Ne duhet të trajtohemi si individë që mund të kenë sukses në jetë
Ne biseduam me 16-vjeçarin Filip Veliçkovski për shkollën e tij të re dhe profesorët, materialet e qasshme mësimore, aspiratat e jetës dhe dashurinë për muzikën
- English
- Македонски
- Shqip
Pas përfundimit të arsimit fillor në shkollën speciale për fëmijët me dëmtim të shikimit “Dimitar Vlahov”, Filipi dhe familja e tij vendosën që ai të vazhdojë shkollimin në shkollë të mesme të rregullt. Definitivisht, ky nuk ishte një vendim i lehtë.
“Mbështetësi kryesor për të shkuar në shkollë të rregullt ishte miku ynë i familjes, Kristijan-Kiko Llazarevski - aktivist i shquar i përfshirjes dhe vetë person i verbër. Ai tha se shkuarja në shkollë krah për krah me bashkëmoshatarët e mi do të më jepte më shumë mundësi për të përparuar dhe për të jetuar një jetë të pavarur.”
Shikoni videon për t’u njohur me Filipin dhe për të mësuar më shumë për këtë rast.
Video transkripti
“Kisha frikë se si do të pranohesha nga shokët e mi të klasës, si do t’ia dilja me mësimin e materialit, ose vallë a do ta zotëroja materialin... Mendoj se nëse që në fillim do të kisha shkuar në një shkollë gjithëpërfshirëse, kjo do të kishte bërë një ndryshim të madh në komunikim tim me të tjerët. Tani do ta kisha më të lehtë të komunikoja me shokët e mi të klasës.”
“Shkolla është e shtruar me shtigje prekëse. Sigurisht, kjo e bëri shumë më të lehtë orientimin për ne të verbërit. Kaloj mirë me shumicën, nëse jo me të gjithë, profesorët. Shpesh herë në fizikë, kur për shembull mësojmë për vektorët, mësuesja ngrihet dhe më tregon se si duket, me lapsa apo çfarëdo që gjen. Kështu që unë të mund ta kem një imazh se si duken ata vektorë, vija ose çfarëdo tjetër për të cilën po mësojmë. Nga ana tjetër profesoresha e matematikës tha se për shkak të përpjekjeve të saja për të ma shpjeguar materialin, ajo është bërë mësuese më e mirë për të gjithë nxënësit.”
“Gjëja më e rëndësishme është se mungojnë tekstet shkollore, tekstet e skanuara, të korrigjuara. E di që disa tekste janë të disponueshme në formë audio në disa faqe interneti, por shumica e tyre nuk janë.”
“Në të ardhmen planifikoj të bëj diçka rreth programimit sepse e di që është e mundur. Unë njoh një të verbër i cili programon, është programues. Ne nuk duhet të trajtohemi si individë që nuk mund t’i bëjnë disa gjëra vetë. Ne nuk jemi njerëz që do të kemi nevojë për ndihmë në çdo hap të jetës. Ndonëse me vështirësi, megjithatë ne mund të jetojmë jetën tonë.”
E drejta për arsim është një e drejtë themelore e njeriut, e garantuar për çdo fëmijë, nëpërmjet një sërë instrumentesh ndërkombëtare ligjërisht të detyrueshme, duke përfshirë Konventën për të Drejtat e Fëmijës (KDF) dhe Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KDPAK). E drejta për arsim gjithëpërfshirës vlen për çdo fëmijë, përfshirë fëmijët me paaftësi. Një sistem arsimor gjithëpërfshirës i akomodon të gjithë nxënësit, pavarësisht aftësive apo kërkesave të tyre, në të gjitha nivelet – parashkollor, fillor, të mesëm, universitar, profesional dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës. Kjo do të thotë që fëmijët mësojnë së bashku në të njëjtat klasa dhe në të njëjtat shkolla. Sistemet gjithëpërfshirëse i vlerësojnë kontributet unike që nxënësit e të gjitha sfondeve i sjellin në klasë dhe lejojnë grupet e ndryshme të rriten krah për krah, në dobi të të gjithëve.