Nga Arsimi në Punësim: Një rrugëtim që kërkon mbështetje reale për të rinjtë

Lexoni historinë e Enxhit, një nga Ambasadoret e Garancisë Rinore

UNICEF Albania
Enxhi one of Albanian youth guarantee ambassador
UNICEF
30 Prill 2026

Enxhi Kala, një nga Ambasadorët e Garancisë Rinore në Shqipëri, është ftuar të japë një përmbledhje të shkurtër të përvojave të saj dhe të shpjegojë pse nevojiten struktura reale mbështetëse për të rinjtë në Shqipëri. Në artikullin e saj mund të lexoni se si mentorimi, burimet dhe pjesëmarrja në komunitet i ndihmojnë të rinjtë të bëjnë një kalim të sigurt nga arsimi në punë, si dhe për hapat e rëndësishëm që duhen ndërmarrë për të ngushtuar hendekun midis të nxënit dhe punës.

Unë jam Enxhi, aktualisht nxënëse në arsimin profesional në gjimnazin “Herman Gmeiner” dhe Ambasadore e Garancisë Rinore. Përpara se ky angazhim të bëhej pjesë e jetës sime, edhe unë kam kaluar periudha pasigurie për të ardhmen time.
Si shumë të rinj të tjerë, shpesh pyesja veten: A jam në rrugën e duhur? A do të jem e përgatitur për tregun e punës? Çfarë vjen pas shkollës? Ndërsa studioja dhe ndërtoja aftësitë e mia, më mungonte një drejtim i qartë dhe informacion i besueshëm për mundësitë që kisha.

 

Ishin pikërisht këto ndjesi që më shtynë të përfshihem më shumë. Sot, angazhimi im me të rinjtë nuk është thjesht një rol – është një përgjegjësi që e mbaj çdo ditë. Përmes këtij rrugëtimi, kam pasur mundësinë të dëgjoj, të kuptoj dhe të reflektoj mbi sfidat reale që përballen të rinjtë në Shqipëri, veçanërisht gjatë kalimit nga arsimi në punësim.

Ky tranzicion shpesh është i vështirë. Ai sjell pasiguri, mungesë informacioni, aftësi të kufizuara praktike dhe ndonjëherë edhe mungesë vetëbesimi. Kam parë nga afër që shumë të rinj kanë potencial të madh, por nuk dinë nga t’ia nisin.
Prandaj programe si Garancia Rinore nuk janë thjesht iniciativa; ato ofrojnë mbështetje konkrete për të rinjtë që kanë nevojë për drejtim dhe mundësi.

Çfarë është Garancia Rinore?
Është një angazhim i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për të siguruar që të gjithë të rinjtë e moshës 15–29 vjeç të marrin një ofertë cilësore brenda katër muajve nga regjistrimi si punëkërkues të papunë ose nga përfundimi i arsimit formal. Këto mundësi përfshijnë:
Punësim
• Vazhdim të arsimit
• Praktikë profesionale
• Trajnim profesional

Youth and Ambassador of EU for Albanian posing together
UNICEF

Çfarë do të thotë Garancia Rinore për ty?
Si Ambasadore e Garancisë Rinore, roli im ka qenë të shërbej si një urë lidhëse midis këtij programi dhe të rinjve. Kam qenë pjesë e aktiviteteve informuese, diskutimeve dhe panaireve si Panairi i Punës dhe Aftësive në Tiranë, ku kam parë nga afër si interesin ashtu edhe pasiguritë që mbartin të rinjtë.
Nevoja për një program të tillë është bërë edhe më e dukshme për shkak të rritjes së papunësisë tek të rinjtë, veçanërisht mes të rinjve NEET – ata që nuk janë në punë, arsim apo trajnim. Pikërisht këta të rinj kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe orientim.
Për mua, Garancia Rinore është një ide e fuqishme: asnjë i ri nuk duhet të mbetet pa mundësi. Synimi është të lidhim arsimin, aftësitë dhe punësimin në një rrugë të qartë dhe të aksesueshme për çdo të ri.

