Çfarë janë sulmet e panikut?

Kuptimi i shkaktarëve është hapi i parë për ta ndihmuar fëmijën tuaj ta tejkalojë këtë gjendje.

What are panic attacks?
UNICEF

Sulmi i panikut është një ndjenjë e fortë frike dhe ankthi. Shpesh ndodh nëse njerëzit ndihen të shqetësuar për diçka që po ndodh në jetën e tyre ose kanë përjetuar diçka të vështirë ose stresuese.

Sulmet e panikut mund të ndjehen shumë të frikshme, veçanërisht për fëmijët, por ato zakonisht mund të ndalen përmes trajtimit. Është e rëndësishme të dini se një sulm paniku nuk do të shkaktojë ndonjë dëm, madje edhe nëse fëmija nuk e ndjen atë gjatë sulmit, ndjenja do të kalojë.

 

Çfarë është sulmi i paniku?

Sulmi i paniku është ndjenjë frike dhe ankthi që mund të na pushtojë krejt papritur dhe zakonisht shoqërohet me simptoma të forta fizike si marramendje, gulçim dhe të rrahura të shpejta të zemrës.

Shumë fëmijë gjatë një sulmi paniku kanë një ndjenjë terrori, sikur diçka e keqe do të ndodhë. Këto ndjenja mund të ndodhin edhe kur nuk ka rrezik real.

 

Çfarë shkakton sulme paniku?

Nuk është gjithmonë e qartë se çfarë i shkakton sulmet e panikut te fëmijët apo të rriturit. Ajo që ne dimë është se ndjenja e ankthit për ndonjë gjë ose për diçka që e përjetojmë, diçka të vështirë ose stresuese, mund ta shkaktojë një sulm paniku. Këto situata përfshijnë:

  • Ankthi i shkaktuar nga një përvojë e vështirë në shtëpi ose shkollë
  • Stresi për gjëra të tilla si provimet, miqësitë ose marrëdhëniet
  • Vdekja e një personi të dashur
  • Përvoja e frikshme si abuzimi ose neglizhimi 
  • Përvoja e dhunshme

 

Sulmet e panikut te fëmijët dhe adoleshentët

Sulmet e panikut shpesh fillojnë gjatë adoleshencës, megjithëse mund të fillojnë që nga periudha e fëmijërisë. Sulmet mund të çojnë në ankth të rëndë, si dhe të ndikojnë në pjesë të tjera të disponimit ose funksionimit të fëmijës.

Disa fëmijë fillojnë të shmangin situatat kur kanë frikë se mund të ndodhë një sulm paniku. Adoleshentët mund të përdorin alkool ose drogë për ta reduktuar ankthin e tyre. Nëse nuk njihen dhe trajtohen, sulmet e panikut mund të shkaktojnë komplikime të ardhshme për fëmijët, si depresioni i rëndë dhe sjellja vetëvrasëse.

Kur diagnostikohen herët, fëmijët që përjetojnë sulme paniku zakonisht reagojnë mirë ndaj trajtimit.

 

Shenjat dhe simptomat e sulmeve të panikut te fëmijët

Nëse fëmija juaj përjeton sulm paniku, ai mund të ndihet jashtë kontrollit me atë që po ndodh rreth tij, ndjehet i frikësuar se trupi i tij është në rrezik ose ndjenjë se kinse po vdes. Trupi ynë mund të reagojë në mënyra të ndryshme ndaj sulmeve të panikut. Disa nga këto reagime përfshijnë: 

  • Mungesa e frymëmarrjes, frymëmarrje e shpejtë ose ndjenja se keni vështirësi për të marrë frymë
  • Marramendja ose ndjenja e të fikëtit
  • Ndjesia se dritat duken më të ndritshme dhe më intensive
  • Rrahje e shpejtë e zemrës dhe shtrëngimi në gjoks
  • Djersitja më shumë se zakonisht
  • Këmbët tunden ose lëkunden
  • Të qenit të përlotur, sikur nuk mund të ndalojnë së qari
  • Ndjehen të mbërthyer, sikur nuk mund të lëvizin
  • Dhimbje stomaku ose ndjesi të sëmurë. 

