UNICEF-i, OBSH-ja dhe UNESCO: shkollat të rihapen bazuar në vlerësimin e rrezikut

Agjencitë e OKB-së në Malin e Zi po bëjnë thirrje që, për rihapjen e sigurt të shkollave, të ndërmerren qasje të zgjuara, fleksibile dhe të bazuara në informatat për rreziqet

UNICEF Mali i Zi
Dejčak koji uči
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2020
11 Shtator 2020

PODGORICË, 11 SHTATOR 2020 – Agjencitë e OKB-së në Malin e Zi po bëjnë thirrje që, për rihapjen e sigurt të shkollave, të ndërmerren qasje të zgjuara, fleksibile dhe të bazuara në informatat për rreziqet. Duhet të shmanget një qasje gjithëpërfshirëse ndaj hapjes ose moshapjes së të gjitha shkollave dhe asnjë grupmoshë e vetme nuk duhet të përjashtohet tërësisht nga të mësuarit në klasë. Vendimi nëse duhet të hapet një shkollë, dhe për cilat klasa, duhet të bazohet në informatat nga një vlerësim i rrezikut në nivelin e shkollës, i cili merr parasysh transmetimin lokal të virusit në komunitet, kapacitetin e shkollës për zbutjen e rrezikut, si dhe duhet të merret duke respektuar plotësisht rekomandimet e lëshuara nga autoritetet përgjegjëse shëndetësore. Rezultati duhet të jetë një qasje e përzier e modaliteteve të të mësuarit, brenda ose jashtë klasave dhe online, të cilat mund të ndryshojnë nga shkolla në shkollë. Ky ishte një nga përfundimet kryesore të nënvizuara në takimin e mbajtur këtë javë midis OBSH-së, UNESCO-s dhe UNICEF-it.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i rekomandimeve të OKB-së për ofrimin e arsimit cilësor për çdo fëmijë në Mal të Zi gjatë pandemisë së COVID-19 si dhe identifikimi i mënyrave më të mira në të cilat këto tri organizata të OKB-së mund të mbështesin vendin për ta arritur këtë qëllim. Të tri agjencitë e OKB-së diskutuan këto rekomandime në një takim me Ministrinë e Arsimit dhe Institutin e Shëndetit Publik.

Juan Santander, përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi, teksa flet në lidhje me rekomandimet e UNICEF-it për rihapjen e sigurt të shkollave, në Podgoricë, shtator 2020.
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2020 Juan Santander, përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi, teksa flet në lidhje me rekomandimet e UNICEF-it për rihapjen e sigurt të shkollave, në Podgoricë, shtator 2020.

Meqenëse situata nuk është e njëjtë në çdo shkollë dhe komunitet lokal në Mal të Zi, i njëjti model nuk do të funksionojë për çdo shkollë ose çdo fëmijë. UNICEF-i rekomandon që çdo shkollë dhe institucion parashkollor të kryejë një vlerësim të rrezikut në konsultim me komunitetin dhe autoritetet shëndetësore. Kjo do të tregojë nëse ka hapësirë të mjaftueshme për të shmangur mbipopullimin e nxënësve, nëse ka struktura të mjaftueshme higjienike dhe se sa nxënës dhe mësimdhënës kanë rreziqe shtesë shëndetësore. Vlerësimi duhet të përfshijë gjithashtu opsionet për të mësuarit në natyrë, sa nxënës nuk kanë kompjuter ose qasje në internet, dhe kapacitetin për të ofruar mësim online cilësor dhe gjithëpërfshirës, ndër të tjera, në ndërtesë, nëse ka opsione për të mësuarit në natyrë, sa nxënës dhe mësimdhënës kanë rreziqe shëndetësore, sa nxënës nuk kanë kompjuter ose qasje në internet, dhe kapacitetin e shkollës për të ofruar mësim online cilësor dhe gjithëpërfshirës, ndër të tjera.

Juan Santander, përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi

Bazuar në të dhënat nga vlerësimi i rrezikut, secila shkollë mund të hartojë një plan veprimi të përshtatur për të trajtuar sfida të ndryshme shëndetësore dhe arsimore. Sipas Santander, arsimi cilësor duhet të ofrohet në përputhje me nevojat e çdo fëmije, që do të thotë se për disa fëmijë kjo do të jetë brenda klasës, ndërsa për të tjerët mund të jetë online ose një kombinim i përzier i këtyre dy opsioneve.

