Shkollat e prindërimit në çdo komunitet lokal

UNICEF dhe BE po bëjnë thirrje që autoritetet kombëtare dhe lokale të përpilojnë programin e njohur ndërkombëtarisht Familjet që Kujdesen, të pilotuar me sukses në pesë komuna malazeze që nga viti 2018, për të mbuluar të gjithë vendin

UNICEF Mali i Zi
Cerka trci ocu u zagrljaj
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2014
23 Qershor 2021

PODGORICË, 22 QERSHOR 2021 – Me rastin e Muajit Botëror të Prindërimit, i cili festohet në qershor, UNICEF dhe BE po bëjnë thirrje për shkallëzimin e programit të njohur botërisht Familjet që Kujdesen për të mbuluar të gjithë vendin. Deri më tani programi është pilotuar me sukses në pesë komuna në Malin e Zi nga ana e qendrave të kujdesit shëndetësor parësor, institucionet parashkollore publike dhe organizatat e shoqërisë civile, me mbështetjen e UNICEF-it dhe BE-së që nga viti 2018.

UNICEF Crna Gora

Pothuajse 500 prindër të fëmijëve të moshave 2-9 vjeçare nga Podgorica, Nikshiqi, Bellopoja, Berana dhe Çetina kanë marrë pjesë në program deri më tani. Sipas Biljana Bešović, nënë e cila ndoqi këtë program prindërimi, përfitimet nga programi janë të mëdha.

Tani kam njohuri lidhur me teknika të ndryshme për të cilat nuk isha e vetëdijshme më parë, dhe këto po më ndihmojnë të ridrejtoj ose ndryshoj disa nga sjelljet e padëshiruara tek fëmijët e mi. Ekziston një atmosferë shumë më e mirë në shtëpi, gjë që e shtyu burrin tim të aplikonte dhe ta kalonte vetë programin.

Biljana Bešović, nënë e cila ndoqi këtë program prindërimi

Nota mesatar që prindërit i dhanë programit ishte 4.74 nga 5, gjë që dëshmon për nivelin e tyre të lartë të kënaqshmërisë. Çdo pjesëmarrës tha që ata do t'ia rekomandonin programin miqve ose të afërmve. Për më tepër, vlerësimi i këtij programi gjeti ulje të përgjithshme prej 70% të prindërimit të ashpër dhe abuziv, dhe ulje të ndjeshme të problemeve të sjelljes së fëmijëve (31%) dhe depresionit prindëror (45%).

Të qenit prind është përgjegjësi gjatë gjithë jetës dhe punë shumë e vështirë. Ne shpesh i zgjidhim situatat në familje më lehtë pasi kemi folur me prind të tjerë ose me profesionistë. Për këto arsye, bazuar në suksesin e këtij programi prindëror në Mal të Zi, UNICEF do të mbështesë autoritetet kombëtare dhe lokale për të zhvilluar një vizion dhe strategji të qartë për të siguruar shkolla të prindërimit në çdo komunë.

Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF-it në Malin e Zi

Programi u pilotua si përgjigje ndaj një ankete përfaqësuese në nivel kombëtar të kryer me prindër në Malin e Zi në dhjetor të vitit 2016, në të cilin 77 për qind e tyre thanë se shteti duhet të mbështesë prindërit për të rritur fëmijët në mënyrat më të mira të mundshme. Gjithashtu, kjo iniciativë është në përputhje me nenin 18 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, e cila thekson përgjegjësinë e të gjitha shteteve për të mbështetur prindërit në rritjen e fëmijëve dhe, veçanërisht, për t'i ndihmuar ata ta bëjnë këtë pa përdorimin e dhunës.

Sipas Hermann Spitz nga Delegacioni i BE-së në Malin e Zi, futja e programit të prindërimit në Mal të Zi ishte hap i madh përpara në sigurimin e ndihmës për prindërit në rolin e tyre si kujdestar. Nisma të tilla si kjo fuqizojnë prindërit në aspektin e të qenit prindër më të mirë dhe përfitimet e prindërve pozitivë janë të shumta.

Përparim i dukshëm është shënuar në zbatimin e programit të Familjeve që Kujdesen në pesë komuna që nga viti 2018. Prandaj është e rëndësishme të merret në konsideratë zgjerimi i shtrirjes së programit duke rritur mbështetjen për prindërit dhe kujdestarët në Mal të Zi për të mirën e fëmijëve të tyre.

Hermann Spitz nga Delagacioni i BE-së në Malin e Zi

Programi i Familjeve që Kujdesen, i zbatuar me mbështetjen e UNICEF-it dhe BE-së në Malin e Zi, është zhvilluar dhe provuar më parë në shumë vende të botës përmes bashkëpunimit midis OBSH-së, UNICEF-it, Universitetit të Cape Town dhe Universitetit Stellenbosch në Afrikën e Jugut dhe Universitetit të Oksfordit dhe Universiteti Bangor në Britaninë e Madhe. Përveç Malit të Zi, ky program është në zbatim gjithashtu në Evropë në Republikën Çeke, Maqedoninë Veriore, Moldavinë dhe Rumaninë.