Prindërit të bisedojnë me fëmijët për rreziqet dhe mundësitë e internetit

Në Ditën e Internetit më të Sigurt, që festohet anembanë botës më 9 shkurt, UNICEF-i po u bën thirrje prindërve, shkollave, mediave, komunitetit akademik, OJQ-ve dhe qeverisë që të punojnë së bashku

UNICEF Mali i Zi
UNICEF-i në Mal të Zi / Duško Miljanić / 2016
UNICEF-i në Mal të Zi / Duško Miljanić / 2016
09 Shkurt 2021

PODGORICË, 9 shkurt 2021 – Me rastin e Ditës së Internetit më të Sigurt, që festohet anembanë botës më 9 shkurt, UNICEF-i po u rikujton njerëzve se, sipas hulumtimit të Global Kids Online 2016, në Malin e Zi një në çdo dy fëmijë (45 përqind) nuk ndihet i sigurt online dhe një në tre fëmijë (38 përqind) kanë pasur ndonjë përvojë shqetësuese online në internet gjatë vitit të fundit. Këto përvoja janë më të zakonshme tek djemtë dhe numri i tyre rritet ndjeshëm me moshën. Shumë fëmijë nuk dinë çfarë të bëjnë kur u ndodhin gjëra të pakëndshme online.

Të jesh prind në epokën digjitale do të thotë të kesh një përgjegjësi shtesë për të mbështetur fëmijët për t'u bërë të vetëdijshëm për mundësitë dhe rreziqet që u sjellë mjedisi digjital.

Juan Santander, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Malin e Zi

Prindërit kanë nevojë për mbështetje për të përmbushur këtë detyrë. Për këtë arsye, përmes fushatës kombëtare mbi përdorimin  e mediave #LetsChooseWhatWeWatch (#TëZgjedhimseÇfarëShikojmë), të udhëhequr nga reporterët e rinj të UNICEF-it, UNICEF-i po u bën thirrje prindërve, shkollave, mediave, komunitetit akademik, OJQ-ve dhe qeverisë që të punojnë së bashku për të rritur numrin e  qytetarëve që zotërojnë njohuri mediatike dhe për të ndërtuar një mjedis digjital më të sigurt dhe më gjithëpërfshirës. Që kur filloi kjo fushatë, dy vjet më parë, numri i prindërve që bisedojnë me fëmijët e tyre në lidhje me atë se çfarë bëjnë online në internet u rrit më shumë se dyfish, nga 21 përqind në 47 përqind. Gjithashtu, shumica e prindërve tani kufizojnë kohën që fëmijët e tyre kalojnë para ekranit dhe përmbajtjen mediatike që ata ndjekin në internet. 

#TëZgjedhimseÇfarëShikojmë
UNICEF-i në Mal të Zi / Duško Miljanić / 2018

Kriza e virusit korona e ka bërë të qartë se sa i rëndësishëm është edukimi mediatik dhe digjital për realizimin e së drejtës për shëndet dhe siguri, pasi fëmijët dhe të rriturit kanë qenë të ekspozuar ndaj një sasie të madhe dezinformimi që ndonjëherë mund të jetë kanosëse për jetën. Sipas hulumtimit të Ipsos që u realizua me mbështetjen e UNICEF-it në maj të vitit 2020, shtatë në 10 qytetarë të Malit të Zi spikasin edukimin mediatik si një përgjigje afatgjatë ndaj këtij fenomeni. Ata besojnë se edukimi më i madh mediatik midis qytetarëve do t'u mundësonte atyre të kontrollojnë vetë saktësinë e informacionit, gjë që do të zvogëlonte përhapjen e dezinformimit.

Duke qenë se siguria në internet është një shqetësim global për fëmijët kudo, disa ditë më parë, më 4 shkurt, Komiteti i KB-së për të Drejtat e Fëmijëve miratoi Komentin e Përgjithshëm 25 mbi të drejtat e fëmijëve në lidhje me mjedisin digjital. Ai bën thirrje që qeveritë të identifikojnë një organ përgjegjës për koordinimin e politikave dhe programeve në lidhje me të drejtat e fëmijëve në mjedisin digjital.

Në mënyrë që të promovojë të drejtat e fëmijëve dhe të mbrojë fëmijët në mjedisin digjital, Mali i Zi duhet të zhvillojë një strategji kombëtare të edukimit digjital dhe mediatik dhe të identifikojë një institucion që do të jetë përgjegjës për koordinimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e saj. UNICEF-i është i gatshëm të mbështesë këto përpjekje.

Juan Santander, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Malin e Zi

Përmes Komentit të Përgjithshëm mbi të drejtat e fëmijëve në mjedisin digjital, Komiteti i KB-së për të Drejtat e Fëmijëve u bën thirrje shteteve të rrisin vetëdijesimin për të drejtat e fëmijëve në mjedisin digjital, si dhe të mbështesin fëmijët, prindërit, mësuesit dhe të tjerët që punojnë me fëmijët për të zhvilluar njohuri dhe shkathtësi digjitale në mënyrë që të dinë se si fëmijët mund të përfitojnë nga shërbimet digjitale, si të minimizojnë rreziqet dhe si të njohin një fëmijë viktimë të dëmit online dhe të reagojnë përshtatshmërisht.