Programi Familje të Kujdesshme (Prindërimi për Shëndet Jetëgjatë të Fëmijëve të Vegjël)
Ndihmojmë prindërit që t'ua japin fëmijëve të tyre fillimin më të mirë në jetë.

- Crnogorski
- English
- Shqip
Si zhvillojnë prindërit marrëdhënie pozitive me fëmijët e tyre dhe si zbatojnë disiplinën jo të dhunshme? Që nga fillimi i vitit 2018, prindërit në të gjithë Malin e Zi, të cilët kanë marrë pjesë në programin e prindërimit “Prindërimi për Shëndet Jetëgjatë të Fëmijëve të Vegjël” të realizuar nga Qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor të qyteteve të ndryshme, kopshtet dhe organizatat e shoqërisë civile, iu përgjigjën këtyre pyetjeve gjatë tre muajve dhe përmes 12 moduleve, teksa mësuan për praktikat pozitive të rritjes së fëmijëve.
Midis janarit 2018 dhe dhjetorit 2023, mbi 1,500 prindër u kontaktuan nga programi në të gjithë Malin e Zi. Programi është i destinuar për prindërit e fëmijëve të moshës dy deri në nëntë vjeç.
Aftësitë kryesore të prindërimit që ky program synon t'i zhvillojë përfshijnë: kohën cilësore me fëmijën, lojën e udhëhequr nga fëmijët, rregullimin socio-emocional, inkurajimin e sjelljes së dëshirueshme nëpërmjet lëvdimit dhe shpërblimit, dhënien e udhëzimeve, vendosjen e kufijve dhe rregullave shtëpiake, teknikat e disiplinës jo të dhunshme, dhe aktivitete të shkurtra të bazuara në teknikat për arritjen e qetësisë shpirtërore (ang. "mindfulness"), të cilat ndihmojnë prindërit t'i zhvillojnë aftësitë e menaxhimit të stresit.
Rezultatet e studimit të efektivitetit të programit, studim ky i realizuar në maj 2018, nxjerrin në pah, ndër gjetjet e tjera, ndikimin pozitiv të programit në uljen e ndëshkimit fizik dhe emocional, uljen e problemeve të sjelljes te fëmijët dhe uljen e depresionit prindëror.
Ky program është pjesë e një game më të gjerë të programeve të prindërimit, të quajtura “Prindërimi për Shëndet Jetëgjatë”, të cilat janë të hapura për qasje, jo të komercializuara, dhe ofrohen falas për prindërit. Këto programe janë zhvilluar dhe testuar në mënyrë rigoroze përmes bashkëpunimit midis OBSH-së, UNICEF-it, Universitetit të Kejptaunit dhe Universitetit Stellenbosch në Afrikën e Jugut si dhe Universitetit të Oksfordit dhe Universitetin Bangor në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe janë duke u zbatuar në mbarë botën.
Informata shtesë:
Zgjerimi i programit Prindërimi për Shëndet Jetëgjatë në Mal të Zi – Vlerësim i fizibilitetit
Referimi i familjeve në programin "Familje të Kujdesshme" – Udhëzime për Qendrat për Punë Sociale në Mal të Zi