UNICEF themelon Këshillin Konsultativ të Biznesit në Maqedoninë e Veriut

17 Shtator 2026
UNICEF Business Advisory Council
UNICEF North Macedonia / 2026

Shkup, 17 shtator 2026:  UNICEF ka themeluar Këshillin Konsultativ të Biznesit (Business Advisory Council - BAC) në Maqedoninë e Veriut, duke bashkuar figura të shquara nga bota e biznesit të përkushtuara për avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së fëmijëve përmes praktikave të përgjegjshme të biznesit, inovacionit, avokimit dhe partneriteteve.

Këshilli përbëhet nga Nebi Hoxha (Oxa Group), Irena Jakimovska (Comfy Angel), Goran Markoviq (Makedonski Telekom), Zhivko Mukaetov (Alkaloid), Ivan Steriev (Oda Ekonomike e Maqedonisë) dhe Marjonka Veljanovska (Farmahem), të cilët marrin pjesë në cilësinë e tyre personale. Së bashku, ata do të përdorin ekspertizën dhe ndikimin e tyre për të forcuar angazhimin e sektorit të biznesit për fëmijët dhe për të identifikuar mundësi që përmirësojnë rezultatet për fëmijët dhe familjet.

“Çdo fëmijë meriton një mundësi të barabartë për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të lulëzuar. Realizimi i këtij vizioni kërkon udhëheqje nga të gjitha segmentet e shoqërisë, përfshirë edhe komunitetin e biznesit. Jam thellësisht mirënjohëse ndaj anëtarëve të Këshillit Konsultativ të Biznesit të UNICEF-it për sjelljen e njohurive, përvojës dhe pasionit të tyre në këtë kauzë të përbashkët,” tha Lesley Miller, Përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut. “Ajo që më frymëzon më shumë nuk është vetëm përkushtimi i tyre personal ndaj të drejtave të fëmijëve, por edhe gatishmëria për të motivuar dhe mobilizuar të tjerët. Takimi inaugurues shënon fillimin e një bashkëpunimi të rëndësishëm që ka potencialin të përmirësojë jetën e fëmijëve.”

Këshilli Konsultativ i Biznesit është një platformë e krijuar nga UNICEF që lidh udhëheqësit e biznesit me misionin e UNICEF-it për fëmijët. Anëtarët ofrojnë në mënyrë vullnetare kohën dhe ekspertizën e tyre për të avancuar të drejtat e fëmijëve, për të promovuar praktika të përgjegjshme të biznesit, për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet që prekin fëmijët dhe për të mbështetur partneritete që krijojnë vlera të përbashkëta për fëmijët, komunitetet dhe bizneset.

Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme u identifikuan si fusha e parë për veprim të përbashkët nga Këshilli, duke reflektuar rëndësinë e tyre kritike për zhvillimin e fëmijëve, mundësimin e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, zvogëlimin e varfërisë dhe pabarazive ndërbreznore, si dhe krijimin e bazës për prosperitet ekonomik afatgjatë. UNICEF dhe Këshilli do të shqyrtojnë partneritete inovative që mund të ndihmojnë më shumë fëmijë, veçanërisht ata më të cenueshmit, të kenë fillimin më të mirë të mundshëm në jetë.

Duke bashkuar liderë me ndikim nga i gjithë sektori privat, Këshilli synon të shfrytëzojë fuqinë e biznesit për të ndihmuar që çdo fëmijë në Maqedoninë e Veriut të mbijetojë, të zhvillohet dhe të arrijë potencialin e tij të plotë.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.