Çfarë thonë të rinjtë?
Kam akses në shumë kanale informacioni, përfshirë U-Report Albania, që ofron të dhëna të mbledhura nga vetë të rinjtë. Kjo platformë pasqyron mendimet e tyre, të cilat i dëgjoj edhe drejtpërdrejt nga bashkëmoshatarët e mi. Shumica besojnë se suksesi varet nga një kombinim i arsimit cilësor, formimit profesional dhe punësimit.
Kjo përputhet plotësisht me bisedat e përditshme: të rinjtë nuk kërkojnë vetëm një diplomë – ata kërkojnë një rrugë të qartë drejt një karriere profesionale.
Megjithatë, një pjesë e madhe ndihen vetëm pjesërisht të përgatitur për tregun e punës. Këtë e kam vërejtur shpesh: potenciali ekziston, por mungon orientimi i qartë, përfshirë këshillimin për karrierën dhe mundësitë praktike për të zhvilluar aftësi sipas kërkesave të tregut.
Kam takuar të rinj që janë gati të punojnë, të mësojnë dhe të kontribuojnë, por shpesh ndihen të demotivuar nga realiteti që përballin. Kjo është një thirrje e qartë për më shumë investime në programe që krijojnë mundësi reale dhe nxisin zhvillim të qëndrueshëm.

UNICEF Albania Representative in discussion with youth
UNICEF

Çfarë i motivon të rinjtë sot dhe çfarë mund të bëjmë?
Sipas U-Report, të rinjtë kërkojnë më shumë sesa një vend pune. Ata kërkojnë:
• Paga dinjitoze që sigurojnë mirëqenie dhe mbulojnë kostot e jetesës
• Siguri dhe stabilitet në arsim, punë dhe komunitet
• Mundësi për zhvillim personal dhe profesional, përvoja dhe punë që përputhen me aftësitë e shekullit XXI

Si Ambasadore e Garancisë Rinore, kam parë se sa ndikim mund të ketë një informacion i thjeshtë në momentin e duhur. Shpesh, ajo që mungon nuk është potenciali – por aksesi në informacion, mundësi dhe mbështetje.

Çfarë reflektimesh nga terreni do të ndaje?
Ajo që më ka lënë më shumë përshtypje janë takimet me të rinjtë në qytete të ndryshme si Tirana, Shkodra, Puka dhe Vlora. Kam parë entuziazëm, kreativitet dhe dëshirë të fortë për të ecur përpara. Por njëkohësisht kam parë edhe hezitim dhe pasiguri.
Ambasadorët e rinj që zhvillojnë aktivitete informuese derë më derë dhe punë në komunitete vulnerabël, përfshirë vendbanimet rome, tregojnë se angazhimi mes bashkëmoshatarëve funksionon.
Në këto momente kuptoj sa i rëndësishëm është roli ynë si ambasadorë: të dëgjojmë, të informojmë dhe të motivojmë. Ndonjëherë një bisedë e thjeshtë mund të bëjë diferencën dhe të ndryshojë mënyrën si një i ri e sheh të ardhmen e tij.
Ky rrugëtim më ka ndryshuar edhe mua. Më ka bërë më të sigurt, më të ndërgjegjshme dhe më të përkushtuar për të qenë pjesë e ndryshimit.

Nëse do të kishe një mesazh për bashkëmoshatarët e tu, cili do të ishte?
Si e re dhe Ambasadore e Garancisë Rinore, dua t’ju them këtë: mos prisni që mundësitë t’ju vijnë vetë; kërkojini, eksplorojini dhe shfrytëzojini.
Garancia Rinore është aty për t’ju mbështetur, por fuqia më e madhe qëndron brenda jush – në vullnetin për të mësuar, për t’u përmirësuar dhe për të mos u dorëzuar kurrë.
E ardhmja nuk është diçka që thjesht ndodh. Ajo ndërtohet hap pas hapi. Besoj fort se kur të rinjtë mbështeten dhe fuqizohen, ata nuk janë thjesht pjesë e së ardhmes – ata janë ndërtuesit e saj.

Garancia Rinore është një program i rëndësishëm i BE për punësimin e të rinjve.

Garancia Rinore po pilotohet në Shqipëri me mbështetjen e projektit EU4Youth, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP Shqipëri & UNICEF Shqipëri, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, nën koordinimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.