkohë, nga institucionet përkatëse nuk kam marrë mbështetjen e nevojshme financiare dhe materiale që zakonisht u garantohet sportistëve elitarë. Rruga ime është shoqëruar nga mungesa e infrastrukturës dhe financimit, duke më detyruar të mbuloj vetë shpenzimet për gara, pajisje dhe kampe stërvitore. Paralelisht, jam përballur me stereotipe gjinore dhe presion shoqëror, që e bëjnë edhe më të vështirë balancimin mes studimeve, sportit dhe jetës personale për një vajzë që zgjedh një sport si boksi.

Frymëzimi im është Donjeta Sadiku – e vetmja boksere shqiptare (femër apo mashkull) që është kualifikuar dy herë në Lojërat Olimpike. Kur e shoh atë, e kuptoj që ëndrra ime për Olimpike nuk është e çmenduri. Është e mundur. Ndikimi im? Çdo ditë marr mesazhe nga vajza,djem edhe prinder vjeçare: “Faleminderit që na perfaqeson. Tani dua të filloj edhe unë”. Rrjetet sociale dhe mediat po na japin zë. Pas 5 vitesh shoh veten në Lojërat Olimpike me flamurin shqiptar në kraharor dhe me qindra vajza që stërviten në palestra moderne në çdo qytet.

Mesazhi im frymëzues për çdo vajzë shqiptare, nëse sot je një vajzë 10-vjeçare që po lexon këtë dhe mendon:
“Mua më pëlqen boksi, por kam frikë çfarë do thonë të tjerët” , dëgjo:
Unë isha ti.
Unë qava natën.
Unë pagova çdo gjë vetë.
Unë u ngrita çdo mëngjes edhe kur askush nuk më besonte.
Dhe tani jam këtu ,duke përfaqësuar Shqipërinë në Bote. Ti nuk ke nevojë për leje nga askush për të qenë e fortë.
Nuk ke nevojë për mbështetje që të fillosh.
Ke nevojë vetëm për një palë doreza dhe një zemër që nuk dorëzohet kurrë.
Një ditë do të jesh ti ajo që do të hapë rrugën për vajzat që vijnë pas teje.
Dhe kur të ngjitesh në podium, do të kuptosh që çdo lot, çdo sakrificë, çdo “nuk mundesh” që të thanë, ia vlente.
 

"Unë jam Esmeralda Novruzaj. Jam vajzë. Jam boksere. Jam krenare.
Dhe ti do të jesh krenare po aq sa unë ,sepse ti je e ardhmja jonë."

Esmeralda Novruzaj

E cili eshte konkluzioni?

Sporti nuk ka gjini.
Talenti ynë nuk meriton të presë premtime boshe.
Shëndeti mendor i të rinjve tanë (1 në 4 të stresuar) nuk meriton të presë. Institucionet, Federata, Ministria, Komiteti Olimpik , investoni realisht: fonde për kampe, shpërblime të menjëhershme, fizioterapistë, palestra moderne. Prindër, lërini vajzat të jenë të forta, si babai im që na ndiqte me makinë. Flamuri shqiptar do të valëvitet në podiumin olimpik, dhe do të jetë një vajzë shqiptare që do ta mbajë lart. Me grushte të forta dhe zemër akoma më të fortë.