Prindërimi
Ndihma e ofruar prindërve i siguron fëmijëve fillimin më të mirë në jetë

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Sfida
Familjet, prindërit dhe kujdestarët luajnë një rol qendror në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre. Ata i ofrojnë identitet, dashuri, kujdes, sigurim dhe mbrojtje fëmijëve dhe adoleshentëve, si dhe siguri ekonomike dhe stabilitet. Familjet mund të jenë burimi më i madh i mbështetjes për fëmijët, por gjithashtu - në rrethana fatkeqe - burimi më i madh i dëmit. Prandaj, mirëqenia e fëmijëve është e lidhur pazgjidhshmërisht me mirëqenien e prindërve, kështu që investimi në të gjitha familjet, plotësuar nga mbështetja e synuar për më të cenueshmit, është thelbësore për realizimin e të drejtave të fëmijëve.
Konventa e Kombeve të Bashkuara (KB) mbi të Drejtat e Fëmijëve (KDF) është e qartë: prindërit dhe kujdestarët kanë “Përgjegjësinë kryesore për edukimin dhe zhvillimin e fëmijës” (neni 18.1). Por sipas nenit 18.2 të KDF të KB, shtetet duhet të " i japin ndihmën e duhur prindërve dhe përfaqësuesve ligjorë të fëmijës, në ushtrimin e përgjegjësisë që u bie atyre për rritjen e fëmijës dhe sigurojnë ngritjen e institucioneve, qendrave ose shërbimeve të kujdesit për fëmijët".
Zgjidhjet
Në përputhje me frymën e Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve, mbështetja e familjes dhe prindërve gjithnjë e më shumë njihet si një pjesë e rëndësishme e politikave sociale kombëtare dhe pakove të investimeve shoqërore që synojnë uljen e varfërisë, uljen e pabarazisë dhe promovimin e mirëqenies prindërore dhe të fëmijëve. Gjatë 20 viteve të fundit modele të ndryshme të shërbimeve të lidhura me familjen kanë evoluar në pjesë të ndryshme të botës. Përfitimet e llojeve të ndryshme të qasjeve, për prindërit dhe fëmijët, janë dokumentuar përmes hulumtimit, së bashku me analizën e politikave sociale dhe ekonomike / buxhetore për financimin e programeve të mbështetjes së familjes (UNICEF Innocenti, 2015).
Qasjet që mbështesin prindërit dhe kujdestarët mund të ndryshojnë në varësi të llojit të dhunës që adresohet, moshës së fëmijës ose mënyrës së shpërndarjes së politikave dhe programeve. Dëshmitë mbështesin një numër modalitete të ndryshme të ofrimit si efektive, duke përfshirë vizitat në shtëpi, trajnimin e bazuar në grupe dhe mbështetjen në mjediset e komunitetit dhe prindërimin si një përbërës të ndërhyrjeve gjithëpërfshirëse (OBSH, 2016, INSPIRE).