“Nuk ka justifikim” për të mos i mbrojtur vajzat nga dhuna mbi bazë gjinore
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 26 nëntor 2024 – Në këto 16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës mbi bazë gjinore, na bëhet me dije se lufta për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, është njashtu edhe luftë për t’i mbrojtur vajzat nga disa nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut në botë.
Dhuna seksuale, martesat e fëmijëve dhe trafikimi seksual janë të gjitha forma të dhunës mbi bazë gjinore, ku viktima janë vajzat. Ato ndodhin në çdo vend dhe në të gjitha segmentet e shoqërisë. Shpeshherë shumë njerëz, duke përfshirë anëtarët e familjes dhe bashkësisë, e keqkuptojnë abuzimin dhe eksploatimin seksual të fëmijëve. Reagimet e tyre mund të jenë mosbesuese, madje edhe mund ta fajësojnë viktimën, ta imponojnë heshtjen ose mosveprimin vetëm e vetëm për ta mbrojtur autorin e veprës ose për ta ruajtur reputacionin dhe nderin. Faktorët që kontribuojnë në këtë çështje përfshijnë normat shoqërore, të cilat ua japin të rriturve kontrollin mbi fëmijët dhe i mbështesin praktikat dhe qëndrimet patriarkale, si dhe ligjet e dobëta që shumë shpesh i fajësojnë viktimat nga njëra anë dhe i shfajësojnë autorët nga ana tjetër.
Tema e sivjetshme për 16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës mbi bazë gjinore është “Nuk ka justifikim”. Me legjislacion të fortë në fuqi, nuk ka asnjë arsye pse të mos mbrohen vajzat nga dhuna.
Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm në miratimin e ligjeve për t’i mbrojtur vajzat nga dhuna mbi bazë gjinore, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ligji mbi drejtësinë për fëmijët garanton mbrojtjen e fëmijëve viktima përmes masave për parandalimin e riviktimizimit. Kjo kornizë ligjore përfshin organizimin dhe ambientin miqësor për fëmijët lidhur me marrjen e dëshmisë nga fëmijët me qëllim të shmangies së ri-traumatizimin si rezultat i intervistave të shumta dhe të përsëritura. Ky ligj rregullon, që fëmijët viktima të gëzojnë mbrojtje dhe mbështetje të shtuar nga të gjitha institucionet, organet dhe individët në sistemin e drejtësisë për fëmijë. Pra kjo është me rëndësi thelbësore për të siguruar që viktimat të kërkojnë drejtësi nga sistemi që është gati për të ofruar shërbime.
Kodi penal i mbron fëmijët nga të gjitha format e dhunës dhe vendos dënime të rrepta për t’i penguar shkelësit. Për shembull, dënimi minimal për shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve është pesë vjet burg. Përdhunimi i një fëmije nën 15 vjeç dënohet me të paktën tetë vjet burg, njësoj është edhe dënimi për trafikimin e fëmijëve.
Megjithatë, vetëm nëse zbatohet në mënyrë efektive, legjislacioni i fortë mund të arrijë efektin e synuar. Prandaj nën prizmin e 16 Ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, UNICEF-i kërkon nga vendi të investojë në zbatimin e kornizës legjislative, duke përfshirë:
- Ndërtimin i kapaciteteve të profesionistëve të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë avokatët, për të zbatuar qasje adekuate në raport me traumat e përjetuara dhe qasje me ndjeshmëri ndaj fëmijëve, në rastet kur punojnë me fëmijët.
- Sigurimin, që fëmijët viktima të abuzimit dhe eksploatimit seksual të kenë të drejta të veçanta të mbrojtjes procedurale, qasje në shërbimet mbështetëse dhe mjete juridike në kohë të duhur lidhur me shkeljet e të drejtave të tyre.
- Zbatimin e duhur dhe pasurimin e burimeve të Kodit penal dhe Ligjit mbi drejtësinë për fëmijët, me udhëzime dhe trajnime për profesionistët. Shkelësit duhet të identifikohen, të sanksionohen në mënyrë të përshtatshme dhe të pengohen nga përsëritja e veprës. Nuk duhet të ketë mosndëshkim për shkelësit e akuzuar. Ky parim është thelbësor me qëllim të çrrënjosjes graduale të të gjitha formave të dhunës mbi bazë gjinore ndaj vajzave dhe djemve dhe për ndërtimin e besimit në sistem.
- Sigurimin, që sistemi i drejtësisë të ofrojë drejtësi të shpejtë, efikase dhe efektive. Çështjet që përfshijnë fëmijë duhet të kenë përparësi, ndërsa vendimet gjyqësore të mundësojnë veprime urgjente në raste të rënda, me qëllim të parandalimit të pasojave të pakthyeshme.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.