 

Mënyrat për ta ndihmuar fëmijën tuaj të përballojë ato

Njohja e asaj që shkakton një sulm është hapi i parë në sulmin e panikut. Pyeteni fëmijën tuaj se si ndihet dhe çfarë e bën të ndihet i shqetësuar ose i stresuar. A ka situata apo vende të caktuara që i bëjnë ata të ndihen në panik? Kjo njohuri mund ta ndihmojë fëmijën tuaj të mendojë se çfarë mund të bëjë për t’i përballuar ato situata. 

Gjatë sulmit të panikut, fëmija juaj mund të ndihet sikur po humbet kontrollin, por ka gjëra që mund ta ndihmoni të bëjë për ta rimarrë kontrollin dhe për t’u ndier sërish “në këmbë të veta”:

  1. Pranoni shfaqjen e sulmit të panikut: Ndonjëherë, mund të duket më e lehtë të shmangni thjesht një situatë ose vend që na nxit panikun. Është e natyrshme të ndihesh kështu. Megjithatë, shmangia e situatave mund ta bëjë ankthin tonë të rritet më shumë. Qëllimi nuk është të shmangni situatat që shkaktojnë panik, por ta ndihmoni fëmijën tuaj të mësojë si t’i përballojë dhe si të ndjehet në ato situata.
  1. Kaloni shkronjat e alfabetit: Kërkojini fëmijës tuaj të emërtojë diçka për çdo shkronjë të alfabetit. Këto mund të jenë kafshë, emra, vende, ushqime, etj. Kjo do të përfshijë pjesë të ndryshme të trurit të tyre dhe do ta largojë vëmendjen e tyre nga frika dhe ankthi.
  1. Përqendrohuni në frymëmarrje: Frymëmarrja e barkut është shumë qetësuese dhe na ndihmon të tërheqim oksigjenin thellë në mushkëri. Këtu është paraqitur një proces i lehtë prej 3 hapash:
    • Vendoseni dorën në bark
    • Merrni 5 herë frymëmarrje të thella, kaloni 5 sekonda duke marrë frymë dhe 5 sekonda duke e nxjerrë frymën jashtë, merrni frymë përmes hundës dhe lirojeni atë përmes gojës
    • Shpjegoni se kur fëmija juaj merr frymë, ai e fryn barkun e tij butësisht si një tullumbace, dhe kur e nxjerr frymën, ajri del ngadalë përsëri si nga tullumbacja.
  2. Gjeni hapësira të sigurta: Nëse fëmija juaj ndihet në panik në një situatë, drejtojini drejt gjetjes së një hapësire ku mund të marrë frymë dhe të mendojë me qetësi. Kjo mund të jetë një hapësirë fizike me të cilën ata janë njohur si shtëpia juaj ose dhoma e tyre. Ose, një imagjinare – diku që ndihet i qetë – si pjesa e tyre e preferuar e parkut ose buzë detit.
  1. Ndihmojini ata t’i përdorin shqisat e tyre: Shqisat tona janë mjete të fuqishme për të ndihmuar në përballimin e ndjenjave të panikut, ankthit dhe stresit. Këtu është një mënyrë e thjeshtë për ta bërë fëmijën tuaj t'i përdorë ato:

    Kërkojini fëmijës tuaj të ulet rehat dhe ngadalë ta marrë dhe nxjerrë frymën. Tani kërkojuni atyre të përmendin disa gjëra jo shqetësuese: 4 gjëra që mund t’i shohin, 3 gjëra që mund të dëgjojnë, 2 gjëra që mund t’i nuhasin dhe 1 gjë që mund ta shijojnë.

 

Kur të kërkoni ndihmë profesionale

Në rastet e rënda të sulmeve të panikut, fëmija ose adoleshenti mund të kenë frikë të largohen nga shtëpia. Nëse vëreni se fëmija juaj shfaq simptoma të vazhdueshme të sulmeve të panikut, është koha të kërkoni ndihmë nga ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor.

Fëmijët dhe adoleshentët me simptoma të sulmeve të panikut duhet së pari të vlerësohen nga mjeku familjar ose pediatri. Nëse nuk gjendet ndonjë sëmundje ose gjendje tjetër fizike si shkak për simptomat, ata mund të referohen për vlerësim te një psikiatër fëmijësh dhe adoleshentësh.

Zakonisht me anë të trajtimit mund të ndalen sulmet e panikut. Trajtimi i hershëm mund të ndihmojë në parandalimin e komplikimeve serioze.