Vajzat shpenzojnë 160 milionë orë më shumë se djemtë duke bërë punët e përditshme në shtëpi, deklaron UNICEF

11 Tetor 2016

NJU JORK – Tirana, 11 tetor 2016 – Sipas një raporti të prezantuar nga UNICEF para Ditës Ndërkombëtare të Vajzave më 11 tetor, vajzat e moshës 5 deri në 14 vjeç shpenzojnë 40 për qind më shumë kohë, ose 160 milionë orë në ditë në punë shtëpie të papaguara dhe për mbledhjen e ujit dhe druve të zjarrit krahasuar me djemtë e moshës së tyre. 

Kontrolli i pushtetit të të dhënave për vajzat: rishikimi dhe ecja përpara drejt vitit 2030 përfshin vlerësimet e para botërore për kohën që vajzat shpenzojnë për punë shtëpie, siç janë: gatimi, pastrimi, kujdesi për familjarët dhe mbledhja e ujit dhe druve të zjarrit.  

Të dhënat tregojnë se barra e pabarabartë e punëve në shtëpi fillon që në faza të hershme, ku vajzat midis moshës 5 dhe 9 vjeçare shpenzojnë 30 për qind më shumë kohë, ose 40 milionë më shumë orë në ditë për punë shtëpie krahasuar me djemtë e moshës së tyre. Këto shifra rriten me kalimin e moshës, ku vajzat e moshës 10 deri në 14 vjeç shpenzojnë 50 për qind më shumë kohë, ose 120 milionë orë më shumë në ditë në punë shtëpie krahasuar me djemtë.  

“Barra e madhe e punëve të papaguara të shtëpisë fillon në fëmijërinë e hershme dhe shtohet teksa vajzat arrijnë adoleshencën,” tha Këshilltarja e Lartë për Gjininë, Anju Malhotra. “Si pasojë, vajzat sakrifikojnë mundësi të rëndësishme për të studiuar, për t’u rritur dhe thjesht për të gëzuar fëmijërinë e tyre. Kjo shpërndarje e pabarabartë e punës ndërmjet fëmijëve përjetëson gjithashtu stereotipet gjinore dhe barrën e dyfishtë të grave dhe vajzave përgjatë brezave.”  Ky raport nxjerr në pah se puna e vajzave është më pak e dukshme dhe shpesh nënvlerësohet. Shpeshherë, përgjegjësitë e të rriturve, si kujdesi për familjarët, përfshirë edhe fëmijët e tjerë, u kalojnë vajzave. Koha e shpenzuar për punë shtëpie kufizon kohën e vajzave për të luajtur, për të krijuar shoqëri, për të studiuar dhe për të qenë fëmijë. Në disa shtete, mbledhja e druve të zjarrit dhe ujit, i ekspozon vajzat ndaj rrezikut të dhunës seksuale.   

Gjithashtu, raporti zbuloi se:   

  • Vajzat e moshës 10 dhe 14 vjeç në Azinë Jugore dhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore shpenzojnë pothuajse dyfishin e kohës për punë shtëpie krahasuar me djemtë
  • Shtetet ku vajzat e moshës 10 deri në 14 vjeç mbajnë barrën më të pabarabartë të punëve në shtëpi në krahasim me djemtë, janë: Burkina Faso, Jemeni dhe Somalia. 
  • Vajzat e moshës 10 dhe 14 vjeç në Somali shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës për punë shtëpie: në total 26 orë në javë.   

Anketa për Përdorimin e Kohës, publikuar ne 2011 nga INSTAT dhe nga partnerët ndërkombëtare, sjell evidenca ne diferencat gjinore lidhur me kohën qe shpenzojne vajzat dhe djemtë në aktivitete të ndryshme.Vajzat shqiptare të moshës 10- 14 vjec shpenzojnë afërsisht katër herë më shumë kohë për punë të papaguar sesa djemtë (një orë e gjysmë përkundrejt më pak se gjysmë ore). Edhe shkalla e pjesëmarrjes ndryshon; dy të tretat e vajzave bëjnë punë të papaguara gjatë një dite të zakonshme, ndërkohë që nga djemtë këtë e bëjnë më pak se një e treta. Sasia e kohës së lirë ndryshon me më shumë sesa një orë në favor të djemve.

“Përcaktimi i sfidave me të cilat përballen vajzat është hapi i parë i rëndësishëm për përmbushjen e Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm për barazinë gjinore dhe eliminimin e barrierave me të cilat ndeshen 1.1 miliardë vajza në botë,” tha Përgjegjësi i UNICEF për të Dhënat dhe Analitikën, Attila Hancioglu.

Kontrolli i pushtetit të të dhënave për vajzat: rishikimi dhe ecja përpara drejt vitit 2030 nxjerr në pah se të dhënat për dy të tretat e 44 treguesve të Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) – plani botëror i punës për t’i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur planetin dhe për të siguruar mirëqenie për të gjithë – ose janë të kufizuara ose kanë cilësi të dobët. Krahas punëve të  shtëpisë, raporti prezanton të dhënat për çështjet që lidhen me vajzat të trajtuara nga OZHQ-të, përfshirë dhunën, martesën në fëmijëri, gjymtimin e organeve gjenitale femërore dhe arsimimin. Arritja e OZHQ-ve që trajtojnë këto çështje dhe fuqizojnë vajzat duke u ofruar njohuritë, aftësitë dhe burimet për të cilat ato kanë nevojë që të arrijnë potencialin e tyre të plotë, nuk u shërben vetëm vajzave, por mund të nxisë rritjen ekonomike, të promovojë paqen dhe të ulë varfërinë. 

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook