Ulja e varfërisë së fëmijëve për një shoqëri të drejtë në Mal të Zi
Në Ditën Botërore të Drejtësisë Sociale, e cila festohet më 20 shkurt, UNICEF-i po u përkujton njerëzve se të paktën një e treta e fëmijëve të Malit të Zi janë në rrezik të varfërisë.
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 20 shkurt 2022 – Në Ditën Botërore të Drejtësisë Sociale, e cila festohet më 20 shkurt, UNICEF-i po u përkujton njerëzve se të paktën një e treta e fëmijëve të Malit të Zi janë në rrezik të varfërisë. UNICEF-i po bën thirrje për veprime të qëndrueshme për ta reduktuar varfërinë e fëmijëve, si themel për ta bërë Malin e Zi një shoqëri të drejtë.
“Varfëria e fëmijëve është një kurth zhvillimi për çdo vend dhe një padrejtësi e thellë për çdo fëmijë që rritet i varfër. Reduktimi i saj duhet të jetë prioritet themelor i Malit të Zi. UNICEF-i do të vazhdojë të mbështesë çdo përpjekje për ta adresuar këtë sfidë jetike kombëtare.”
Me mbështetjen e UNICEF-it dhe UNDP-së dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Mirëqenies Sociale, Universiteti i Maastricht përdori të dhënat e MONSTAT për të bërë simulime të ndikimit të reformave të mundshme të politikave për varfërinë e fëmijëve në Mal të Zi. Simulimet u zbatuan nën patronazhin e projektit të përbashkët të OKB-së “JP Activate” - fondi SDG.
Ato tregojnë se nëse do të futeshin sot shtesa universale për fëmijë prej moshës 0-18 vjeç, shkalla kombëtare e varfërisë do të ulej menjëherë me 3,8 pikë përqindje dhe shkalla e varfërisë së fëmijëve me 6,7 pikë përqindje. Kjo do të thotë se varfëria e fëmijëve do të shkonte nën 30% për herë të parë që kur filloi të matej në Mal të Zi në vitin 2013. Në këtë mënyrë, hendeku midis shkallës mesatare të varfërisë së fëmijëve në Mal të Zi dhe asaj prej 20% në BE do të përgjysmohej (2020).
Që nga viti 2012, hulumtimi i UNICEF-it ka treguar se fëmijët janë më të cenueshëm ndaj varfërisë se çdo grupmoshë tjetër në Mal të Zi. Shkalla e varfërisë së fëmijëve në Mal të Zi është 10 pikë përqindjeje më e lartë se shkalla kombëtare e varfërisë. Kjo shifër pritet të rritet më tej për shkak të rritjes së numrit të kujdestarëve që kanë humbur punën ose u janë zvogëluar të ardhurat gjatë pandemisë COVID-19.
Një fëmijë ka shumë më tepër gjasa të rritet i varfër në rajonin verior të Malit të Zi, ku shkalla e varfërisë (45%) është dukshëm më e lartë se në rajonet qendrore (15%) dhe ato jugore (12%) (SILC 2021). Të dhënat më të fundit për Podgoricën tregojnë një shkallë varfërie prej 18% për popullsinë e kryeqytetit (2018, SILC).
Hulumtimet tregojnë gjithashtu se varfëria në Mal të Zi shoqërohet nga pabarazia e lartë. Për shembull, të ardhurat mesatare të një të pestës më të pasur të malazezëve janë 7.4 herë më të larta se ato të një të pestës më të varfër (Eurostat, 2020). Ky raport është shumë mbi mesataren e BE-së (5.1:1). Shifra relativisht të larta gjenden vetëm në një pjesë të vogël të vendeve të Evropës Lindore, duke përfshirë Bullgarinë, Lituaninë dhe Serbinë.
Simulimet e Universitetit të Maastricht për ndikimin e reformave të mundshme të politikave për varfërinë e fëmijëve në Mal të Zi ndihmojnë gjithashtu për të kuptuar efektin e tyre në reduktimin e pabarazisë. Në këtë mënyrë, bazuar në simulimet e efekteve të politikave të ndryshme, autoritetet kombëtare mund të kenë informata mbi efektin e mundshëm të reformave edhe përpara se ato të zbatohen, duke ulur kështu rrezikun e pasojave të papritura. Kështu, autoritetet mund të ndërmarrin ato reforma që kanë më shumë gjasa të krijojnë më shumë barazi dhe, rrjedhimisht, një shoqëri më të drejtë.