Empatia dhe respekti në fokus ndërsa rritet shqetësimi për dhunën ndërmjet bashkëmoshatarëve
UNICEF dhe Voli, në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi dhe Byronë për Shërbime Arsimore të Malit të Zi, po përcjellin mesazhe mbi aftësitë sociale dhe emocionale tek familjet në të gjithë Malin e Zi
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 24 prill 2026 – Në mes të shqetësimeve në rritje lidhur me dhunën ndërmjet bashkëmoshatarëve, UNICEF dhe VOLI, në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe Byronë për Shërbime Arsimore, po lansojnë një fushatë kombëtare për të përcjellë mesazhe të empatisë, respektit dhe marrëdhënieve të shëndetshme tek familjet në të gjithë Malin e Zi përmes hapësirave të përditshme, siç janë supermarketet.
Fushata është pjesë një investimi prej 400,000 dollarësh amerikanë të VOLI për fëmijët në Mal të Zi dhe bazohet në programin “Vlerat dhe virtytet e mia”, i zhvilluar nga UNICEF dhe Byroja për Shërbime Arsimore. I zbatuar në 146 shkolla që nga viti 2015, programi i ndihmon mësimdhënësit të zhvillojnë tek fëmijët aftësitë kryesore jetësore krahas njohurive akademike, duke përfshirë empatinë, bashkëpunimin, vetëbesimin, integritetin dhe përgjegjësinë.
“Sistemi arsimor luan një rol kyç në parandalimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve duke forcuar aftësitë sociale dhe emocionale të fëmijëve. Përmes shkollës dhe ndërveprimeve të përditshme, fëmijët mësojnë si t’i kuptojnë të tjerët, t’i respektojnë dallimet dhe të sillen me përgjegjësi. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që programe të tilla të zhvillohen dhe zgjerohen vazhdimisht, në mënyrë që çdo fëmijë të ketë një mjedis të sigurt dhe stimulues për t’u rritur dhe zhvilluar”, tha Prof. Dr. Anđela Jakšić-Stojanović, Ministre e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi.
Me mbështetjen e VOLI, të nxënit social dhe emocional do të zgjerohet në 15 shkolla shtesë, me synimin afatgjatë që këto programe të bëhen të qasshme për të gjithë nxënësit në Mal të Zi.
“Fëmijët nuk lindin me këto aftësi – ata i mësojnë ato. Në klasë dhe përmes ndërveprimeve të përditshme, ata zhvillojnë empati, respekt dhe ndjenjë përgjegjësie, të cilat janë thelbësore si për të nxënit, ashtu edhe për jetën”, tha Michele Servadei, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi.
Kjo nismë vjen në një kohë kur po rritet vëmendja ndaj shëndetit mendor të fëmijëve, sigurisë në internet dhe dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve. Ajo thekson nevojën për forcimin e mëtejshëm të aftësive sociale dhe emocionale, si në shkolla, ashtu edhe në shoqëri në tërësi. Sipas të dhënave të Byrosë për Shërbime Arsimore për vitin 2023, më shumë se 43% e nxënësve në Mal të Zi kanë qenë dëshmitarë të dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve, ndërsa 17% raportojnë se e kanë përjetuar atë personalisht.
Në kuadër të fushatës, në supermarketet VOLI në të gjithë vendin do të vendosen mesazhe që promovojnë empatinë, solidaritetin, respektin, miqësinë dhe vetëbesimin, duke i afruar këto vlera më pranë hapësirave të përditshme ku familjet jetojnë, blejnë dhe kalojnë kohë.
“Përmes këtij partneriteti, ne po i mbështesim fëmijët jo vetëm që të kenë sukses në shkollë, por edhe të rriten si njerëz që kujdesen për të tjerët dhe kontribuojnë në një shoqëri të bazuar në respekt, përgjegjësi dhe solidaritet”, tha Dragan Bokan, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të VOLI.
Programi “Vlerat dhe virtytet e mia” është në përputhje me Strategjinë e Reformës në Arsim të Malit të Zi 2025–2035, e cila i njeh aftësitë sociale dhe emocionale si një komponent kyç të arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës.




