Shkollat t’i zhvillojnë aftësitë socio-emocionale për ta parandaluar dhunën

UNICEF-i dhe Ambasada Austriake bëjnë thirrje që të jepet mbështetje për zhvillimin social dhe emocional të çdo fëmije përmes shkollave duke zgjeruar programin e aftësive socio-emocionale në të gjitha shkollat e vendit.

UNICEF Mali i Zi
Huan Santander sa djecom
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2022
07 Mars 2022

Nikshiq, 7 mars 2022 – Pasi dhuna midis bashkëmoshatarëve është një çështje serioze me të cilën duhet të përballet Mali i Zi, ashtu si vendet e tjera, UNICEF-i dhe Ambasada Austriake po bëjnë thirrje që të jepet mbështetje për zhvillimin social dhe emocional të çdo fëmije përmes shkollave duke zgjeruar programin e aftësive socio-emocionale në të gjitha shkollat ​​e vendit.

Me mbështetjen e UNICEF-it, më shumë se 20.000 fëmijë kanë përfituar nga ky program deri më tani në më shumë se 100 shkolla fillore dhe të mesme. Shkolla fillore Mileva Lajovic Lalatovic në Nikshiq është njëra prej tyre. Ky program ka ndihmuar që shkolla të bëhet një mjedis më i sigurt dhe më edukativ për çdo fëmijë.

“Përmes projektit ‘Virtytet dhe vlerat e mia’ kam mësuar më shumë për aftësitë që duhet të përhapen në çdo shoqëri demokratike, si toleranca, ndjeshmëria, vetëkontrolli, bashkëpunimi, mirënjohja, respekti dhe shumë të tjera”, tha Ivana Đukanović, nxënëse që ndjek programin e aftësive socio-emocionale në shkollën fillore Mileva Lajović Lalatović në Nikshiq.

Učenici iz Nikšića
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2022
Nxënësit teksa ndjekin programin e aftësive socio-emocionale në shkollën fillore Mileva Lajović Lalatović, mars 2022, në Nikshiq

Këto lloj programesh janë bërë edhe më të rëndësishme gjatë pandemisë. Sipas Nada Mitrović, pedagoge e shkollës Mileva Lajovic Lalatovic, është thelbësore t'u ofrohet fëmijëve mbështetje që të jenë të ndershëm dhe tolerantë, të kenë mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj opinioneve të ndryshme dhe të bashkëpunojnë mirë.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që programi i aftësive socio-emocionale të jetë aktiv dhe i vendosur mirë në shkolla, pasi fëmijët zhvillojnë aftësitë e komunikimit, mësojnë të flasin dhe t’i shprehin dhe ndajnë mendimet e tyre”, tha Mitrovic.

Respektimi i diversitetit është një vlerë kryesore e kësaj shkolle në Nikshiq, sipas drejtoreshës së shkollës Irena Vasiljevic.

“Shkolla është e njohur si një komunitet multikulturor, sepse ajo përqafon diversitetin dhe pranon se diversiteti na bën të gjithëve më të pasur”, tha Vasiljevic.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander, ishte i impresionuar me klasën e aftësive socio-emocionale që ai ndoqi gjatë vizitës së tij në shkollën fillore Mileva Lajović Lalatović në Nikshiq.

“U impresionova nga tregimet që dëgjova sot nga nxënësit dhe mësimdhënësit e përfshirë në këtë program. Ai i ndihmon nxënësit të përballojnë stresin nga pandemia dhe jeta e përditshme. Kjo i ndihmon ata të ndërtojnë vlera të mira dhe të forta. Ata mësojnë të njohin dhe menaxhojnë emocionet e ndryshme në mënyrë efektive. Kjo ua mundëson atyre të kenë marrëdhënie më cilësore me bashkëmoshatarët, me familjen, me mësimdhënësit."

Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi

Ai përkujtoi se për momentin nuk mund të përfitojnë të gjithë fëmijët nga ky program.

“Ne bëjmë thirrje për zgjerimin e këtij programi në të gjitha shkollat ​​në mënyrë që çdo fëmijë në Mal të Zi të mbështetet nga zhvillimi social dhe emocional”.

 

Karl Miler, ambasador Austrije u Crnoj Gori
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2022
Ambasadori austriak në Mal të Zi, Karl Müller, gjatë vizitës së tij në Nikshiq, mars 2022

Thirjes së UNICEF-it i është bashkuar edhe ambasadori austriak në Mal të Zi, Karl Müller, i cili mbeti i impresionuar nga ky program gjatë vizitës së tij në Nikshiq.

“Jam impresionuar me mësimin social dhe emocional të fëmijëve që e kanë të vështirë të shprehin ndjenjat, të ndërveprojnë dhe të zhvillojnë këto aftësi. Gjithashtu, kjo është diçka e vështirë tek familjet që përballen me sfida. Pra, unë e vlerësoj shumë atë që i gjithë stafi mësimdhënës po bën këtu”, tha Müller.

Me mbështetjen e UNICEF-it, në bashkëpunim me Zyrën për Arsim, programi për zhvillimin e aftësive socio-emocionale u prezantua në sistemin arsimor të Malit të Zi në vitin 2015. Deri më tani, ai është zgjeruar në më shumë se 100 shkolla fillore dhe të mesme që mbështesin nxënësit që të mësojnë të njohin emocionet e veta dhe të njerëzve të tjerë, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të zgjidhin problemet së bashku.