Përfaqësuesja e OBSH-së në Mal të Zi, Mina Brajović, na rikujton se rihapja e shkollave në mënyrë të sigurt është e një rëndësie jetike për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe janë pikërisht më të cenueshmit dhe më të privuarit ata që mbajnë barrën më të rëndë të mbylljes së shkollave. Shkollat duhet të shihen brenda kontekstit më të gjerë të komunitetit dhe vendimet për rihapjen e sigurt duhet të jenë pjesë e një strategjie më të gjerë, afatgjatë dhe të orientuar nga të dhënat.

Duhet të trajtohen sfidat në lidhje me sigurimin e higjienës adekuate në çdo shkollë dhe institucion parashkollor në Malin e Zi – qasja në sapun dhe ujë të pastër është thelbësore. Do të duhet të ekzistojnë politika specifike për fëmijët në rrezik dhe ata me nevoja të veçanta mësimore ose gjendje të veçanta shëndetësore, si dhe për mësimdhënësit me gjendje shëndetësore që i bëjnë ata të cenueshëm ndaj infeksionit më të rëndë. Askush nuk duhet të anashkalohet. Masat mbrojtëse në lidhje me higjienën e duarve, distancën fizike, përdorimin e maskave kur është e përshtatshme dhe qëndrimin në shtëpi kur janë të sëmurë janë gurthemeli i shkollimit të sigurt brenda realitetit të COVID-19.

Mina Brajović, përfaqësuese e OBSH-së në Mal të Zi

Këto tri agjenci të OKB-së nënvizojnë se, në rast se një shkollë mbyllet për shkak të rreziqeve shëndetësore gjatë pandemisë, rekomandohet që shkolla menjëherë të ofrojë arsim online për të gjithë fëmijët dhe, në të njëjtën kohë, të investojë përpjekjet e saj në uljen e rreziqeve në mënyrë që shkolla t'i kthehet sigurt arsimit në klasë sa më shpejt të jetë e mundur.

Përfaqësuesi i UNESCO-s, Siniša Šešum, shef i Zyrës së UNESCO-s në Sarajevë dhe i Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, thekson urgjencën e trajtimit të ndarjes digjitale (ang. "digital divide") në vend dhe nevojën për t’i bazuar të gjitha vendimet në konsultime të vazhdueshme me prindërit, fëmijët, mësimdhënësit dhe sektorin e shëndetësisë.

Sipas një studimi të kryer së fundmi nga OKB-ja në Mal të Zi, 16 për qind e familjeve me fëmijë deri në 18 vjeç nuk kanë qasje në një kompjuter ose një llaptop të lidhur në internet. Kjo ndarje digjitale nuk ka të bëjë vetëm me qasjen në teknologjitë e reja, por edhe me aftësitë për t'i përdorur ato si duhet. Për këtë arsye, përveç sigurimit të kompjuterëve me qasje në internet për ata që nuk i kanë, nevojitet edhe një trajnim për pedagogjinë digjitale për të gjithë mësimdhënësit. Në fund, çdo shkollë duhet ta hartojë, ta zbatojë, ta monitorojë dhe ta vlerësojë planin e saj të veprimit për arsimin gjatë COVID-19 në konsultim të vazhdueshëm me nxënësit e saj, mësimdhënësit, prindërit dhe në bashkëpunim të ngushtë me sektorin e shëndetësisë.

Siniša Šešum, UNESCO

Të tri agjencitë e OKB-së rekomandojnë përmirësimin e bashkëpunimit me komunitetin e tyre lokal dhe sektorin privat për të zgjidhur çështje të ndryshme të identifikuara nga shkollat. Për shembull, donacionet nga individët dhe sektori privat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve në lidhje me nxënësit dhe mësimdhënësit që nuk kanë qasje në teknologjitë e reja ose në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me sigurimin e higjienës së duhur në objektin e shkollës. Gjithashtu, në mënyrë që të trajtohet çështja e shkollave dhe institucioneve parashkollore të mbipopulluara, autoritetet lokale dhe sektori privat mund të identifikojnë ambiente alternative në komunitetin lokal dhe t'i bëjnë ato të disponueshme dhe funksionale për arsimin me prezencë fizike. Në planin afatgjatë, UNICEF-i, OBSH-ja dhe UNESCO u bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse të shqyrtojnë mundësitë për përmirësimin e infrastrukturës shkollore për ta trajtuar këtë sfidë që ekziston tash e një kohë të gjatë dhe që ndikon në cilësinë e arsimit në Malin e Zi.

UNICEF-i është i gatshëm ta mbështesë Malin e Zi për t'i ndërmarrë ndryshimet e nevojshme afatshkurtra dhe afatgjata në sistemin arsimor në mënyrë që të gjithë fëmijët në vend të mund ta realizojnë gjithmonë të drejtën e tyre për arsim të sigurt dhe cilësor.

Juan Santander, përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi